Fenoneni i “ikjes” nuk është vetëm shqiptar. Pothujse i gjithë rajoni, si dhe vende në zhvillin në Europën Lindore e Qëndrore, te të cilat veçon Hungaria e Orbanit, po e vuajnë këtë fenoment, provokuar më shumë nga uria e tregut gjerman sesa nga problemet e tyre të brendshme, po ato që kanë ekzistuar përgjatë gjithë tranzicionit.
Sipas një reportazhi të DW mbi Rumaninë, një vend i BE-së, qytetarët e saj zënë vendin e parë në BE për emigracion të popullsisë. Nën titullin “Pastaj erdhën pasanikët dhe blenë shtëpitë”, DW ofron këtë reportazh mbi ikjet në Rumani, duke përzgjedhur një çift që vendoës zhvendosjen në Gjermani.
Të shtunën e kaluar protestuan me dhjetëra mijëra rumunë në Bukuresht. Ata kërkuan dorëheqjen e kryeministrit socialdemokrat, të cilin e akuzojnë për korrupsion. Sikurse edhe një vit më parë, nismëtarë të mitingut kishin qenë rumunët e diasporës. Policia dhe xhandarmëria rumune i shpërndanë protestuesit me dhunë, të rrahura dhe gaz lotësjellës. Camelia dhe Laurenţiu sivjet nuk morën pjese ne demonstratë. Vitin e kaluar vendosën të shpërngulen në Gjermani, dhe tani po merren me organizimin e jetës së tyre në një vend të huaj.
“Dikush atje lart duhet të na dojë – nuk mund të kishim gjetur një vend më të mirë se Gjermania,” thotë Camelia. 46-vjeçarja ish-punonjëse e një kompanie të madhe mediatike në Rumani buzëqesh e ndrojtur. Ajo dhe i shoqi, Laurenţiu, kameraman 48-vjeçar, nuk kishin parasysh Gjermaninë, kur, në gusht të vitit të kaluar, vendosën të largoheshin nga vendi i tyre së bashku me dy djemtë e mitur. Në Rumani, çifti kishte krijuar një biznes të mirë me qira afatshkurtra për turistët. “Por pastaj erdhën pasanikë nga jashtë që nisën të blinin nga dhjetëra banesa duke prishur çmimet,” ankohet Camelia. Pas ca kohësh familja nisi të fitonte shumë pak. Biznesi nuk kishte më sukses, shanset për të gjetur një punë të qëndrueshme ishin të ulëta. “Na thoshin ose se ishim tepër të vjetër për punën ose tepër të kualifikuar – na vinte turp”, kujton ajo.
Pastaj erdhi gushti i vitit 2018, kulmi i trazirave sociale dhe politike, dhe ata vendosën të provonin fatin e tyre jashtë vendit. Disa miq kishin emigruar tashmë në Greqi dhe ishin sistemuar në Kretë. Një punë e paguar mirë, diku buzë detit – kjo ishte ajo që synonin ata. Por nga kjo ëndërr nuk doli asgjë. Në ishull nuk kishte as punë të mirë e as banesa të përballueshme.
Pastaj, krejt papritur, i mori në telefon një mikeshë dhe u tha se kishte një punë të mirë. “Deri atëherë nuk kishim qenë kurrë në Gjermani, as nuk dinim gjermanisht dhe gjithmonë dëgjonim se gjermanët ishin njerëz shumë të ngurtë,” thotë Laurenţiu. Familja shiti makinën për të pasur ca para për fillimin e ri.
Statistika alarmante
Sipas Zyrës Federale Gjermane të Statistikave, në fillim të vitit 2019, në Gjermani ishin të regjistruar rreth 700 000 rumunë. Në Itali dhe Spanjë, numri i rumunëve që jetojnë dhe punojnë është mbi një milion. Sipas OECD-së, Rumania është një nga vendet kryesore të origjinës në sektorin e emigracionit familjar dhe lëvizjes së lirë brenda Bashkimit Evropian.
Sipas vlerësimeve të autoriteteve rumune, numri i rumunëve të mërguar është katër milionë, që do të thotë rreth 20 për qind të popullsisë rumune. Në muajt e verës, numri i punëtorëve sezonalë në ndërtim dhe bujqësi shkon deri në pesë milionë.
Gabriela Mirescu, një politologe nga Rumania me banim në Zvicër, i ndan në dy breza emigrantët rumunë që nga rënia e komunizmit: “Në fillim të viteve 1990, një mjek rumun i emigruar në Perëndim shpesh duhej të fillonte si shofer taksie dhe të priste me vite të tëra derisa t’i njihej diploma” thotë ajo. “Sot, mjekët vijnë me një kontratë në xhep dhe shkojnë direkt në spital.”
Mirescu thotë se ndryshe është kur duhet të luftosh për të gjetur një lidhje me shoqërinë, e ndryshe kur integrohesh shpejt e pa komplekse në mjedisin e ri. Një gjë të përbashkët kanë të dy brezat: ruajtjen e kontakteve me atdheun e vjetër. Jo vetëm që dërgojnë para për familjet e tyre çdo muaj, por shumë syresh janë të interesuar për zhvillimet politike në Rumani.
Camelia dhe Laurenţiu ndiehen mirë në atdheun e tyre të ri. Nga njëra anë, ata janë të lumtur që në jetën e tyre është kthyer rregulli. “Në Rumani gjithçka ishte kaotike, mënyra e jetesës këtu është shumë ndryshe, na pëlqen shumë këtu, “thotë Camelia. Burri i saj ka një punë të paguar mirë në një kompani që merret me shitblerje online, kurse ajo merret me djemtë. Dhe këtë vit familja shkoi edhe në Kretë, por për pushimet verore.
Marrë nga DW – /tesheshi.com/