Po bëhen 4 vite që kur katër shqiptarë të akuzuar për vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës në Shkup, ndryshe e emëruar nga prokuroria publike e Maqedonisë si rasti “Monstra”, po vuajnë burgun e përjetshëm. Ajo çka e bën më të dhimbshme vuajtjen e burgut të pafajshëm nga shqiptarët, sipas njërit ndër familjarët e tyre, Bedri Hajdari (vëllau i Fejzi Hazirit, axha i Haki Hazirit dhe daja i Halil Demirit) është fakti se këto janë dënuar në kohën kur me Ministrinë e Drejtësisë udhëheq ministër shqiptarë, dhe kjo është e pafalshme. Ai shtoi se të burgosurit kanë besim në Zot dhe e mbajnë veten duke shpresuar se drejtësia ndonjë ditë do të del në shesh, mirëpo e ka të vështirë se si t’ua shpjegoj fëmijëve pse prindërit e tyre nuk kthehen në shtëpi, tashmë katër vite?!
Intervistoi: Mensur Krasniqi
Para dy muajve Gjykata e Apelit ka konfirmuar dënimet e përjetshme për gjashtë të akuzuarit në rastin Monstra. Si e pranuat këtë lajm ju si familjarë?
Konfirmimi i dënimit të përjetshëm për gjashtë të akuzuarit në rastin Monstra, në familjen tonë u prit me një mllef të madh, me ironi dhe herë herë me një buzëqeshje. Situatë e dalë nga idhëtina e truri e cila sikur don të thoshte “error”, kjo nuk shkon kështu, për atë shkak se edhe një herë dështoi Drejtësia, ajo e cila në Maqedoni e dinim ne dhe shumë faktorë tjerë se nuk egziston. Duke pasur parasysh vendimin e Gjykatës Themelore I të Shkupit, tensionet e krijuara pas atij vendimi të shëmtuar dhe kundërshtimin tonë se këto të akuzuar po mbahen në burg të pafajshëm, për ta mbuluar fëlliqësirën e dikujt tjetër, menduam se këtu u bë një gabim dhe ky gabim do të përmirësohet në gjykatën e Apelit, gjë që nuk ndodhi, për arsye se nëpër këto institucione më veq ishin zhytur thellë në krim dhe kishin pranuar që të bashkëpunojnë me porositësit e tyre që të sjellin dënime drakonike pa u bazuar në argumente dhe në ligjet aktuale që vlejnë në vend. Kjo ishte aq më tepër tragjike kur më veq kishin dalë përgjimet nga të ashtuquajturat: “bombat e Zaevit”, nga të cilat diheshte se këta të akuzuar janë të pafajshëm, por që i ka zënë belaja me një “pis milet” që shtireshin si sherr budalla me parimin nëse kalon kalon ose së paku blerjen e kohës që eventualisht pas zgjedhjeve këtë brenge t’ua hudhin tjetër kujt, pra të akuzojnë dikë tjetër në vend të familjarëve tanë.
Nga ana tjetër edhe prokurorja speciale Katica Janeva ka konfirmuar marrjen në shqyrtim të rastit “Monstra”. Shpresoni që kjo prokurore mund ta ndryshon tërësisht epilogun përfundimtar të “Monstrës”?
Epilogun e këtij rasti makabër nuk do ta ndryshon as prokurorja speciale znj.Katica Janeva as askush, por këtë duhet ta bëj drejtësia. Kushdo që i qaset ketij parimi lehtë mund ta ndryshojë epilogun e këtij rasti. Mjafton të hulumtoj pak ashtu siq ishte përshkruar në një tekst tek Gazeta Epoka Shqiptare dhe do të vij në perfundim se cili duhet të arrestohet.
Dhe që ministri i Drejtësisë është shqiptar, nënkupton kjo ndonjë garancë për objektivitetin, profesionalizmin dhe drejtshmërinë e procesit të mëtutjeshëm?
