Nga Vepror Hasani
“Shoqëria e Arteve të Bukura” në Korçë pati një jetë sikur të mos kishte ekzistuar kurrë. Ajo nuk e njohu dot suksesin. Jeta e saj mbeti në hije. Nuk pati fat të shkëlqente. “Artet e Bukura” u krijuan në fillim të shtatorit 1920, mirëpo muaj më parë, në Korçë kishin mbërritur djemtë e bandës kombëtare “Vatra” të Ëorcester Mass të Amerikës. Me të mbërritur dhanë koncertin e parë. Korça mbeti e mahnitur. Muzikantët e “Vatrës” ishin të talentuar. Djemtë e “Arteve të Bukura” kuptuan se me këtë shoqëri muzikore, nuk do ta kishin të lehtë; para saj ndiheshin fillestarë. Në fillim të gushtit muzikantët vatranë shkuan në Vlorë. Djemtë e “Arteve të Bukura” morën frymë lirisht, ndoshta qëndronin përgjithnjë atje, por nuk ndodhi ashtu. Pas dy javësh, u kthyen përsëri në Korçë:
“Banda Kombëtare “Vatra” si ndenji dy javë në kodrat e Vlorës bashkë me luftëtarët, u kthye në Korçë që të zërë përsëri të zbavitnjë popullin. Që të gjithë u kthyen shëndoshë dhe ndiejnë një gëzim të patreguar për Vlorën e strenjtë”. (Gazeta “Koha”, e shtunë, 28 gusht 1920).
Edhe gazetarët e Korçës ndoqën me vëmendje aktivitetet e “Vatrës”, kurse “Artet e Bukura” i lanë në harresë. Për 5 vjet me radhë (1920-1925), nuk gjendet asnjë kronikë e skruar për ta; as me emrin “Artet e Bukura” dhe as me emrin “Banda e Bashkisë”, siç u quajt në fillim. “Artet e Bukura” shoqëronin “Vatrën” kudo që shkonte ajo; luanin në instrumente bashkë me ta, por kjo nuk u jepte mundësinë të tregonin aftësitë e tyre si muzikantë. Viti 1927 shënoi fundin e saj
Kur në mars të vitit 1925, Ahmet Zogu (president në atë kohë), shfaqi dëshirën që djemtë e “Vatrës” t’i merrte në Tiranë si bandë presidenciale, për “Artet e Bukura” u krijua mundësia të tregonin kush ishin. Edhe Bashkia e Korçës dëshironte të kishte një shoqëri muzikore të krijuar prej vetë saj. Vërtet banda “Vatra” shkëlqente, por ajo ishte prodhim i kurbetlinjve të Worcester Mass të Amerikës. Për këtë arsye Bashkia vendosi ta riformonte edhe një herë “Shoqërinë e Arteve të Bukura”. Caktoi për të edhe një fond prej 2,000 frangash ari. Që “Artet e Bukura” të fitonin emër edhe më të madh se “Vatra”, Bashkia i dha funksion të trefishtë: letrar, muzikor dhe sportiv. Riformatimi u bë, por ajo që prisnin nuk nuk ndodhi.
Megjithatë, ata vazhdonin të jepnin koncerte, por më së shumti u përpoqën të sillnin muzikantë nga vende të huaja; i çonin edhe në qytete të tjera të Shqipërisë:
“Lajmërohemi se javën që vjen “Shoqëria e Arteve të Bukura” do të japë një seri koncertesh. Për këtë qëllim sjell nga Milanoja disa artistë lirikë të klasës së parë. Veç kësaj shoqëria ka vendosur të bëjë një turne në disa qytete të Shqipërisë. Kjo është një vepër e parë artistike që bëhet prej artistësh të mjeshtërisë”. (“Zëri i Korçës”, e shtunë 26 shtator 1925)
Më pas i kërkuan Presidentit të Republikës që t’i dëgjonte si muzikantë dhe t’i ndihmonte që të ecnin përpara:
“Informohemi se Pleqësia e re e “Shoqërisë së Arteve të Bukura” do të kërkojë një audiencë prej shkëlqesisë së Tij, Kryetarittë Republikës, duke u përfaqësuar prej z. Thoma Nasi dhe Mihal Cikos, që t’i kërkojënë përkrahjen e shkëlqesisë së tij për këtë shoqëri. Kemi besim të plotë se Presidenti ynë do ta përkrahë “Shoqërinë e Arteve të Bukura” duke u dhënë të rinjve kurajo për të përparuar këtë shoqëri” (Gazeta “Koha” e shtunë, 10 tetor 1925)
Nuk dihet nëse u realizua ose jo audience me Presidentin Ahmet Zogu, por dihet që ai i ndihmoj me fonde. Që në koncertet e tyre të mblidheshin sa më shumë njerëz, organizonin lotari për pjesëmarrësit, jepnin karamele, ëmbëlsira etj.
