Nga Shkëlzen Rrecaj
Fehim Dragusha është ndër ata dhjetra imamë shqiptarë që shërben në Zvicër. E njeh mirë atë vend, e po ashtu dhe shqiptarët e atjeshëm. Dhe ka zgjedhur forma të atillë komunikuese e kontribuuese në funksiontë të kuptuarit më drejt, të Islamit e përgjithësisht botës shqiptare në një vend esktra europian siç është Zvicra.
Janë sfida të vështira bashkëjetesë që kërkojnë mjeshtra, nuhatës të hollë psikologjish e realitetesh, e padyshim njerëz me formim të mirë shkollon. Vetë Dragusha njeh disa gjuhë të huaja.
Figura e tij zë jo pak vend në mediat zvicerane, pikërisht për shkak të protagonizimit të tij social, shoqëror, por dhe fetar në funksion të mirëkuptimit e bashkëjetesës.
Dhe, nuk ngurron ta pohojë se, hoxhallarët e futbollistët shqiptarë, janë ata që më së shumti janë bërë shkak për përmisimin e një imazhi mjaft të keq që ka ekzistuar në Zvicër për shqiptarët….
Kush është FehimDragusha?
Unë kam lindur nëfshatin Bernicë e Epërme. Shkollën fillore e kam përfunduar në fshatin Bardhosh në vitin 1997, pastaj me ndihmën e Zotit jam regjistruar në medresenë “Alaudin”, të cilën e kam përfunduar në vitin 2001.
Duke pas parasysh që Kosova veç sa kishte dalë nga lufta, populli i Bruneit nga Azia Juglindore kishte mbledhur ndihma për popullin tonë. Në mesin e këtyre ndihmave ishin edhe bursat për tre studentë të zgjedhur nga Kosova për t’u shkolluar në Brunei Darussalam. Unë pata fatin të jem njëri prej tyre. Po në këtë vit, ne udhëtuam për në Brunei, ku fillimisht kemi mësuar gjuhën angleze dhe arabe me një kurs intensiv tremuajsh. Nga viti 2002- 2006 kam ndjekur studimet në IPISHOAS (Fakulteti i Studimeve Islame), dega Bazat e Fesë Islame (Usuluddin), të cilën e kam përfunduar shkëlqyeshëm. Po të njëjtin vit kam aplikuar për magjistraturë në degën e Krahasimeve Ndërfetare (Comparative Religions) dhe e kam përfunduar në vitin 2008.
Në këtë vit jam kthyer në Kosovë, ku kam shërbyer si imam në xhaminë e fshatit Bardhosh dhe në të njëjtën kohë kam qenë i përkushtuar ndaj shkrimit dhe aktiviteteve me të rinjtë.
Pse zgjodhët Zvicrën?
Zvicra është një shtet në të cilin jeton një komunitet i madh i shqiptarëve, të cilët kanë emigruar që nga vitet 1960. Arsye tjetër është edhe fakti që edhe studimet i kam mbaruar në lëmin e Komparacionit Fetar dhe kam vërejtur që atje është një mejdan i madh ku njeriu mund të kontribuojë shumë, për shkak që zviceranët janë një popull që kanë dëshirë të njihen me kultura të tjera. Fat i mirë ishte edhe njohja e gjuhës angleze, e si rrjedhojë kam aplikuar që ta gjej një vend dhe ta praktikoj këtë fushë në një vend të zhvilluar siç është Zvicra. Me ndihmën e Zotit, kemi patur sukses të madh në këtë drejtim, duke vënë kontakte me priftërinjtë, duke shkëmbyer vizita, duke organizuar seminare dhe shpresoj që këto aktivitete të vazhdojnë edhe në të ardhmen.
Zvicra është një vend që iu ofron edhe imamëve dhe priftërinjve integrim dhe mësimin e gjuhëve të huaja, njohjen e shtetit me ligjin si dhe shumë mundësi të tjera për integrim dhe avancim.
