Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka emëruar Skënder Hysenin në postin e koordinatorit shtetëror në dialogun me Serbinë.
“Duke u bazuar në platformën e Qeverisë së Republikës së Kosovës për dialogun me Serbinë, në mbështetje të vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës të datës 1 korrik 2020, me qëllim të organizimit dhe të bashkërendimit institucional dhe ndërkombëtar të këtij procesi, kryeministri Avdullah Hoti sot ka emëruar z. Skënder Hysenin Koordinator Shtetëror për Dialog”, thuhet në njoftimin e qeverisë.
Kujtojmë se Skënder Hyseni ka qenë ministër i Jashtëm në kohën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, duke përkuar me periudhën e artë të njohjeve në seri të shtetit të Kosovës. Kësisoj, ish-eprori i tij në qeveri atë kohë, Hashim Thaçi, sot president, e mbështeti këtë emërim.
“Hyseni ka mandat për të negociuar për marrëveshjen përfundimtare politike ndërmjet Kosovës e Serbisë dhe jo për t’u bërë pjesë e proceseve shterpe teknike.
Jam i bindur se me angazhimin dhe përpjekjet e tij, z. Hyseni do të arrijë ta ndërtojë konsensusin e nevojshëm politik ndërmjet pozitës dhe opozitës në të mirë të Republikës së Kosovës”, shkroi Thaçi në Facebook. /tesheshi.com/