Në një fshat në Ugandë të quajtur Kabimbiri jeton një grua me nofkën Nalongo Muzaala Bana. Emri i saj i vërtetë është Mariam Nabatanzi dhe Nalongo Muzaala Bana është pseudonimi që ia kanë vënë vendasit sepse është shumë pjellore.
Përkatësisht, Mariam është 42 vjeç dhe ka 38 fëmijë: gjashtë palë binjake, katër trenjakë, tre katërnjakë. Janë dhjetë vajza dhe 28 djem. Më i madhi është 27 vjeç, ndërsa më i vogli katër vjeç.
Mariam u martua në moshën 12-vjeçare, menjëherë pasi i shpëtoi vdekjes për pak. Njerka e saj ishte mizore me Mariam dhe vëllezërit e motrat e saj dhe në një rast u hodhi helm në ushqimin e tyre me qëllim që t’i vriste. Nga të gjithë fëmijët, vetëm Mariam mbijetoi, ndërsa pjesa tjetër vdiq.
Ajo u martua në vitin 1993, me një burrë që ishte atëherë 40 vjeç.
“As që e dija që do të martohesha. Njerëzit filluan të vinin befas tek ne dhe të sillnin dhurata”, thotë Mariam.
Natyrisht, vajza e kishte të vështirë të lundronte në rolin e saj të ri si grua.
“Burri im kishte disa gra dhe shumë fëmijë nga martesat e mëparshme. Unë duhej të kujdesesha për të gjithë ata fëmijë sepse nënat e tyre nuk ishin aty. Ai ishte i dhunshëm dhe shpesh më rrihte,” kujton ajo.
Vjehrri i Mariamit u dha atyre një copë tokë dhe kështu ata ndërtuan shtëpinë e tyre dhe planifikuan një familje. Ata planifikuan gjashtë fëmijë.
Kështu në vitin 1994, kur ishte 13 vjeç, Mariam lindi binjakë. Dy vjet më vonë, ajo lindi trenjakë dhe një vit më vonë katërnjakë. Ajo nuk u befasua sepse kjo ishte situata në shtëpinë e saj.
“Babai im kishte 45 fëmijë me gra të ndryshme dhe shumë prej tyre ishin binjakë, trenjakë apo katërnjakë”, thotë ajo.
Në të vërtetë, gjinekologu Charles Kigundu thotë se Mariam ka një predispozitë gjenetike për hiperovulim, që do të thotë se ajo mund të prodhojë më shumë vezë në një cikël.
Pas lindjes së gjashtë, Mariam kishte 18 fëmijë dhe donte të ndalonte, kështu që shkoi te një gjinekolog. Aty i thanë se nuk mund ta ndalonte lindjen sepse ndryshe do t’i vriste.
“Të gjitha ato qeliza vezë të pafertilizuara që prodhohen vetë përfaqësojnë një kërcënim jo vetëm për sistemin riprodhues, por edhe për jetën e gruas”, pohon Dr. Ahmed Kikomeko.
“Më këshilluan të vazhdoja të lindja, sepse përndryshe do të vdisja. Përpiqesha të përdorja një pajisje intrauterine për kontracepsion, por kjo më bënte të sëmurë me të vjella. Madje për këtë rashë në koma për një muaj“, thotë Mariam, e cila kishte 25 fëmijë në moshën 23-vjeçare.
Ajo përsëri u përpoq të gjente një mënyrë për të ndaluar shtatzënitë në spital, por dëgjoi sërish të njëjtën gjë.
“Vetëm djalin tim të fundit e linda në spital, me prerje cezariane. Duhej sepse isha shumë e dobët nga përpjekjet për të përdorur kontracepsionin. I kërkova mjekut të bënte diçka sepse nuk mund të lind më dhe ai më tha se ma ka “prerë mitrën nga brenda” .
Dr. Kigundu thotë se Mariam ndoshta përfundoi me një lidhje tubale, që do të thotë se tubat e saj fallopiane ishin bllokuar.
Dhe, në 25 vjet martesë, Mariam përjetoi vetëm poshtërim dhe torturë.
“Shpesh është i dehur, më rreh gjatë gjithë kohës. Nuk kujdeset për familjen dhe nuk kemi as gjërat më elementare. Fëmijët mezi e dinë se kush është babai i tyre, ai nuk është kurrë atje. Thjesht telefonon dhe dikton emrin për fëmijën tjetër”, thotë kjo grua, ndërsa djali i saj i madh, Charles Musisi, 27 vjeç, konfirmon se është rritur vetëm me nënën e tij.
“Mund të konfirmoj se vëllezërit dhe motrat e mia më të vogla nuk e dinë se si duket babai ynë. Hera e fundit që e kam parë ishte kur isha 13 vjeç dhe vetëm për një natë”, thotë i riu.
Mariam thotë se ka kohë që jeton kështu. Burri i saj, thotë ajo, futet fshehurazi në shtëpi në orët e vona të natës pa paralajmërim pas disa muajsh mungesë dhe largohet herët në mëngjes.
“Unë i vuaj këto poshtërime sepse tezja më tha që duhet të qëndroj e martuar sido që të ndodhë dhe vetëm të kujdesem për fëmijët. Ajo gjithashtu më tha që nuk duhet të kem fëmijë me një burrë tjetër ose të rimartohem”, shpjegon kjo grua që mezi ia del mbanë.
“Unë blej gjithçka nga xhepi im. Çdo ditë kam nevojë për 10 kilogramë miell, 4 kg sheqer dhe tre sapunë. Zoti është i mirë dhe i madh sepse nuk ka pasur ditë që fëmijët e mi të mos kenë të paktën një vakt”, thotë ajo, pasi fiton para duke shitur barëra medicinale dhe përzierje për të cilat njihet. Përveç kësaj, ajo herë pas here punon si parukiere, dekoruese në festime dhe dhëndërron nuset.
“Unë nuk ik nga puna. Nuk më vjen keq për veten sepse e di që fëmijët e mi janë dhuratë nga Zoti dhe se duhet të bëj çmos për t’i çuar në rrugën e duhur”, përfundon ajo.
Mariam shpjegon gjithashtu se në botën e saj një grua respektohet sipas asaj se sa mirë ia del të drejtojë një familje dhe se nderi e dikton që pavarësisht rrethanave të martesës, të durojë deri në fund.
“Nuk ka martesë të lehtë. Femrat duhet të jenë të duruara dhe të dinë se koha shëron gjithçka. Nuk duhet të harrosh kurrë detyrimet dhe përgjegjësitë, të miat janë të kujdesem për fëmijët e mi dhe e bëj me gëzim”, përfundon Mariam. /tesheshi.com/