Si është gjendja e shqiptarëve në Zvicër, duke pasur parasysh shkrimet e shpeshta në shtypin zviceran për këtë komunitet?
Shqiptarët deri në vitin 1998 apo para luftës së fundit, nuk janë parë me sy të mirë, kjo për shkak të krizave në ish–Jugosllavi, dhe çdo herë që ka ndodh ndonjë gjë negative, shqiptarët janë etiketuar si jugosllavë, pa marrë parasysh a kanë qenë kryerësit e veprës boshnjakët, serbët, shqiptarët, kroatët, etj. Thjesht nuk kanë pasur imazh të mirë. Krijimit të një imazhi më të mirë në Zvicër, një rol të madh ka luajtur komuniteti shqiptar, i cili duke e parë se vendlindja e tyre gjendej në luftë asokohe, ata organizuan tubime me bashkatdhetarë për të mbledhur fonde në mënyrë që t’i dalin në ndihmë vendit të tyre. Duke e parë se sa të organizuar qenë shqiptarët (përgjatë viteve 1998-1999), zviceranët e kuptuan se sa të bashkuar ishin shqiptarët për të larguar terrorin që bënin serbët ndaj shqiptarëve dhe këtu shohim një ndryshim të madh nga populli zviceran karshi mërgimtarëve shqiptarë, të cilët dikur i shihnin me një sy të keq.
Nëse flasim për periudhën e dytë, atë të pasluftës, rol të madh në përmirësimin e imazhit të shqiptarëve në Zvicër kanë edhe lojtarët kosovarë, si Xherdan Shaqiri, vëllezërit Xhaka, Admir Mehmedi, Xhemajli e shumë lojtarë të tjerë, kjo sa i përket sportit; ndërsa në rrafshin më të gjerë i gjejmë hoxhallarët shqiptarë të cilët zotërojnë më shumë se 80 qendra islame, në të cilat përgjatë vitit organizohen aktivitete te ndryshme dhe në të shumtën e rasteve, të ftuar janë organet shtetërore. Në këto qendra nuk kryhen vetëm ritet fetare, por aty kremtohen festat kombëtare, Dita e Flamurit, Pavarësia e Kosovës; e si mos të përmirësohet imazhi kur të gjitha këto aktivitete, xhamitë i organizojnë në baza vullnetare. Këto qendra ndahen në tri grupe: disa prej tyre janë qendra ose xhami, të cilat kanë imam të rregullt, ku tashmë të gjithë imamët janë me fakultet, gjë që para viteve 2000 ka qenë e pamundur të ketë imam me fakultet për shkak të rrethanave në Kosovë dhe gjetiu, për arsye se të gjithë ata që kanë shkuar në Perëndim kishin migruar për të pasur një jetë më të mirë, për t’i ndihmuar familjes, etj. I njëjti fat i përcolli edhe shumë imamë shqiptarë, të cilët edhe për faktin se ata nuk ishin të punësuar drejtpërsëdrejti nga xhamia, ata qenë në shërbim të kauzës kombëtare shqiptare dhe ishin ndër imamët e parë që ishin diplomuar në universitete të ndryshme të botës islame, ku prej tyre mund të veçojmë Taxhedinef. Misinin, Ali Vebiun, imam Abdullahun nga Llozana, hfz. Nebi Rexhepi, e shumë të tjerë.
Edhe sot, komuniteti shqiptar është një faktor i rëndësishëm dhe luan një rol të veçantë në Zvicër si në aspektin e biznesit, të fesë, sportit; dhe lirshëm mund te themi se, sot nuk ka artikull i cili botohet e të mos përmendet suksesi i shqiptarëve, sidomos i lojtarëve shqiptarë të cilët mbrojnë ngjyrat e Zvicrës, që janë shembull për të mirë dhe është një diasporë shumë mirë e organizuar.
