Si pasojë e stuhive në Australi, tre persona kanë humbur jetën ndërkohë që dhjetëra të tjerë janë shpallur të humbur. Për shkak të erërave të forta, dallgët e fuqishme kanë vërshuar drejt bregut duke shkaktuar dëme të konsiderueshme.
Situata më problematike paraqiten në Uellsin e Ri Jugor, në Viktoria si dhe në Tazmani.
Qeveria ka dërguar forca të shumta sigurie në vendin e ngjarjes, të cilët kanë nisur menjëherë operacione kërkim-shpëtimi.
Autoritetet kanë këshilluar qytetarët që të tregohen të kujdesshëm dhe vigjilentë, teksa më të rrezikuarit janë personat e moshuar, të cilët mund të mos kenë mundësi që të reagojnë në kohë.
Përveç dëmeve në njerëz, në Australi janë regjistruar edhe humbje të mëdha në infrastrukturë. Si pasojë e erozionit, shumë shtëpi me vlerë miliona dollarë janë shkatërruar, ose rrezikojnë të shemben shumë shpejt.
Vetëm në Uellsin e Ri Jugor kompanitë e sigurimit kanë deklaruar se dëmtimet e pronave private përllogariten të kenë kapur shifrën e 28 milionë dollarëve. Përveç pronave private, në Australi janë dëmtuar edhe rrugë, spitale, shkolla si dhe institucione të tjera. /tesheshi.com/