Dikasteri i Ministrisë së Drejtësisë me ministër shqiptar, sipas meje nuk nënkupton asnjë lloj garance për objektivitetin, profesionalizmin dhe drejtshmërinë e procesit nga dy aspekte: nën një meqë në mandatin e dy ministrave shqiptar u sollën këto vendime dhe nën dy me aq sa unë jam i njoftuar se gjyqësori nuk është nën ingerencat e Ministrisë së Drejtësisë por se gjykatat kanë shefat e tyre politik. Pra shembull prokurorja ka qenë ajo e cila është dashur të jap llogari të detajuar dhe ta njoftoj hollësisht ministrin shqiptar e ky pastaj të jep verdiktin e tij se a është mirë që resori që përfaqëson ai të lejoj të dënohen 6 persona të pafajshëm me burg të përjetshëm, mirëpo këtë ministër askush nuk e ka përfill. Pas kësaj mundësia e ministrit ndoshta nuk ka qenë e madhe, por të paktën ka mundur të distancohet nga këto vendime fashiste me një dorëheqje të thjeshtë dhe me një rezyme shumë të shkurtë – “ne nuk jemi pjesë e kësaj loje dhe nuk do të marrim pjesë në krim të organizuar! Nëse nuk e kanë patur synim pasurimin, pa buk nuk do të ngeleshin dhe do të ishin heronjë të popullit.
Pastaj kishim paralajmërimet e kryetarit të LSDM-së, Zoran Zaev se do të publikojë bombën në përgjimet lidhur me rastin Monstra, gjë që nuk ndodhi. Sigurisht që kjo te ju ka nxit kurreshtje dhe dëshpërim. Keni pasur mundësi ta takoni personalisht Zaevin?
Paralajmërimet e kryetarit të LSDM-së Zoran Zaev, se do t’i publikojë përgjimet lidhur me këtë rast kishin ngjallur jo vetëm kurreshtje por do të thosha edhe një lloj shprese se përfundimisht do të zbulohet e vërteta dhe se në këtë rast do të përfundoj ankthi mbi familjet tona. Por kjo nuk ndodhi me pretekstin se, siç na tha njëherë Zaevi në Çarshi të Shkupit, citoj: “kur të kuptohet e vërteta se njerëzit që janë ne burg janë të pafajshëm dhe se nga ana tjetër nga pala maqedone e cila do të kërkonte llogari nga pushteti se kush janë pra përgjegjësit e vërtetë?!, do të ishte bë një rrëmujë e madhe sa që në atë rast do të uleshin të dyja palët, edhe maqedonasit edhe shqiptarët drejt objektit të Qeverisë për të kërkuar llogari e ku si pasojë do të kishte gjakderdhje!” ky ka qenë justifikimi i tij për mos publikimin e materialeve dhe se në një situatë më të volitshme të gjitha përgjimet do t’ia dorëzoj prokurores speciale! Ky vlerësim i tij për mua dhe familjet tona nuk ishte i favorshëm dhe as i drejtë pasi që nuk dihet sa do zgjasë procesi i hetimit të Monstrës nga prokurorja speciale, ndërsa familjarët tanë vazhdojnë të flenë në burg të pafajshëm.
Në pamundësi për të bërë diçka më tepër, ne si individ dhe si familjarë më do e mos po duhet të perballemi me një shtet ku institucionet e saja janë të korruptuara dhe të kriminalizuara. Pra nuk kemi mbështetje institucionale nga ato që na përfaqësojnë.
Avokati mbrojtës i disa nga të akuzuarve për rastin Monstra, Naser Raufi shpesh herë ka deklaruar që disponon me materiale të forta që mund të shërbejnë si dëshmi kyçe për zbardhjen e rastit, gjegjësisht dëshmimin e pafajësisë së akuzuarve. Ç’ mendoni, avokat Naseri a i ka shterur të gjitha provat, ose do bëj goditjen e fundit në gjykatën supreme?
