Një javë tensionesh midis Gjermanisë dhe Amerikës vënë në dukje koston e përgjigjes ndaj provokimeve.
Komentet e kancelares gjermane, Angela Merkel gjatë një tubimi elektoral në Mynih, të dielën e kaluar duket se nuk e kanë shuar ende jehonën që bënë jo vetëm në titujt e parë të shtypit ndërkombëtar, por edhe mes analistëve dhe ekspertëve të marrëdhënieve ndërkombëtare. “Ne europianët vërtet duhet ta vendosim fatin në duart tona”, tha Merkel në një deklaratë që i drejtohej jo vetëm elektoratit gjerman.
Më herët, në samitet e NATO-s dhe G7, Donald Trump preku pikat më të ndjeshme të europianëve. Presidenti sulmoi liderët e kontinentit se nuk kishin arritur të përmbushnin objektivat për shpenzimet e Mbrojtjes dhe me qëllim la pa përmendur nenin 5, që detyron NATO-n të reagojë kur një shtet anëtar i saj sulmohet. Në një tjetër takim, ai e cilësoi Gjermaninë “të keqe, shumë të keqe”, dhe kërcënoi të vendosë tarifa për eksportet në makina të këtij vendi drejt Amerikës. Merkel shfaqi irritimin e saj në Mynih për të gjitha këto. Ishte një lëvizje e rrezikshme.
Shpërthimet spontane nuk janë të zakonshme për kancelaren Merkel. Komentet e saj ishin të planifikuara dhe i drejtoheshin votuesit gjerman. Kristian-demokratët e saj kanë një kryesim të rehatshëm me dy shifra në sondazhet përpara fushatës së zgjedhjeve të përgjithshme të 24 shtatorit. Por, ajo i ka të freskëta në kujtesë fushatat e viteve 2002 dhe 2005, kur rivali social-demokrat Gerhard Schröder, mori vota nga CDU-ja për shkak të kundërshtimit që bëri ndaj luftërave të Xhorxh Bushit.
Ulrich Speck, ekspert i politikës së jashtme gjermane, thotë se Merkel ka mësuar “se gjatë fushatave elektorale, rreshtimi me një president amerikan të krahut të djathtë, është toksik”.
Anti-amerikanët europianë nuk mund të kishin dizenjuar një president më të favorshëm për kauzën e tyre sesa Trump-in. Mosrespekti që shfaq ndaj mjedisit, njëanshmëria e tij, materializmi dhe sjelljet e vrazhda fizike rrisin koston në kurriz të liderëve europianë kur deklarohen në mbrojtje të aleancës trans-atlantike.
Rivali i Merkelit, Martin Schulz, është një pro-europian romantik, ai fushaton pa fund kundër Trump dhe kundërshton objektivin e NATO-s prej 2 për qind për shpenzimet e mbrojtjes. Ajo ka nevojë ta sigurojë këtë krah – sidomos në prag të samitit të G20 në Hamburg muajin e ardhshëm, ku do të marrë pjesë edhe presidenti Trump.
Rezultati ka qenë një garë retorikash armatimi. Më 26 maj, Shulc e sulmoi presidentin Trump: “Me zemërim, refuzoj mënyrën sesi ky njeri merr përsipër të trajtojë shefen e qeverisë së vendit tonë”.
Sigmar Gabriel, ministri i Jashtëm nga SPD-ja, tha se ai e “ka dobësuar Perëndimin” dhe akuzoi Trumpin se po vendos në rrezik mjedisin, paqen dhe harmoninë fetare. Një ditë më pas, Trump shkroi në rrjetet sociale për surplusin tregtar të Gjermanisë dhe buxheti i ulët për mbrojtjen: “Shumë keq për Shtetet e Bashkuara. Kjo gjë do të ndryshojë”.
Ndërsa fushata elektorale gjermane për zgjedhjet e shtatorit afrohet, njerëzit duhet të presin “shndërrimin e anti-trumpizmit në një anti-amerikanizëm të drejtpërdrejtë”, paralajmëron Thorsten Benner nga Instituti i Politikave publike globale në Berlin.
Presidenti i ri i Francës, po ashtu, po tregon se dëshiron të ngrihet kundër Trumpit në prag të zgjedhjeve legjislative të 11 dhe 18 qershorit. Në samitin e NATO-s, Macron qëllimisht përshëndeti të parën Merkelin. Në një takim të veçantë, ai ia shtrëngoi dorën fort presidentit Trump. Ky demostrim force nuk ishte “i rastësishëm”, pranoi ai më vonë. Gjatë një takimi në afërsi të Parisit në 29 maj, ai u përball me Vladimir Putinin për rolin e transmetuesve televizivë të mbështetur nga Kremlini në Francë, që me të drejtë e cilësoi si “agjentë të influencës dhe propagandës”.
Megjithatë, do të ishte e gabuar të mendojmë se partnershipi trans-atlantik po anulohet.
Rrethet ushtarake amerikane e mbështesin ende vendosmërisht NATO-n dhe Merkel qëndron larg nga anti-amerikanizmi. Tre ditë përpara udhëtimit të saj në Mynih, ajo pati një ribashkim të ngrohtë me Barak Obamën në Berlin: ajo thuhet se është ka telefonuar ish-presidentin Bush për këshillim. “Për Gjermaninë, aleanca trans-atlantike është (për të përdorur një term të preferuar të Merkelit) pa alternativë”, thotë Benner. Komentet e saj në Mynih pjesërisht synonin të bindnin votuesit se vendi ka nevojë t’i marrë shpenzimet e mbrojtjes më seriozisht.
Teprimi për efekt
Nëse komentet e Merkelit ishin të mençura apo jo, kjo është një çështje tjetër. Loja e fjalëve shkon për bindjen e Trump se çdo marrëveshje ka një fitues dhe një humbës, duke rritur mundësinë e një lufte tarifore që do të dëmtonte të dyja palët. Presidenti me siguri do të vijojë të fyejë europianët, por as Merkel dhe as Shulc, apo Macron besojnë se kontinenti i tyre mund t’ia dalë mbanë pa Amerikën. Europa varet nga aleanca trans-atlantike, pavarësisht faktit nëse europianët i admirojnë ose jo banorët e Shtëpisë së Bardhë.
Ëolfgang Ischinger, ish-ambasador gjerman në Uashington thotë se kjo e vërtetë e pavolitshme e lë Merkelin dhe europianët e tjerë me vetëm një strategji: “pajtim, pajtim, pajtim”.
Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/