Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan njoftoi se Turqia ka kapur gruan e ‘kokës së ISIS-it,” Abu Bakr al-Baghdadit. Lajmi vjen një javë pasi amerikanët thonë se e vranë njeriun famëkeq gjatë një operacioni special.
Erdogan tha se edhe kunati i Al-Baghdadit ishte kapur, së bashku me motrën e tij për të cilën u njoftua dje. Erdogan nuk hyri në detaje në lidhje me operacionet, por megjithatë dha një deklaratë të fortë, njofton Daily Sabah.
“Shtetet e Bashkuara thanë që Baghdadi vrau veten në një tunel. Ata bënë një fushatë mediatike në lidhje me këtë”, tha ai në një fjalim në Universitetin e Ankarasë.
“Por, unë po e njoftoj për herë të parë këtu: ne e kapëm gruan e tij por nuk bëmë një bujë. Ngjashëm, i kapëm edhe motrën dhe kunatin e tij në Siri.”
Erdogan tha se përmes arrestimit të tyre do të dalin në dritë të vërteta të reja në lidhje me aktivitetin e organizatës gati të shuar, e cila i ka shkaktuar shumë dëme edhe Turqisë.
Presidenti amerikan Donald Trump me kohë e ka pranuar se Turqia “ia ka mbrojtur shpinën” gjatë operacionit për kapjen e Al-Baghdadit, gjë e cila u arrit me monitorimin e hapësirës ajrore nga ana e ushtrisë turke. /tesheshi.com/