Fenerbahçe është skuadra e dytë finaliste e Euroleague-s. Në gjysmëfinalen ndaj Realit të Madridit, turqit kanë fituar 84-75, duke shkuar për të dytin sezon radhazi në finale.
Një gjysmëfinale e përsëritur pas asaj të 2015-s, kur fitonte 96-87 Reali i Madridit. Një hakmarrje e Fenerbahçes për atë humbje.
Nën mbështetjen e pandalur të tifozëve turq, Fenerbahçe ka kryesuar vazhdimisht në “Sinan Erdem”. Vetëm dhjetëminutëshi i fundit ka qenë në humbje për të, me tre dhjetëminutëshat e tjerë të fituar.
Ekpe Udoh ka shkëlqyer për vendasit, si me 18 pikët e shënuar, ashtu dhe me lojën mbrojtëse nën tabelë.
Madrilenët i kanë mbajtur në lojë koshat e Sergio Llull-it dhe Carroll-it, që kanë shënuar përkatësisht 28 dhe 21 pikë.
Fenerbahçe do të ndeshet në finale me Olimpiakosin; një ndeshje që do të luhet të dielën në mbrëmje në të njëjtin pallat sporti. /tesheshi.com/