Ju shpeshherë zini vend në mediat zvicerane…
Që nga momenti kur kam shkuar në Zvicër, ia kam vënë obligim vetes që të integrohem duke mësuar gjuhën e këtij populli. Me integrim nuk kam për qëllim asimilimin, por e kam për qëllim mësimin e gjuhës gjermane, për arsye se njeriu nuk mund ta kuptoj kulturën e një populli tjetër duke mos e njohur gjuhën e atij vendi. Me të shkuar në Zvicër kam realizuar projekte të shumta. Në fillim kam qenë imam në Xhaminë e Parë Shqiptare(El-Hidaje) në Winkeln të St. Gallenit ku kam shërbyer tri vjet. Kjo xhami ka kontribuar shumë për çështjen kombëtare dhe fetare. Aty kam patur projekte të ndryshme. Ndër to është edhe vizita në familjet shqiptare, por gjithashtu kam realizuar edhe projekte në të cilat kanë marrë pjesë edhe mediet, si dhe shkëmbimi i mendimeve me priftërinjtë e qytetit. Edhe sot vazhdojmë këto aktivitete, sidomos me Universitetin e Luzernit dy herë në vit, me Shkollën e Lartë Pedagogjike të St. Gallenit, me shkollat fillore dhe te mesme të Gossau-s si dhe me shumë priftërinjtë të qytetit të St. Gallenit.
Prezenca ime në media ka pasur për qëllim që publikut zvicerant’u shpjegohet Islami i pastër, për shkak se në Zvicër ka disa organizata të cilat thirren në emër të Islamit të moderuar. Këto organizata drejtohen nga disa persona që në fakt më shumë i bëjnë dëm Islamit se sa dobi. Ajo që kam kërkuar në të shumtën e intervistave te zhvilluara me gazetarë zviceranë, ka qenë që për çështjet islame të pyeten imamët dhe studiuesit e Islamit, e jo njerëz që nuk janë fare kompetentë për këtë fushë.
Përveç angazhimit tim me mediat zvicerane, jemi te angazhuar në Konferenca edhe jashtë Shtetit, gjegjësisht kemi formuar në vitin 2013 një projekt internacional, i cili quhet “12 Cities Project”. Ky projekt është në bashkëpunimme priftërinj, hoxhallarë, rabinë, pedagogë, gazetarë, studiues të profileve të ndryshme që vijnë nga Anglia, Gjermania, Gjeorgjia, Amerika, Pakistani, dhe këtu mundohem ta përfaqësoj Kosovën dhe Zvicrën ku takohemi dy herë në vit dhe prezantojmë tema të ndryshme për të ndaluar diskriminimin dhe përhapjen e islamofobisë që po ndodh sot në shumë vende të botës.
Hoxhë Dragusha, si janë raportet mes komunitetit musliman shqiptar me komunitet tjera Zvicrës?
Shqiptarët në Zvicër janë shumë të suksesshëm. Ata kanë kontribuar për këtë shtet dhe për vendlindjen e tyre, qofshin ata nga Maqedonia, Shqipëria, Lugina Preshevës apo Kosova. Të gjithë këta patën fatin të ballafaqohen me luftëra dhe që të gjithë këta mërgimtarë kanë mbledhur mjete financiare për t’i ndihmuar vëllezërit e tyre në vendlindje. Kemi edhe raste kur ata kanë hyrë në borxhe apo kredi, vetëm për të mos u ndarë nga aktiviteti për t’i dalë në ndihmë vëllezërve tanë në vendlindje. Prandaj shqiptarët kanë raporte të mira edhe me komunitetet tjera. Shqiptarët e zënë vendin e parëpër nga numri i të huajve në Zvicër, me rreth 300 mijë qytetarë. Shqiptarët janë një popull shumë i veçantë dhe me plot përgjegjësi, e them se është fat shumë i madh që shqiptarët jetojnë në Zvicër sikur që është fat i zviceranëve t’i kenë shqiptarët miq të tyre tashmë që gjashtë dekada.
Ju në veçanti, si i keni raportet me institucionet e vendit aty ku jetoni dhe ushtroni detyrën e imamit?
