Uashingtoni ka hedhur poshtë pretendimet e gazetarit kosovar Vudi Xhymshiti, i cili pretendon se Zv.Ndihmës Sekretari Gabriel Escobar, njëherësh i dërguari amerikan për Ballkanin, është shkarkuar nga posti i tij për shkak të lidhjeve me qeverinë serbe.
Një zëdhënës i Departamentit Amerikan i Shtetit ka konfirmuar për Euroneës Albania se Escobar nuk është shkarkuar nga detyra, por do të ketë një detyrë tjetër diplomatike, ashtu si ndodh me të gjithë zyrtarët e karrierës. Pra, vërtet nuk është shkarkuar, por nuk do jetë më i dërguar.
“Zv. Ndihmës Sekretari Gabriel Escobar nuk është shkarkuar nga posti i tij. Të gjithë zyrtarët e karrierës të Shërbimit të Jashtëm marrin detyra me rotacion çdo një deri në katër vjet si pjesë e një praktike të rregullt. Si zyrtar i Shërbimit të Huaj, Zv. Ndihmës Sekretari Escobar ka shërbyer në rolin e tij të tanishëm për tre vite dhe ka ardhur koha për kalimin në detyrën e radhës në javët e ardhshme. Deri në transferimin e planifikuar, ai vazhdon të luajë rolin e Zv. Ndihmës Sekretarit dhe i Dërguar i Posaçëm në zyrën e çështjeve të Euro-Azisë dhe si i dërguar i posaçëm për çështje të Ballkanit Perëndimor”.
Gjithashtu, konsiderohen të pavërteta edhe pretendimet Xhymshitit se familjarët e të dërguarit amerikan për Ballkanin Perëndimor kanë marrë fonde nga Serbia.
“….Bashkëshortja e Zv. Ndihmës Sekretarit të Escobar nuk ka marrë kurrë fonde nga Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë. Po ashtu, Zv. Ndihmës Sekretari Escobar nuk ka asnjë lidhje familjare me partnerin e pretenduar në firmën ligjore të Teksasit McGinnis Lochridge LLP”, thuhet në reagimin e DASH. /tesheshi.com/