Kur përmendet emri i Behgjet Pacollit në raport me Kosovën, dy gjëra të shkojnë ndërmend: roli i tij në shtimin e njohjeve ndërkombëtare, duke dubluar rolin e ministrit të Jashtëm, si dhe fakti që nuk e gëzoi Presidencën e vendit të tij më shumë se dy javë, pas një kleçkë kushtetuese, por që për të ka qenë një kurth me prapavijë politike.
Vitet e fundit, ai dhe partia e tij, AKR nuk janë në parlament, por për Pacollin kjo përiudhe është një rigjenerim forcash, një rifreskim vizionesh dhe një ripunim progami, për t’ju qasur më realisht problemeve të vendit pas një rikthimi në skenën politike, siç ai e beson se do të ndodhë shumë shpejt.
Pikërisht, për këto e të tjera, Pacolli flet në një intervistë ekskluzive për tesheshi.com…
Intervistoi: Shkëlzen Rrecaj
Pacolli, cili është komenti për situatën politike dhe ekonomike në vend?
Situata politike në vend, fatkeqësisht është shumë e rëndë. Klasa politike në përgjithësi, në mënyrë shumë të papërgjegjshme e ka degraduar situatën e përgjithshme duke u marrë qind për qind me tema politike dhe duke anashkaluar problemet reale jetësore me të cilat ballafaqohen çdo ditë qytetarët e Kosovës.
Unë nuk po them që edhe temat me të cilat po merren ata nuk janë të rëndësishme, por në anën tjetër, problemet të cilat i shqetësojnë qytetarët janë zhvendosur nga vëmendja. Ka mungesë të caktimit të prioriteteve. E prioritet duhet te jenë problemet e përditshmërisë duke filluar prej fuqisë blerëse të shportës ditore e deri te ato shëndetësore, të arsimit etj.
Në këtë kontekst, po ju them se gjendja në përgjithësi është shumë e rëndë, veçanërisht në aspektin ekonomik. Ekonomia e Kosovës është duke u degraduar çdo ditë e më shumë. Për këtë arsye, edhe qytetarët po vazhdojnë dita ditës të dëshpërohen dhe të humbin shpresën sepse askush nuk po merret me hallet e tyre, askush nuk po i trajton problemet e tyre, vështirësitë e jetës së tyre. Po e humbin shpresën për një perspektivë më të mirë. Në anën tjetër, po i shihni edhe raportimet ndërkombëtare për sektorin e Shëndetësisë në Kosovë; janë pothuajse të njëjta me raportimet për situatën ambientale që informon publikun ndërkombëtar për, ambientin e shkatërruar të Kosovës, gjegjësisht për kulturën që jemi duke i treguar botës.
Disa ditë më parë, edhe unë reagova për ambientin e shkatërruar në Kosovë (malet e shkatërruara nga minierat e gurthyesit ilegalë, fushat pjellore të shkatërruara, lumenjtë pa ose me shtretër të shkatërruar e me plot mbeturina, mbeturinat të hedhura çdo kund, keqmenaxhim të qyteteve tona që po bëhen të pajtueshëm çdo ditë e më tepër). Mediet ndërkombëtare bënin një relacion mes këtyre dukurive (ambientit të shkatërruar) dhe kulturës tonë.
Në spitalet tona dominon kaosi, papastërtia, dhe ndotja. Çdo kund (mbeturinat rreth spitaleve, qen dhe mace të ngordhura etj.), spitalet me fasadat kastrofale, rrugët dhe akset nëpër këto spitale të mbushura me mbeturina spitalore, pa trotuare me hyrje të përlyera e shkallë të shkatërruara, spitale pa asnjë logjistikë dinjitoze, personel fare pa ose me rroba të ndyta, instrumente jo funksionale të hedhura kudo etj., etj., etj. Fatkeqësisht situata është mjaft e rëndë.