Unë kam raporte shumë korrekte si me organet shtetërore, por edhe me mediet, më konkretisht me gazetarët. Gazetarët jo rrallë herë i komentojnë artikujt tonë që i shkruajmë në faqet tona ose ligjëratat tona. Ne përcillemi çdo herë dhe kjo çështje neve nuk na frikëson, sepse Islami është fe e paqes. Por ne mundohemi çdo herë edhe me kritikat që ata i drejtojnë nga ne, prapëseprapë t’i mbajmë kontaktet me ta dhe e falënderojmë Zotin që na ka ndihmuar gjatë këtyre katër viteve, prej që kur e kemi themeluar xhaminë internacionale me datën 1 korrik të viti 2012, në qendër të qytetit St. Gallen ku vetëm aty tek xhamia kemi diku 16 nacionalitete. Ndërsa qyteti St. Gallen ku aty shqiptarët jetojnë që nga viti 1960 ka më shumë se 121 nacionalitet të huaja.
Prej hapjes së xhamisë ne kemi raporte të mira edhe me të krishterët, po ashtu me departamentin e migracionit, me organet shtetërore dhe policinë që e mban rendin dhe sigurinë e qyteti të St. Gallenit. Dyert e xhamisë sonë janë të hapura çdo herë. Ne i respektojmë dhe ata na respektojnë. Ka fjalë miradije për shkak se në këtë xhami kemi filluar me një kurs te integrimit që është falas për gratë dhe me këtë përpiqemi që te participojmë edhe në projektet e qytetit të St. Gallenit për mësimin e gjuhëve të huaja, siç është gjuha gjermane dhe angleze. Ky ka qenë një lajm i mirë për organet shtetërore pasi që është xhamia e vetme në tërë Zvicrën që merr një hap që falas t’ua mësojë gjuhën grave, jo vetëm muslimane por edhe të feve dhe kombësive tjera, për arsye se jo çdo kush ka kushtet e mira për të ndjekur kursin e gjuhës gjermane, i cili në Zvicër është shumë i kushtueshëm. Kështu që xhamia përveç që shërben për lutje, shërben edhe për aktivitete të tjera.
A mund të na tregoni në veçanti se çfarë aktivitetesh keni në xhaminë tuaj?
Xhamia e St. Gallenit në Zvicër dallon për nga forma e xhamive të tjera në aspektin e aktiviteteve për shkak se nuk është një xhami që i shërben vetëm komunitetit shqiptar. P.sh ligjëratat të cilat ne i predikojmë në xhami janë 30 minuta në gjuhën shqipe për arsye se shumica janë shqiptarë dhe 7 minuta në gjuhën gjermane. Kur kemi mysafirë nga vende të tjera të botës, pak minuta i ndajmë edhe në gjuhën angleze duke i respektuar ata për vizitën që tregojnë ndaj qendrës sonë.
Aktivitet tjetër është vizita e priftërinjve në Xhaminë Xheneti, për arsye se jo të gjithë kanë studiuar Islamin. Prandaj përderisa në burgjet e Zvicrës ka të burgosur muslimanë dhe nëse nuk ka kërkesë nga ana e muslimanëve, atëherë atyre Islamin do ua ligjëroj një prift. Ne mundohemi që të kemi raporte të mira edhe me priftërinjtë. Pjesë e aktiviteteve është edhe vizita e imamit në familjet shqiptare, ku mundohemi të marrim pjesë me kërkesën e tyre që të ndërmjetësojmë problemet brenda familjessi dhe zënkat e tyre. Këto vizita që i bëjmë në familjet shqiptare i regjistrojmë dhe tregojmë që me kërkesë të familjes kemi shkuar për vizitë dhe me ndihmën e Allahut kemi pasur shumë sukses.
