Nga Nada Dosti
“Brixhida Style”, një nisëm nga Brixhida Muça, organizoi për të tretin vitin aktivitetin “Sfilata e Bamirësisë”
U organizua ky event javë më parë në ambientet e Plaza Hotel, pikërisht në javën e dedikuar gruas dhe ndërgjegjësimit mbi sfidat që has në shoqëri. Sfilata mundësoi prezantimin e disa veshjeve prej dyqaneve me veshje muslimane dhe sfiluese vullnetare.
Fondet e mbledhura, ashtu si dhe më parë, shkuan për fëmijët me tumor në Spitalin “Nënë Tereza” Tiranë.
Hotel Plaza (Maritim), Light and Sound, Screen AD, LM Production, Frida_Xhei_Xhoi qenë ndër kontribuesit kryesor të aktivitetit të cilët ndihmuan në dhënien e ambientit në logjistikë, si dhe stilistet të cila morën pjesë me punimet e tyre: Rozav Koni dress, Belisa butik, Style creative Hanife, Saad, Hijab Throne, Elona Atelie, Elif Colection, Evadiola Doko(hand made), Bel Eve, Al Muzain
Me një hapje solemne, ku vogëlushja Xhenna Masha, vajza e Brixhidës, sfiloi duke mbajtur në duar simbolin e tumorit tek fëmijët, nisi kështu sfilata e shumë pritur.
Brixhida tregon se pjesëmarrja dhe kontributi për sfilatën në fjalë ka ardhur duke u shtuar vit pas viti. Evenimenti i parë ka nisur me një mbështetje modeste duke u rritur nga pak deri më sot, duke u shndërruar në një aktivitet me prakrje të konsiderueshme.
Brixhida, besoj se të gjithë janë kuriozë të dijnë si lindi ideja për “Sfilatën e Bamirësisë” …
Para disa vitesh, kur jetonim në Egjipt, kam pasur mundësinë që tim bir, i cili prej 10 vjetësh merr trajtim për tumor në kokë, ta dërgoj në një nga spitalet më të mira të Lindes së Mesme. Ideja dhe motivimi më erdhi kur pasi kisha parë kushtet atje dhe i krahasova me kushtet e spitalit këtu në Shqipëri, u ndjeva aq keq dhe m’u dhimbsën aq shumë ata fëmija sa thashë: “Përderisa askush nuk po bën gjë që këto kushte të përmisohen sado pak, këtyre fëmijëve t’ju sillet sado pak buzëqeshje dhe t’ju lehtësohet dhimbja, atëherë do të bëj unë diçka, sado e vogël qoftë.Shpeshherë nënat e fëmijëve që marrin trajtim aty ankohen se nuk kemi asgjë në dorë, nuk kemi çfarë të bërë për ta përmisuar gjendjen. Në fakt ne kemi, e kemi ne në dorë që t’i lumtuojmë këta fëmijë për sa do kohë që do qëndrojnë aty dhe për sa do kohë që Zoti iu ka shkruar të jetojnë”.
Si zhvillohet ky aktivitet në tërësi, cilat janë karakteristikat dhe nëse dëshiron të ndash me ne më shumë detaje?
Në sfilatë marrin pjesë stiliste, sipërmarrëse në fushën e modest fashion por edhe përfaqësuese të ndonjë butiku për veshje muslimane. Nënat e fëmijëve të sëmurë marrin pjesë edhe si spektatore por edhe si vetë sfiluese të veshjeve duke sjellur mesazhin se si vështirësitë në jetë duhet të përballohen me forcë dhe dinjitet.
Fondi grumbullohet në dy forma: së pari një përqendje e papërcaktuar prej veshjeve në shitje shkon për bamirësi dhe së dyti jashtë sfilatës vendoset një kuti ku gjithësecila mund të japë kontributin brenda mundësive.
Ndryshe nga aktivitet e tjera, për realizimin e kësaj sfilate nuk marr fond, porse e gjitha organizohet falë një mbështetje nga kontribues të ndryshëm.
Cila është e veçanta e këtij aktiviteti bamirësie, çfarë e dallon nga nismat e tjera të kësaj natyre?
Bëhet fjalë për një aktivitet unik, pasi nuk ka ndonjë organizim të ngjashëm, pra që të sfilohen veshje për femra muslimane apo veshje të modës modeste. Një aktivitet që mbledh emra të spikatur të këtij sektori, por jo vetëm, nën një moto të vetme dhe në një qëllim fisnik në përputhje më parimet hyjnore që është “të dhënurit” si një nga principet kryesore islame.
Falenderime pa fund për të gjithë kontribuesit që me zemrën e tyre bujare e bën të mundur që kjo nisëm të realizojë qëllimin e e saj. Dua të veçoj këtu dy mikeshat e mia përfaqsueset e qendrës kulturore Almuzaini, Ermira Muça dhe Blerta Balliu, një mbështetje e jashtëzakonshme prej momentit parë deri në fund në çdo hap duke u përpjekur që çdo gjë të shkojë sa më mirë.
Zoti na bashkoftë gjithmonë në punë të mira!
E veçanta e këtij edicioni të tretë ishte pjesëmarrja e stilistëve dhe vajzave jo praktikante të fesë islame, modele të huaja por edhe shqiptare më përkatësi fetare të krishterë të cilat patën shumë dëshirë të marrin pjesë për të qenë pjesë e këtij misioni që synonte edhe krijimin e urave të bashkëpunimit, për të zhdukur ndasitë, etiketimet dhe stereotipet në emër të diversitetit.
“Gjithkush vishet si e ndjen veten më rehat. Respekt për gjithë ato femra që mirësinë, dashurinë, lirinë dhe lavdinë, e kanë në zemër dhe në vepra, e jo në veshje!”, u shpreh Roza Koni, një nga stilistet pjesmarrëse në këtë aktivitet.
Ndërsa Vojsava, një aktiviste nga Durrësi, e cila pranoi të sfilojë disa nga veshjet e sfilatës, thotë se ka lënë çdo angazhim tjetër për t’iu përgjigjur ftesës vetëm e vetëm për të qenë krah iniciatores si mbështetje me kohën dhe angazhimin e saj.
“Arsyeja kryesore që mora pjesë tek ky aktivitet, pa u menduar dy herë, mbi të gjitha për shkak të misionit që ky aktivitet mbart në vetëvetë”, u shpreh ajo. /tesheshi.com/