Ju, qoftë sipjesë eqeverisë së kaluar por edhe jashtë saj, keni qenë goxha aktiv në procesin e njohjes së Kosovës në skenën ndërkombëtare. Tani ka një ngecje në këtë aspekt. Si e vlerësoni punën e Ministrisë së Jashtme dhe se a është duke bërë mjaftueshëm në sjelljen e njohjeve të reja?
Që në fillim më duhet të them se Ministria e Punëve të Jashtme nuk ka bërë asgjë, ose ka bërë shumë pak në këtë drejtim. Që nga fillimi i mandatit të kësaj qeverie, askush nuk merret me lobimin për pranimin e shtetësisë së Kosovës, gjegjësisht akreditimin e Kosovës nëpër botë. Dhe rezultatin e këtij mosangazhimi e pamë edhe në UNESCO. Bile, aty ndodhi dhe diçka që duhet të merret si alarm. Kishte dhe shtete të cilat e kanë njohur shtetësinë e Kosovës (si rasti i Japonisë etj), por që votuan kundër pranimit të saj në UNESCO. Edhe aty e pamë se edhe ato njohje që kanë ardhur është dashur që në mënyrë të vazhdueshme të këtë angazhim për zhvillimin dhe konsolidimin e raporteve diplomatike. Në të kundërtën, edhe ato shtete që e kanë njohur shtetësinë tonë mund t’ia kthejnë shpinën Kosovës.
Në kontekst të kësaj (në vazhdimësi të angazhimit të mëhershëm), unë para një jave qëndrova në Afrikën Juglindore dhe kam pasur takime të nivelit më të lartë në disa shtete që ende nuk e kanë njohur Kosovën.
Kudo ndihet vakumi diplomatik, përkatësisht mungesa e angazhimit të diplomacisë kosovare. Veçanërisht në atë rajon ndihet mungesa e aktivitetit të Kosovës në njërën anë dhe aktivitetit të madh të kundërshtarëve tanë të cilët e prezantojnë një realitet krejtësisht tjetër. Megjithatë unë jam optimist se edhe në këtë drejtim gjërat do të lëvizin shumë shpejt pozitivisht nga dy shtete shumë të mëdha, me udhëheqësit e të cilave zhvillova takime gjatë këtij udhëtimi.
Por, po e ripërsëris që me të gjitha ato shtete që e kanë njohur Kosovën si shtet duhet të fillojnë të zhvillohen raportet diplomatike. Për këtë qëllim unë kam propozuar që urgjentisht të hapen ambasada dhe zyra ndërlidhëse me disa prej shteteve kryesore në kontinentin e Afrikës.
Ju keni kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që ta obligojë Kuvendin për t’i dërguar në votim ndryshimet kushtetuese të cilat do t’i mundësonin qytetarit të Kosovës zgjedhjen direkte të presidentit të vendit. Çfarë ju shtyri që të kërkoni një të tillë?
Kosova nuk e ka komoditetin të futet në një krizë të re politike dhe institucionale, siç është rasti i zgjedhjes së presidentit të vendit. Apo që presidenti i vendit si shef i shtetit të shndërrohet në instrument me të cilin bëhen pazare ndërmjet subjekteve politike.
Për hir të evitimit të kësaj krize, në vitin 2011, unë i hapa rrugë një marrëveshjeje politike e cila u shndërrua në akt juridik nëpërmjet një rezolute të Kuvendit të Kosovës për ndryshimet kushtetuese që do të mundësonin zgjedhjen e presidentit nga populli.
Fatkeqësisht, kjo rezolutë dhe kjo marrëveshje nuk u zbatuan asnjëherë dhe amendamentet kushtetuese për zgjedhjen e drejtpërdrejtë të presidentit nuk u votuan asnjëherë në kuvend, megjithëse kishin marrë dritën e gjelbër nga Gjykata Kushtetuese. Dhe fajtorët për këtë dështim janë zoti Thaçi dhe zoti Mustafa.
Andaj, për të evituar thellimin e krizës politike dhe institucionale unë i jam drejtuar Gjykatës Kushtetuese, për të kërkuar nga ky institucion që të obligojë Kuvendin për t’i dërguar në votim ndryshimet kushtetuese të cilat janë të gatshme, por ende nuk kam marrë ndonjë përgjigje.
