Presidenti turk Erdogan po përpiqet që të luajë çdo kartë për ta fituar një sfidë financiare me pasoja kombëtare, drejt së cilës e ka çuar administrata Trump, duke provokuar rënien drastike të lirës.
Një ndër to është thirrja që u bëri së fundi kompanitë që të mos e tërhiqin valutën nga bankat në mes të krizës.
Erdogan ka paralajmëruar se do të ndërmarrë masa drastike nëse e bëjnë një veprim të tillë.
Në një fjalim në Trabzon, Erdogan paralajmëroi biznesmenët se “nuk duhet të nxitojnë drejt bankave për të tërhequr valutë të huaj”.
“Ata duhet ta dinë se një Turqi e fortë dhe e pamposhtur nuk është vetëm punë e politikanëve, por edhe e industrialistëve dhe tregtarëve”, theksoi kreu i shtetit turk, i cili po përpiqet që të mobilizojë masat në akte solidare.
Erdogan përsëriti se kriza është një “operacion kundër ekonomisë turke, i kryer nëpërmjet kursit të këmbimit” dhe shtoi se Turqia do të fitojë. /tesheshi.com/