Kryesuesi i kampionatit botëror të Formula 1-shit do të vijojë të qëndrojë te skuadra Mercedes dhe për dy vite të tjera.
Me kontratën e tij të re, gjermani Nico Rosberg do të pilotojë një makinë Mercedes gjer në fund të sezonit të 2018-tës. Çka do të thotë se ai do ta ketë vazhdimisht në krah dhe rivalin e tij kryesor, britanikun Lewis Hamilton, kontrata e të cilit parashikon qëndrimin e tij në skuadër deri në të njëjtin cak kohor.
Rosberg për të tretin vit radhazi po përpiqet të shpallet kampion në garat e F1-shit, diçka që nuk e ka bërë më parë.
Ai iu bashkua Mercedes-it në fund të vitit 2009, dhe ka pilotuar në më shumë se 100 gara me njëvendëshen e tij në këtë skuadër.
Gjermani e kryeson aktualisht kampionatin me një pikë më tepër se Hamilton. Në dhjetë garat e para të këtij sezoni, pesë janë fituar nga Rosberg, e katër nga Hamilton-i. E njëmbëdhjeta garë sezonale do të zhvillohet këtë të dielë, e është pikërisht në Hungari, në një pistë tradicionale të F1-shit. /tesheshi.com/