Po ashtu, pjesë e aktiviteteve tona është edhe mësim-besimi, ligjërata për gra, ligjërata në Ramazan, pjesëmarrja ime në konferenca të ndryshme si në Kosovë dhe në shtete të tjera të botës. Pothuajse për çdo muaj organizojmë edhe seminare ku marrin pjesë zviceranë të konvertuar në Islam, me këtë xhamia “Xheneti” është bërë një ombrellë për t’i afruar edhe nacionalitetet e tjera, e veçmas muslimanët e rivertuar, në mënyrë që ata të mos infektohen me ideologji te tjera, siç po ndodh në shumë vende te botës.
Ju jeni pjesëmarrës i shpeshtë në konferenca të dialogut ndërfetar. Në anën tjetër vërejmë një rritje të islamofobisë sidomos në Kosovë. A mund të na tregoni si është gjendja në Zvicër në këtë aspekt?
Angazhimi im në konferenca kërkon një mund dhe sakrificë për shkak se krahas angazhimit tim në xhami, mundohem të marrë pjesë edhe nëkëto ngjarje të interesit të madh, Fatkeqësisht, shpesh kam patur kritika nga një grup i muslimanëve ‘badihavxhinj’ të cilët kritikojnë se nuk është mirë të marrë pjesë në të tilla konferenca se kinse qëllimi i tyre na qenka bashkimi i feve. Por kjo nuk përkon fare me realitetin për arsye se ne nëse ne nuk marrim pjesë, atëherë lemë një boshllëk dhe në vendin tonë mund të marrin pjesë sekte që nuk kanë asgjë të përafërt me fenë islame, si ahmedinjtë etj., të cilët shpeshherë prezantohen si muslimanë, varësisht nga vendi dhe rrethanat. Unë personalisht kam përfituar shumë nga këto konferenca, sepse aty kemi takuar njerëz te cilët vijnë nga vija e parë e frontit, qoftë islamofobë apo ksenofobë.
Islamfobia në Zvicër është në rritje dhe këtë e them hapur, për shkak se kjo ka qenë tema ime në konferencën e fundit që është mbajtur në Dyseldorf, në të cilën kam thënë “si mund ta hasim islamofobinë në Zvicër”. Fillimisht mediat nuk dëshirojnë ta njohin fenë islame, por një gjë e tillë është e domosdoshme për ta. Unë i kam ftuar mediumet që nëse ata dëshirojnë ta njohin Islamin, ta dinë se çfarë thotë ai, nuk kanë nevojë të shohin nga mediumet tjera se çfarë ndodh në Irak dhe Siri, sepse ata janë zviceranë dhe shkruajnë për Islamin në Zvicër.
Kemi pasur rastin kur janë atakuar xhamitë në Zvicër si ajo e Wintertur ku u dëmtua minarja e saj dhe në Grenchen para disa vitesh ku është blerë parcela për ndërtimin e xhamisë dhe si shenjë proteste nga disa qytetarë zviceranë, kanë hedhur koka të derrave dhe disa litra gjak, pastaj rastin e djegies se xhamisë se Flumsit, duke vazhduar me rastin e përjashtimit të vajzave muslimane nga shkolla për shkak të bartjes se shamisë, etj. Unë jam munduar që t’i zgjidhi këto probleme duke mos dëmtuar askënd, por thjesht të tregoj realitetin se kemi të bëjmë me islamofobi të vazhdueshme dhe këtë nuk mund ta mohojë askush.
Po ashtu për t’i dhënë fund islamofobisë në Zvicër, pasi që jetojnë një numër i madh i muslimanëve, kam kërkuar që të futet një program ku të gjithë imamët e komuniteteve do të kishin mundësi të shpjegonin për Islamin, dhe një gjë e tillë deri më tani nuk është ofruar. Unë besoj bindshëm se asnjë qytet, apo shtet nuk do mund t’i japë fund problemeve te kësaj natyre, pa e njohur Islamin, si fe zyrtare gjë e cila po prolongohet në shumë vende të Evropës.
Po me komunitetin shqiptar si i keni raportet, ngase ju edhe i vizitoni shpesh familjet shqiptare? Me konkretisht, për çka ju thërrasin më shumë?