Avokati mbrojtës i të akuzuarve në këtë rast z.Naser Raufi, disponon me materiale të forta që mund të shërbejnë si dëshmi kyçe për zbardhjen e rastit po për kënd?, për një gjykatë të korruptuar?, që nuk merr asgjë parasysh as një provë përveq instrukcioneve nga eprorët e tyre. Ka ofru Alibi, ka ofru materiale me videoinçizim, fotografi, dëshmitarë të shumtë që vet janë paraqitur për dëshmitar dhe nuk janë përfillur asnjë nga këto argumente, përse?, ngase gjykatësit kanë pas urdhërat se si të sillen! Në një gjykatë të ndershme, nuk duhet pala mbrojtëse të ofroj dëshmi për pafajësinë e të akuzuarve, por është prokuroria ajo e cila me përpikshmëri do të duhej ta argumentoj fajësinë e veç më të dënuarve. Prokuroria qëllimisht ka ndryshu përkthimet nga gjuha shqipe në maqedonisht, e ka ndryshu kontekstin e fjalive që janë thënë gjatë seancave të mbajtura në gjykatë, të cilat dalin nga procesverbalet etj. Avokatët mbrojtës nuk mund të kacafyten me gjykatësit në gjygj për të deshmu pafajësinë e klientëve të tyre, por kjo ka të bëj me nivelin e ulët të gjykatave dhe gjykatësve marionetë apo të vënë në hipotekë të dikujt tjetër e që nuk janë në shërbim të ligjit dhe të së drejtës. Në Gjykatën Supreme është bë ankesa, por çfarë të presësh nga kryetarja e gjykatës supreme ku vetë gjykatësit nuk i’a votojnë Këshillin gjyqësor duke pasur parasysh manipulimet e më hershme të saj. Në këtë rast duhet pritur kohën kur ndonjë herë në Maqedoni të reformohet dhe të pastrohet gjyqësori nga të korruptuarit dhe të kriminalizuarit!
Na thuani nëse vizitoni familjarët e burgosur? Çfarë thonë ata, ankohen për ndonjë gjë?
Po, i vizitojmë rregullisht, sipas rregullave të përcaktuara nga organet e burgut, në çdo dy javë. Kam lexuar për një burg të kategorisë së lartë të kushteve që krahasohet me 5 yje, por edhe ai e ka emrin burg. Sido që të jenë kushtet, nuk mbahet burgu duke e ditur se je i pafajshëm. Të gjithë janë të fuqishëm me moral, nuk kanë mund t’i shkatërrojnë edhe pas shumë torturave që u janë bërë atyre dhe neve si familjarë. Ata të gjitha i dinë. Vuajtjet e veta, të tonat, e kanë marrë mesazhin e popullit se janë perkrah tyre. Janë të rritur dhe të mbështetur tek Zoti, kjo i mban të fuqishëm. Edhe ne si familje e dimë ngjarjen dhe zhvillimet se si kemi ardhur deri këtu. Pra kemi vuajtur shumë, aq më tepër duke pasur parasysh faktin dhe dhimbjen e fëmijëve, të grave dhe të pleqve që në zemër dhe durim janë më të dobët. Kemi kaluar festa, ditëlindje dhe ceremoni të ndryshme, gazmore dhe mortore pa prezencën e tyre, por më e rënda ka qenë se si t’ua shpjegojmë fëmijëve të vegjël se përse prindërit e tyre nuk kthehen në shtëpi. Me asnjë send nuk shpaguhet kjo. Deri në këto momente na ka mbajtur gjallë kurajoja e popullit që nuk na la të vetmuar në përballjen me ato të cilët e kishin planifikuar e që deshtën të na i mveshin këtë vepër me një etiketim që nuk e meriton as emri t’i përmendet duke u kujdesur edhe për vet emërtimin e rastit, pra me Monstrum…./tesheshi.com/