“Pardje, të shtunë, u dha balloja familjare prej “Shoqërisë së Arteve të Bukura”. Salla e ballos ishte plot, kaq shumë sa nuk pandehej. Në mes të shumicës figuronin bashkë me zonjat e tyre z. prefekti ynë Hil Mosi, konsulli i Jugosllavisë, drejtori i Bankës së Athinës, kryetari i Bashkisë, parësia e Korçës, emrat e të cilëve janë të shumtë dhe të na falin se nuk mund t’i shënojmë dot nga ngushtica e vendit, dhe shumë të tjerë.
Ballua u nis me këngën e flamurit të kënduar prej anëtarëve të shoqërisë, pastaj nisën vallet shqiptare dhe vallet evropiane… në mest të programit të valleve u bë një pushim dhe llotari. Në llotari ishin një fytyrë e mirë e Xhokondës, kupka prej rakie dhe një kuti e madhe me një send të panjohur me emrin “Luks për shtëpi” (Ku ishte paketuar një ftesë) (“Zëri i Korçës”, e shtunë 12 dhjetor 1925)
Ashtu si më parë “Artet e Bukura” vijonin të sillnin grupe muzikore të huaja:
“Ka dy javë që po lot opereta trupi aktor grek, Rozalia Nika. Pardje, të enjte, dha një operetë në favor të “Shoqërisë së Arteve të bukura”. …Operetat u luajtën shumë mirë dhe patnë sukses. Që të gjithë u kënaqnë…” (“Zëri i Korçës”, 29 maj 1926)
“Pardje, të shtunë urdhëroi këtu kori rus që ndodhet në Tiranë, përbëhet prej pesë vetash dhe një shqiptar pianist, i cili është në shërbimin e Bashkisë së Tiranës. Të dielën në mëngjes kënduan në kishën e Shën Gjergjit. Shumica e popullit nuk mësoi ardhjen e tyre, dhe kështu nuk u ndodh shumica e madhe, po ata që u ndodhën, u kënaqën me të tepërt…” (Zëri i Korçës, e martë 22 shkurt 1927)
Ashtu si banda “Vatra edhe “Shoqëria e Arteve të Bukura” pjesën më të madhe të koncerteve i jepte në një nga ambientet e kishës së “Shë Gjergjit” që shërbente si kopësht fëmijësh, duke i lënë disi të veçuar banorët myslimanë të Korçë, gjë që nuk mund të kalonte pa u vënë re, madje pjesëmarrjen e tyre, kur ata merrnin pjesë, e çmonin shumë:
“Përgëzimet edhe lëvdimet që meriton Z.Th. Nasi, i meritojnë dhe gjithë familjarët që pa u drojtur muar pjesë në këtë valle me zonjat, bijat dhe mbesat e tyre. Por lavdia m’e madhe u bije disa zonjave muhamediane dhe z. Kapiten Osman Gazepi, i cili me gjith zonjën e vet pat urdhëruar e mori pjesë në këtë natë, nga e cila mbet fort e kënaqur”. (Gazeta “Koha”, 24 shkurt, 1923)
Gjithsesi, kjo shoqëri muzikore, me gjithë përpjekjet e saj, nuk mundi të jetonte gjatë.
Megjithatë, ende nuk ju kemi treguar edhe diçka tjetër për këtë shoqëri muzikore; vërtet e kishte emrin “Artet e Bukura”, por njerëzit nëpër koncerte i mblidhte kabaja e Rushan Hajros. Për të mësuar më shumë, na ndiqni në fundjavën që vjen. /tesheshi.com/