Sa i përket komunitetit shqiptar, që nga viti 2009 jam munduar që t’i vizitojë të gjitha ato qendra, për shkak se edhe tema e doktoratës sime flet për sfidat e muslimanëve të Europës, një krahasim mes muslimanëve të Zvicrës dhe atyre të Gjermanisë. Pse muslimanët në Gjermani kanë ecur mëpërpara me mësimin e gjuhës, p.sh. turqit kur kanë shkuar në Gjermani? Sepse më shumë kanë shkuar intelektualë, mjekë dhe zanatli, ndërsa shqiptarët në Zvicër kanë shkuar pasi që në Kosovë nuk kanë mundur ta gjejnë veten dhe është dashur tri dekada që fëmijët e tyre të edukohen e shkollohen në Zvicër. Si imam mundohem që t’i vizitoj këto qendra e xhami dhe të tregojmë se gjëja më e dobishme për prindërit është investimi ynë në fëmijët tanë që ata ta mësojnë gjuhën gjermane, angleze, frënge dhe së paku ta përfundojnë një fakultet, i cili nuk zgjatë me shumë se katër vjet. Dhe këto raporte me komunitetin shqiptar jam munduar t’i mbaj çdo herë, ndërsa ftesat që marr nga familjet shqiptare, janë zakonisht problemet familjare, zënka që janë bartur nga vendlindja e tyre.
Një prej aktiviteteve të xhamisë është edhe raporti me korin diplomatik të Kosovës me ambasadën dhe konsullin e Kosovës. Kemi patur rastin ta kemi në xhaminë tonë ish-ambasadorin Naim Malaj, i cili ka mbajtur një ligjëratë para xhematit të xhamisë “Xheneti”, në mënyrë që mërgata të jetë më afër popullit të tyre, të njoftohen me hallet e tyre, me problemet që i kanë me shtetin, po ashtu kam ftuar edhe priftin Don Marian Markun nga Ëilli që edhe ai të jetë pjesë e shqetësimeve të mërgimtarëve tanë. E më këtë t’u tregojmë atyre që jemi të bashkuar rreth shqetësimeve të njeri-tjetrit.
Ju përveç që jeni aktiv në qytetin ku shërbeni, jeni edhe nënkryetar i Unionit të Imamëve Shqiptarë në Zvicër. A mund të na tregoni më shumë rreth këtij Unioni?
Jam person i tillë që nuk dëshiroj që aktivitetet të bëhen në formë individuale dhe për këtë shkak së bashku me imamët Mr. Nehat Ismailin, Mr. Rehan ef.Nezirin, Mr. Bekim ef. Alimin, Mr.Ferid Zeqiri, Fahredin Bunjaku dhe disa imamë të tjerë, kemi themeluar këtë union për të qenë më të organizuar dhe më të bashkuar. Takimet e para i kemi filluar në vitin 2010, ku jemi njohur më shumë dhe pastaj kemi filluar me aktivitet, së pari një faqe të internetit, pastaj që bajramet t’i festojmë bashkërisht dhe të mos ndjekim përvojat e arabëve të cilat po shkaktojnë huti tek mërgimtarët shqiptarë.
Në UISHZ-ës janë të regjistruar më shumë se 30 xhami shqiptare. Të gjithë drejtuesit e këtyre xhamive janë imamë të rregullt, të diplomuar dhe shumica që punojnë kanë përvojë mbi pesëvjeçare. Agjenda jonë është që të jemi më afër njëri-tjetrit, të organizojmë seminare dhe trajnime me ligjërues eminent nga bota islame.