Votimi i këtyre amendamenteve do ti mundësonte qytetarit të Kosovës që të zgjedh direkt presidentin e vendit dhe do të evitonte krizën politike, e cila ka kosto të madhe për qytetarët dhe shtetin.
Sipas jush, a ka ngjashmëri në shkeljen e procedurave në zgjedhjen e presidentit të fundit me rastin tuaj?
Së pari unë konsideroj që aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese në rastin e zgjedhjes time ishte kryekëput i ndikuar politikisht dhe i marrë qëllimisht nga ana e ish kryetarit të kësaj Gjykate, z. Enver Hasanit. Arsyet i di ai më mirë. Ju mund t’i lexoni edhe opinionet e dy gjykatësve ndërkombëtarë, anëtarë të Gjykatës Kushtetuese të cilët kanë qenë kategorikisht kundër opinionit, se është bërë shkelje kushtetuese në rastin e zgjedhjes time si president i vendit. Megjithatë, ai vendim erdhi si erdhi dhe unë, edhe pse nuk isha përgjegjës për shkeljen e Kushtetutës, u tërhoqa dhe i lëshova rrugë zgjidhjes së krizës me kushtin e vetëm që të bëhej reforma kushtetuese dhe presidenti të zgjidhej direkt nga populli.
Sa i përket asaj se a ka ngjashmëri të zgjedhjes së Thaçit si president me rastin e zgjedhjes time, ju e keni aktgjykimin ku qartësisht mund të nxirrni konkluzionet.
A shpresoni se do të vijë një kohë kur presidenti i vendit do të zgjidhet nga populli?
Ajo duhet të ndodhë patjetër. Këtij vendi i duhet një prijës i cili ka fuqinë që të marrë përgjegjësi dhe t’u prijë proceseve. Një president i zgjedhur nga populli, e ka fuqinë që të dalë para qytetarëve dhe t’u prijë gjërave. Ideja e zgjedhjes së presidentit nga populli është iniciuar nga unë që në vitin 2006-2007. Madje atëherë më akuzonin se po dëshiroj që të implementoj sisteme të lindjes apo të tilla akuza primitive. Tani më vjen mirë që edhe një pjesë e madhe e skenës politike po e përqafon idenë që presidenti të zgjidhet nga populli. Vetëm një president i zgjedhur direkt nga qytetarët e ka fuqinë që ti ndryshojë gjërat për mirë.
Qasja juaj ndaj politikanëve të tjerë ka qenë gjithmonë e matur. Çfarë i sugjeroni skenës aktuale politike, kur kemi parasysh situatën e acaruar në mes të pushtetit dhe opozitës?
Ashtu siç e thashë më lartë, konsideroj që situata është rënduar jashtëzakonisht shumë në të gjitha aspektet. Konsideroj që janë shteruar të gjitha mundësitë që palët të ulen dhe arrijnë një marrëveshje ndërmjet vete. Në këtë situatë unë mendoj se alternativë e vetme për të dalë nga kjo krizë, është që qytetarëve t’ju jepet mundësia të deklarohen. Pra, të shkohet në zgjedhje. Zgjedhjet në këtë periudhë janë e vetmja alternativë të cilën unë e sugjeroj. Vetëm zgjedhjet mund ta zgjidhin këtë ngërç, i cili më së shumti po e dëmton Kosovën dhe qytetarët e saj.
Në zgjedhjet e fundit parlamentare, partia e juaj nuk kaloi pragun zgjedhor. Sa i ka shërbyer AKR-së mosfutja në parlamentit?
Sinqerish,t t’ju them se që nga momenti i zgjedhjeve të fundit unë u dëshpërova pak me rezultatin e zgjedhjeve dhe sinqerisht mendova edhe të tërhiqem nga politika. Duke parë se çka ndodhi me Kosovën, pikërisht pas zgjedhjeve, duke parë se si po vazhdon degradimi i Kosovës dhe duke e parë se si politikanët tanë e po e trajtojnë shtetin dhe popullin tonë, unë vendosa që në këtë situatë të qëndroj përkrah popullit.
