Nga Redaksia
Mbi 250 pjesëtarë të grupit famëkeq serb ‘Civilna Zastita’ (Mbrojtja Civile), pritet të fillojnë trajnimet në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike në Vushtrri, pas arritjes së marrëveshjes në mes të delegacioneve të Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel.
Në anën tjetër, zyra e lartë për informim e Akademisë së Kosovës për Siguri Publike (Shkolla e Policisë) në Vushtrri, i ka thënë portalit “tesheshi”, se “ende nuk kanë asgjë për këtë trajnim”.
“Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) ende nuk ka asgjë zyrtare sa i përket këtij trajnimi, po sa të ketë do t’ju informojmë më kohë”, ka thënë përmes postës elektronike Fidajete Geci, zyrtare e lartë për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun.
Se marrëveshja është arritur në mes Prishtinës dhe Beogradit, fletë fakti i një urdhri të lëshuar këto ditë nga qeveria Serbisë në Beograd për ‘Civilna Zastita’-n.
“Urdhërohen të gjithë pjesëtarët e ‘Civilna Zastita’-s, ata që janë në pushim, të ndërpresin menjëherë pushimet, ndërsa që ata që janë në Kosovë të mos largohen nga vendbanimi, pasi pritet thirrja e tyre për të filluar trajnimin 1-mujor në Shkollën Policore në Vushtrri”, thuhet nder të tjera në urdhrin e lëshuar nga Qeveria e Beogradit, përkatësisht Ministria e Mbrojtjes, e që i është dërguar 4 kryetarëve serb të komunave veriore të Kosovës: Mitrovicës-veri, Zubin Potokut, Leposaviqit dhe Zveçanit.
“Urdhri për moslargim nga vendbanimi i pjesëtarëve të ‘Civilna Zastita’-s i është dërguar edhe komandantit të tyre për veriun e Mitrovicës dhe Kosovës, Stevan Paviqeviqit” ka thënë burimi i portalit ‘tesheshi’.
Burimi me tej ka shtuar se “gjithçka ka përfunduar dhe listat me emra të pjesëtarëve të ‘Civilna Zastita’-s, janë dërguar kohë më parë në Prishtinë për gjoja verifikim”.
Sipas burimit, “verifikimi i këtyre pjesëtarëve është i kryer, por vetëm sa për sy e faqe dhe për trullosje të opinionit se gjoja po bëjmë përzgjedhje, sepse të gjithë aplikimet do të aprovohen, meqë është në mes marrëveshja ndërkombëtare”.
Burimi i portalit ‘tesheshi’, kanë njoftuar se rreth 250 pjesëtarët e të ashtuquajturës në shqip ‘Mbrojtja Civile’ serbe që të funksionojnë në veri të Mitrovicës dhe Kosovës, do të kenë uniformë dhe do të punojnë në Qendrën e Emergjencës së Kosovës në veri si njësi e veçantë”.
Detyra e pjesëtarëve të ‘Civilna Zastita’-s do të jetë që të ndihmojnë policinë dhe shërbimet e tjera emergjente në rast të nevojave të tyre, por aspirata e tyre është që kjo njësi e emergjencës që do të ketë edhe uniformë të veçantë, në të ardhmen të bëhet edhe pjesë e FSK-së dhe Ushtrisë së Kosovës”, ka thënë burimi.
Burimi më tej ka shtuar duke thënë se: “pjesëtarët e ‘Civilna Zastita’-s, janë një formacion famëkeq serb. Të gjithë këtë pjesëtarë kanë qenë të përfshirë në krime të ndryshme e më së paku prej tyre që janë të përfshirë në krime, nëse mundemi të themi, janë atë që vetëm kanë marrë pjesë në vendosjen e barrikadave gjatë vitit 2011 në veri të Mitrovicës dhe Kosovës”.
“Me këto barrikada u bllokuan të gjitha rrugët që të shpien në veri të Mitrovicës dhe Kosovës, ku për pasojë mbetën të lënduar dhe plagosur nga gurët, shkopinjtë dhe armë zjarrit mbi 200 pjesëtarë të KFOR-it, një pjesëtar i policisë së Kosovës u vra, si dhe shumë të tjerë u lënduan”, ka thënë burimi.
“Disa nga këta pjesëtarë janë të inkriminuar direkt dhe në djegjen e dy pikave kufitare: G1 në Jarinje të Leposaviqit si dhe G 31 në Berrnjak të Zubin Potokut”, ka thënë burimi i portalit ‘tesheshi”.
Ndërsa sa i përket pajisjeve që ka ky grup famkeq, burimi ka shtuar se “ato do të ngelin në veri të Mitrovicës dhe Kosovës e do të veprohet ngjashëm si me pjesëtarët e Policisë së Serbisë, një pjesë e së cilës ende vepron në veri, ku së paku marrin paga nga qeveria e Serbisë, Ministria e Punëve të Brendshme, ndërkohë që shërbimi inteligjent serb ‘BIA”, ka zyrat në veri të Mitrovicës dhe vepron i pa penguar nga askush”. /tesheshi.com/