Një ditë më parë rrëfeu historinë e tij prekëse, kur nga lojtar që luante me Arsenalin, u katandis në të papunë që flinte përtokë, por deklarata e tij ka rënë në vesh të duhur.
35-vjeçari Emmanuel Eboue, divorci i të cilit me bashkëshorten angleze e la në mes të rrugës, tashmë do të ketë një punë të nderuar. Klubi i Gallatasarajt ku ish-mbrojtësi nga Bregu i Fildishtë ka luajtur në vitet e fundit të karrierës, e konkretisht trajneri i rikthyer në detyrë, Fatih Terim, e kanë rikthyer Eboue në klub si trajner të ekipit të 14-vjeçarëve. “Më vjen të qaj nga ky veprim aq njerëzor. Terim ka qenë si baba për mua kur luaja në Turqi, e sot po e tregon sa njeri i madh është. Nuk kam fjalë. E dua shumë Fatih Terim, është njeri i madh. Faleminderit Gallatasaraj” – është shprehur Ebuoe, i prekur nga vendimi i klubit turk.
Një prej mbrojtësve të djathtë më të mirë në botë para afro 10 vjetëve, sot 35-vjecari ka sërish shansin të ketë një punë dinjitoze, dhe një jetë dinjitoze po ashtu. Falë zemrës së madhe që ofron Stambolli. /tesheshi.com/