Jam duke ndërmarrë reforma të mëdha në parti. Dhe kjo periudhë i ka shërbyer shumë AKR-së që të filtrohet nga element të tillë që partinë e kanë konsideruar si trampolinë për të kërcyer në pozita që sjellin përfitime thjesht personale. Pra në drejtimin e rikonsolidimit të AKR jam duke u angazhuar fuqishëm. Në anën tjetër, më motivon edhe entuziazmi i madh i qytetarëve të cilët e kërkojnë një alternativë të re.
Unë besoj në popullin tim, unë besoj në ndryshime duke qenë i qartë me faktin se ne dimë si t’ia japim kahen e duhur Kosovës dhe si t’i vihet në ndihmë këtij populli që në asnjë moment nuk pushoi i qetë dhe pa vuajtje.
Ne dimë si të veprojmë, dimë si të krijojmë perspektivë për popullin tonë, dimë si ta zhvillojmë vendin. Ne dimë pse e duam punën dhe suksesin. Ne kemi eksperiencë dhe kemi dëshmuar se dimë të punojmë me dinjitet dhe profesionalizëm. Jam i sigurt që vetëm ne e kemi programin e duhur për një Kosovë ekonomikisht të fortë që garanton perspektivë dhe jetë dinjitoze për të gjithë.
Para ca ditësh deklaruat se ju do t’i fitoni 20 % të votave. Cila do të jetë oferta juaj për ta bindur këtë përqindje të elektoratit dhe a mos është kjo një shpresë paksa e tepruar?
Oferta ime dhe e AKR është zhvillimi ekonomik. Zhvillim ekonomik dhe vende të reja të punës për rininë e Kosovës. Ky është profili i AKR dhe kjo është shtylla bazë e programit tonë. Jo rastësisht e kam përmendur që më nevojiten mbi 20 për qind të votave për ta vënë këtë vend në binarët e zhvillimit ekonomik. Vetëm duke qenë udhëheqës të qeverisë ne mund t’ia arrijmë këtij qëllimi. Pra, e kemi parë që nëse nuk i ke frenat në dorë atëherë edhe zëri yt nuk dëgjohet. E që t’ia dalim kësaj, ne synojmë ta udhëheqim qeverinë në mënyrë që ti bëjmë reformat rrënjësore në ekonomi.
Për shembull, në krejt procesin e shitblerjes së bazës së dikurshme ekonomike të Kosovës, humbësi i madh dhe i vetëm ishte qytetari dhe punëtori i dikurshëm.
Fabrikat e dikurshme të qyteteve tona ku punonin nga 20-30 mijë punëtorë, sot shumica e tyre janë bosh, të degraduara e një numër i vogël i tyre u shitën me çmime qesharake. Në disa sosh, kur u shitën makineritë, çmimi i tyre ishte shumë herë më i shtrenjtë se sa blerja e atyre fabrikave me rastin e privatizimit. Tani edhe ato objekte kanë mbetur bosh.
AKR, në programin e vet ka paraparë tërheqjen e këtyre aseteve (fabrikat) nga AKP dhe funksionalizimin e tyre përmes krijimit të partneriteteve (Partneritetit Puiko-Privat) me investitorë të huaj dhe vendorë. Ne jemi, tërë kohën, në kontakt me investitorët e ndryshëm ku sipas plan programit (që tani e kemi të kryer) do të krijohen mbi 1350 veprimtari të përbashkëta (Joint Venture) me investitorë të ndryshëm ku do të gjejnë vend pune mbi 55 mijë punëtorë.
Kjo është e mundur vetëm me rifunksionalizimin e asaj që ka mbetur ende pa u shitur (vetëm në industri), pa kalkuluar fushat e tjera të veprimtarisë.
AKR, me besueshmërinë e mbi 20% të qytetarëve votues, do të mund të rimëkëmbë industrinë përpunuese e shërbyese.
