Presidenti turk u ka thënë sot gazetarëve në një konferencë për shtyp se kamikazi i sulmit terrorist në Gaziantep ishte një fëmijë i moshës 12 deri në 14 vjeç, i vetëshpërthyer apo i shpërthyer nga të tjerët.
Erdogani ka deklaruar se të dhënat e para tregojnë se sulmi është kryer nga ISIS-i.
“Ka prova të forta se sulmi u krye nga ISIS-i. Një kamikaz mes moshës 12-14 vjeç hodhi veten në erë. Ne e dimë se ISIS-i po përpiqet prej kohësh të fitojë terren në Gaziantep.”
Ai ka bërë me dije se prej sulmit terrorist janë vrarë 51 persona, ndërsa 69 të tjerë po marrin trajtim mjekësor, e 17 janë në gjendje kritike.
Kamikazi mësohet t’u jetë bashkuar dasmorëve si një i ftuar, për ta hedhur veten në erë më pas mes tyre.
“Vendi nga vjen terrori nuk përbën dallim për ne. Nuk ka dallim midis PKK-së, FETÖ-s apo DAESH-it. Të gjithë janë terroristë,” ka thënë Erdogani.
Në fjalën e tij, presidenti turk ka shfrytëzuar rastin t’u kujtojë qytetarëve se duhet të njoftojnë në organet e sigurisë për çdo sulm të mundshëm.
Sulmi terrorist në Gaziantep është dënuar ashpër në Turqi, por atë nuk kanë munguar ta dënojnë dhe shumë autoritete të huaja. /tesheshi.com/