Një rrëfim i Elidës, mbesës së Mefail Biçakut…
Nga Bardha Nergjoni
Artikuj nga media të rëndësishme në botë dhe faqe në mbrojtje të hebrenjve kanë shkruar mjaft për familjet shqiptare që shpëtuan hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Veçanërisht një familje mbajti flamurin e paqes dhe sidomos të besës dhe merret si shembull për faktin se mbajti më shumë syresh nga të gjithë. Bëhet fjalë për familjen Biçaku nga Qarrishta e Librazhdit që ushqeu e mbrojti 26 hebrenj. Një njeri i besës si Mefail Biçaku nuk do t’ja falte vetes nëse ndokush nga mysafirët do të pësonte diçka. Ai bashkë me djemtë i përcolli deri në Strugë në vend të sigurtë dhe u kthye në vendin e tij, Qarrishtën, i lehtësuar pas dy vjet e gjysëm kujdesi për ta.
Përgjatë Holokaustit Shqipëria ishte i vetmi vend në Europë që mbrojti dhe strehoi të gjithë hebrenjtë që hynë në territorin e saj. Mefail dhe Njazi Biçaku janë njohur nga shteti i Izraelit dhe nga Yad Vashem u përzgjodhën për të marrë vlerësimin më të lartë, “Të drejtë midis popujve”.
U deshën më shumë se 50 vjet që ky akt i kësaj familjeje të njihej dhe vlerësohej. Sistemi komunist e zbehu komunikimin dhe pavarësisht kontakteve, dhe kjo lidhje nuk vazhdoi gjatë. Ajo që bie në sy në shumë tituj gazetash ndërkombëtare, është fakti se bëhet fjalë pikërisht për një familje myslimane ajo që strehoi dhe shpëtoi më shumë hebrenj në Shqipërinë e asaj kohe.
Elida, mbesa e familjes Biçaku, tregon se gjyshi bashkë me babain e saj i dhanë besën “jehudëve” dhe i mbajtën, madje edhe duke rrezikuar vetë jetën e tyre. E në fakt askush prej tyre nuk ra në duart e nazistëve dhe nëpërmjet shumë familjeve të tjera, Shqipëria shpëtoi 2 mijë hebrenj. Elida thotë se gjyshi e respektonte mjaft besimin e tij mysliman dhe vetë hebrenjtë u bënë pjesë e traditës dhe riteve duke mësuar edhe shqip.
Në shumë shkrime të huaja theksohet se shumica e shqiptarëve që shpëtuan hebrenj ishin myslimanë. A ju ka bërë përshtypje kjo?
Në fakt, gjithmonë na thoshin në takime në Amerikë e Izrael “myslimanë”. Gjyshi ishte mysliman. Besonte në Zot e nuk urrente asnjë fe tjetër. Ai i quante “jahudi me fenë e tyre” por nuk i paragjykonte. Sipas tij, ata që janë në vështirësi duhen ndihmuar pavarësisht fesë që kanë. Gjyshi nuk i pyeti se çfare feje kishin por i ndihmoi, i mbrojti, i ushqeu dhe më pas i përcolli siç përcillen miqtë.
Elida, çfarë kujtoni nga gjyshi dhe babai për strehimin e 26 hebrenjve nga familja juaj?
Në kohën kur ra në kontakt me jehudët, gjyshi im ishte duke bërë pazaret në Tiranë. I afrohen disa persona dhe i thonë që t’i ndihmonte pasi po i ndiqnin gjermanët. I tha se banonte shumë larg. Ata i kërkuan t’i strehojë me patjetër. I merr gjyshi dhe nisen për në Qarrishtë. Ata i thonë se kishin njerëz të tjerë në Shkodër e në Strugë. Gjithsej u bënë 26 hebrenj. Për një kohë të gjatë ata u strehuan në dhomat e shtëpisë së Biçakajve, flinin bashkë në ato pak dhoma, hanin ç’kishin siç ishte buka e misrit, gjizë dhe pastërma ose mish të tharë me shumicë, tepër i njohur në Qarrishtë edhe sot. Gjyshit, një herë, dikush nga miqtë e fshatit fqinj i kishte çuar sinjal se do t’i spiunonin tek gjermanët, por miqtë ishin në besë. Zakoni, tradita e mikpritja e ka mikun të shenjtë dhe ata nuk mund të dorëzoheshin në çfarëdo rrethane që të ishin. Rreth 3 km larg fshatit, mes pyjeve shekullore, sot e njohur si “Fusha e Çifutëve” gjyshi bashkë me djemtë ngritën një kasolle, e rregulluan mirë, duke strehuar atje dhe çifutët. Por nuk i lanë vetëm aty. Me ta rrinin dhe një pjesë e njerëzve të shtëpisë, veçanërisht dy djemtë e gjyshit dhe vëllai i tij më i vogël, që bënin dhe rolin e rojes. Për çdo të papritur, ata mund të lëviznin dhe të evitonin futjen e hebrejve në kurth.