Këtë po ju tregoj me fakte se dimë ta bëjmë dhe do ta bëjmë për Kosovën tone të dashur.
Po ashtu edhe bujqësia ka qenë dhe mbetet shtylla kryesore në të cilën mbështetet krijimi i mundësive për ngritjen ekonomike dhe punësimin.
Qeveritë e deritanishme, në mënyrë brutale, kanë keqpërdorur asetet agroekonomike në bazë të të cilave ka mundur të përfitojë shumë ekonomia e Kosovës.
Shitja e tokave shoqërore, pa asnjë kriter, pa asnjë kontroll, dhe mbajtja e një pjese të madhe peng nga AKP-ja, ka ndikuar në shkatërrimin e këtij aseti shumë të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të Kosovës.
AKR-ja mbetet e vendosur që të krijojë tri zona Agroekonomike (një në Dukagjin, një në rrafshin e Kosovës dhe një në Anamoravë), ku do të absorbohet lënda e parë (ose gjysmëprodukti) e fermerëve të vegjël, gjegjësisht pronarëve të tokave në rajonet respektive.
Këto qendra agroekonomike janë qendra teknologjike prodhuese, të shumëllojshme të të gjitha prodhimeve bujqësore, frutave malore etj. Ato shërbejnë si qendra makrogrumbulluese, transformuese dhe prodhuese sipas standardeve në fuqi. Trajtimi fillon që nga lënda e parë, konservimi, procesimi, transformimi, prodhimi dhe distribuimi.
Këto qendra do të pasurohen me brende ndërkombëtare, ku plasimi, shitja dhe eksporti nuk do të jenë tabu.
Këto tri qendra do të jenë në dispozicion të të gjithë operatorëve bujqësorë, dhe si të tilla krijojnë zinxhirin e pandërprerë të këtij procesi të rëndësishëm ekonomik.
Këto qendra, përveç prodhimtarisë me norma ndërkombëtare dhe çmimeve të arsyeshme, paraqesin edhe një mundësi punësimi për mijëra e mijëra punëtorë, të cilët do të jenë të angazhuar në të gjitha fazat e kësaj veprimtarie zinxhirore.
Kjo veprimtari do të ngrit vetëdijen dhe interesin tek operatorët bujqësorë dhe si e tillë ndikon në rritjen e prodhimit vendor duke zëvendësuar importin në të gjitha drejtimet deri në 60 %.
Sipas studimit tonë, vetëm kjo veprimtari do të mund të inicionte rritje ekonomike deri në 8% në vit.
Po ju, a do t’i nënshkruanit marrëveshjet me Serbinë?
Natyrisht që Kosova duhet të dialogojë me Serbinë si dy shtete fqinje. Kosova ka shumë arsye pse duhet të bisedojë me Serbinë. Janë qindra miliona euro kursime të qytetarëve të Kosovë të grabitura nga shteti serb të cilat duhet të kthehen. Janë më shumë se një mijë qytetarë të Kosovë të cilëve ende nuk u dihet fati dhe për të cilët duhet të japë llogari Serbia. Janë dëmet e luftës për të cilat Serbia duhet të paguajë.
Pra, janë shumë tema për të cilat Kosova duhet të dialogojë dhe të gjejë zgjidhjen me Serbinë sepse janë në interesin tonë. Dhe natyrisht që i gjithë ky proces duhet të përfundojë me njohjen e shtetit të Kosovës nga ana e shtetit serb. E drejta historike dhe juridike është në anën tonë, andaj po, unë do të angazhohem që të gjitha këto procese t’i qoj përpara.
Dhe gjithë këtë proces do ta shoqëroja me një transparencë të mirëfilltë për qytetarin e vendit tonë. Kur marrëveshjet do të ishin me interes për vendin dhe qytetarët pse të mos nënshkruaj?!
Do ta bëja këtë përherë por gjithmonë duke pas për pikënisje të mirën, interesin, zhvillimin dhe perspektivën e Kosovës dhe qytetarëve të saj./tesheshi.com/