Pjesë e aktiviteteve tona janë edhe organizimi i ndihmave. Psh.janë mbledhur mbi 70,000 franga për fatkeqësinë e vërshimeve në Bosnjë. Po ashtu me iniciativë te Unionit te Imamëve Shqiptarë janë mbledhur ndihma në të holla për rastin e Kumanovës që u sulmua Lagja e Trimave në maj të vitit 2015 ku kemi mbledhur mbi 200,000 franga, nuk kanë munguar as për Tetovën ku janë tubuar mbi 60,000 mijë franga zvicerane. Me fjalë të tjera, ne mundohemi t’u dalim në ndihmë atyre që kanë nevojë, por pikë kryesore është që imamët të jenë të bashkuar dhe të jemi më afër popullit tonë dhe atyre që ne u shërbejmë. Sa për informim, deri në muajin mars kam shërbyer si Nënkryetar i Unionit, të cilën detyrë jam munduar ta kryej me nder dhe tashmë ka pasur zgjedhje të reja dhe u kemi lëshuar vend kolegëve që edhe ata të participojnë në këtë mision.
Duke qenë që ju lëvizni shpesh mes Kosovës dhe Zvicrës, çfarë i kishit marrë njërës dhe i kishit dhënë tjetrës dhe anasjelltas?
Është e vërtetëqë lëvizi shumë në mes të Kosovës dhe Zvicrës, për arsye së këtu kam familjen dhe mundohem që aktivitetin tim ta ndërlidhi me Kosovën, për shkak se Kosova është një vend shumë i pasur dhe e them hapur për portalin e juaj që Zvicra, apo më mirë të them priftërinjtë zviceranë mundohen të shkruajnë libra dhe ka patur pyetje nga ta se si keni pasur mundësi që ju të jetoni me shekuj në një vend ku ka patur katolikë, muslimanë dhe t’i mbijetoni një regjimi të ashpër serb. Përgjigjet tona kanë qenë se feja islame është fe e paqes dhe kemi treguar se si shqiptarët muslimanë u kanë ndihmuar hebrenjve në Luftën e Dytë Botërore, etj. Po ashtu, kanë thënë se Zvicra investon shumë para që këto kultura që jetojnë (mbi 120 nacionalitete në Zvicër) ende nuk kanë arritur që të korrin sukses në këtë drejtim, ku kemi raste të përjashtimit nga shkolla, etj.
Ajo që unë dua ta ndaj me ju është se ajo që me pëlqen në Zvicër e që kam dëshirë ta shoh në Kosovë është çështja politike. Në Zvicër nuk na intereson aq shumë se kush është kryetar apo kryeministër, për arsye së është i rregulluar pothuajse çdo sistem, si ai shëndetësisë, komunikacionit, pastërtisë dhe se çdo gjë shkon në rregull dhe nuk ka nevojë që populli të involvohet si p.sh se kush duhet të jetë kryetar apo kryeministër. Kam dëshirë që lidershipi ynë në Kosovë të marrë mësim nga politikanët zviceranë, përndryshe ata kanë nevojë për trajtim mjekësor.
Në Kosovë problemet janë të shumta. Mërgimtarët kanë menduar që Kosova do të bëhet Zvicra e dytë duke patur parasysh së është mbledhur një shifër jashtëzakonisht e madhe – afër dy miliardë franga që janë mbledhur vetëm në Zvicër – për ta ndihmuar luftën e Kosovës dhe sot askush nuk e dise ku kanë përfunduar këto para.
Prandaj populli shqiptar që jeton në Zvicër janë shumë të organizuar në të gjitha rrafshet dhe ka dëshirë që e njëjta të jetë edhe në Kosovë.
Ndërsa atë që kam dëshirë ta barti nga Kosova në Zvicër është mikpritja e shqiptarëve. Megjithëse sot Kosova ka imazh të mirë, përsëri nuk është e mjaftueshme. Ende mungojnë shkrimet dhe ekspozitat se çfarë kontributi kanë dhënë shqiptarët përgjatë shekujve. Mendoj se në këtë drejtim duhet të punohet më shumë nga akademikët, profesorët, hoxhallarët, kori diplomatik dhe t’u tregojmë zviceranëve se shqiptarët janë një popull vërtet bujar dhe populli më i vjetër në Europë./tesheshi.com/