Roger Federer si rasti “i çuditshëm” Benxhamin. Me kalimin e viteve, “rinohet” në lojë dhe thuajse 36 vjeç, fiton një tjetër turne madhështor si Wimbledon, madje pa humbur asnjë set.
Kundërshtari i tij, kroati Marian Ciliç, nuk ka mundur t’i përgjigjet goditjeve të “mprehta” të zviceranit, duke u dorëzuar në një 3 me 0, pa kushte.
Për të 8-tën herë Federer fiton turneun britanik të barit, duke shfaqur një formë fizike të shkëlqyer. Askush si ai nuk e ka ngritur më shumë kupën e atij turneu, madje edhe ai vetë është çuditur me veten.
Gati në lot, Mbreti Roger u shpreh pas fitores se ndihet ende i vlefshëm për këtë sport, të cilin e dashuron aq shumë.
Megjithatë, kur është pyetur nëse mendon të tërhiqet nga sporti, zvicerani është përgjigjur se nuk “e ka të mundur”.
Në fakt tërheqjen e tij e presin me interes edhe rivalët, të vjetrit e të rinjtë, sepse për sa kohë është Federer, ata kanë shanse të limituara për të fituar. /tesheshi.com/