Shumica e anëtarëve të Këshillit Drejtues të PDK-së, në mbledhjen e mbajtur sot në ora 09:00, janë shprehur pro rrëzimit të qeverisë dhe shkuarjes në zgjedhje.
Ndonëse asnjë nga anëtarët e PDK-së nuk e ka bërë të qartë pas takimit se çfarë është vendosur në mbledhje, burime të tesheshi.com brenda PDK-së bëjnë të ditur se kjo parti do ta mbështesë mocionin opozitar për rrëzimin e qeverisë “Mustafa”.
“Në mbledhjen e Këshillit Drejtues është votuar unanimisht bartja e kompetencave te grupi parlamentar për mbështetjen apo jo të mocionit opozitar,” ka thënë burimi.
I pyetur se a do e mbështesë PDK-ja rrëzimin e qeverisë, burimi brenda PDK-së ka konfirmuar: “Po, do realizohet.”
Kurse Enver Hoxhaj, nënkryetar i PDK-së, pas takimit ka thënë se do jetë grupi parlamentar që do ta japë vendimin përfundimtar.
Kujtojmë se seanca për mocion është caktuar të mbahet sot në orën 10:00, por ende nuk ka filluar. Në Kuvend tashmë gjendet kryeministri Mustafa dhe deputetët e LDK-së, derisa ata të PDK-së ende nuk kanë mbërritur në sallë.
Për rrëzimin e qeverisë duhen 61 vota. /tesheshi.com/