Hebrenjtë nuk pranonin të rrinin pa punuar, megjithëse miku sado gjatë të jetë mysafir, në bazë të kodit zakonor nuk duhet kurrsesi të punojë. Megjithëse kundërshtoheshin, të rriturit, veçanërisht Rafaeli, Majo, Simoni punonin me djemtë e Mefailit, bënin drutë e zjarrit, çonim bagëtitë në kullotë (në dimër për të pirë ujë) e ndonjë punë të shtëpisë. Ata ishin me profesione shumë të mira. Ishin mjekë, stomatologë, inxhinierë, etj.
A ishte e vështirë për Mefailin të mbante me ushqim në atë kohë edhe 26 frymë të tjera?
Për gjyshin tim nuk ishte e vështirë pasi ai kishte shumë bagëti në atë kohë. Ushqimet shkonte i blente në Strugë me kafshë. Gjyshi i thoshte jahudi dhe jo hebrenj. Ushqimin e gatuante gjyshja. Gjyshi tregon se nuk i lejoi që ata të shpenzojnë edhe pse kishin pak para me vete.
Vështirësi pati edhe kur u larguan nga Qarrishta?
Kur gjyshi dëgjoi se gjermanët po largoheshin, i tha që mund të lëviznin nëse donin. Ka qenë dimri i vitit 1944 dhe me sa kemi dëgjuar nga gjyshi e babai, ishte i ashpër e me shumë borë. Në rrugën për në Strugë, hebrenjtë ndeshën acarin e dëborës dhe një prej grave ishte e moshuar. Babai im, Njaziu, që i shoqëronte edhe me armë e mbajti në shpinë të moshuarën derisa mbërriti në një vend të ngrohtë. Kështu arritën të shpëtojnë shëndoshë e mirë të 26-të hebrenjtë.
Familja Biçaku nuk pati më kontakte me të shpëtuarit?
Në kohën e monizmit na vjen një letër nga Buenos Aries. Ishte një prej personave që gjyshi mbajti në shtëpi. Ai na shkruante se donte të lidhte korrespondencë dhe po ashtu na pyeste se për çfarë kishim nevojë. Ishim në vështirësi dhe kishim nevojë për shumë gjëra, por për shkak të frikës që ekzistonte ne i kthyem përgjigje se ishim shumë mirë dhe se nuk kishim nevojë për asgjë. Nuk dimë në mbërriti ajo letër atje, por pas asaj deri në vitet 90-të nuk patëm asnjë korespondencë. Nga këto letra patëm edhe përndjekje. Pasojat i pati gjyshi dhe babai pasi provuan hetuesinë për shumë kohë.
Çfarë ndodhi pas ndryshimeve demokratike?
Qemali, vëllai im ishte i pari që u nis drejt Izraelit me interesimin e kirurgut të njohur izraelit Faraagi, duke shkuar në Haifa. Gjatë vizitës Qemali pa atje një tigan, një ibrik çaji dhe një palë çorape që qëndronin në studion e kirurgut të njohur të cilat ai i kishte kujtim nga Biçakët e Qarrishtës.
Më pas vijnë vlerësimet nga Izraeli për veprën e gjyshit dhe të babait. Në shtator të vitit 1996, në Pallatin e Kulturës të qytetit të Librazhdit Ministria e Jashtme, shoqata Miqësi-Shqipëri dhe ambasada izraelite në Romë, zhvilluan një ceremoni të veçantë ku u dekorua familja Biçaku e cila strehoi gjatë luftës 26 hebrenj. Mirënjohjet dhe dekoratat janë të shumta si në Yad Vashem, në Senatin Amerikan ashtu edhe nga presidenti shqiptar Bujar Nishani.
E në fakt, Qarrishta është kthyer si vend pelegrinazhi për izraelitët që vijnë në Shqipëri…
Është e vërtetë. Herë pas here izraelitë që vijnë në Shqipëri, ambasadorë dhe njerëz me origjinë hebre udhëtojnë drejt Qarrishtës. Ambasadori izraelit i mëparshëm kishte shumë dëshirë të ndiqte të njëjtën rrugë që ndoqën hebrenjtë. Madje shkoi deri në stan edhe pse rruga ishte e vështirë. Në atë kohë vendos një gur përkujtimi në këtë zonë. Një herë, një grup izraelitësh vijnë në Shqipëri e kërkojnë të takojnë babain. Ai kishte pak ditë që kishte ndërruar jetë, por ne na bëhet qejfi që gjithmonë ata e kujtojnë veprën e mirë që gjyshi dhe babai im bënë dhe që janë shembull i mirë duke marrë vlerësimin “Të drejtë midis popujve”. /tesheshi.com/