Khaled Ali është një lloj revolucionari që nuk përputhet me përshkrimin. Veshur me një xhaketë stofi me cërka, me vetullat e ngritura sipër syzeve me skelet të trashë, ai mund të merret gabimisht për një mësues zëvendësues sesa për një avokat-element turbullues dhe kandidat presidencial për zgjedhjet e ardhshme në Egjipt.
“Unë shihem si një tradhtar i financuar nga jashtë”, thotë ai, duke hedhur poshtë kritikat që i mbërrijë nga media egjiptiane dhe nga figura pro-qeveritare.
Platforma e Ali, një përzjerje e propozimeve për mirëqënien sociale ku përfshihet sigurimi i zgjeruar shëndetësor dhe rroga minimale, është e ngjashme me atë të socialistëve që kanë thyer traditën gjetkë, si Bernie Sanders apo madje, Jeremy Corbyn në Britani. A e sheh ai veten duke ndjekur këtë gjurmë? Ali jep të vetmen përgjigje të intervistës në anglisht: “Unë jam Khaled Ali”. Dhe më pas qesh.
Megjithatë, Ali mund të jetë përngjasimi më i afërt në Egjipt ndaj fabulës së Davidit që u përball me Goliatin. Ai aktualisht është një prej katër kandidatëve potencialë që do të shpallin synimin e tyre për të kandiduar kundër presidentit të fortë të Egjiptit, Abdel Fatah al-Sisi në zgjedhjet presidenciale të pranverës 2018, por ndoshta i vetmi që e ka një shans konkurrimi.
Koloneli Ahmed Konsowa u ndalua shpejt pasi shpalli synimin për të kandiduar, i akuzuar për shkelje të rregullave ushtarake me shprehjen e pikëpamjeve politike që nuk lejohen kur je me uniformë. Javën e kaluar ai u dënua me gjashtë vjet burg.
Ish-kryeministri i Egjiptit, Ahmed Shafik, u deportua nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe u mbajt i izoluar për 24 orë gjatë kthimit në Egjipt pasi shpalli synimin për të kandiduar në zgjedhje.
Shafik është një simbol i pakrahasueshëm i regjimit të ish-presidentit Hosni Mubarak, një autokrat me lidhje me ushtrinë dhe shërbimet e fuqishme të sigurisë së atij regjimi, ndërsa Ali është figura më e fundit qendrore e një opozite majtiste që rrëzoi Mubarakun nga pushteti në vitin 2011.
Sisi, ishte më parë kreu i forcave të armatosura të vendit, që u ngrit në pushtet gjatë një grushti ushtarak të vitit 2013, dhe fitoi me 97 për qind të votave në zgjedhjet e vitit 2014.
Mandati i tij i parë u shoqërua me rritjen e trazirave ekonomike dhe shqetësimeve për sigurinë, si dhe me një shtypje të paprecedent të opozitës, lirisë së fjalës dhe shoqërisë civile. Edhe pse ai ende nuk e ka shpallur, pritet gjerësisht të kandidojë për një mandat të dytë dhe të fitojë.
Platforma e Ali është më pak kritike ndaj stilit të qeverisjes së Sisit dhe më shumë sfiduese ndaj gjithë sistemit që ai përfaqëson. Si rezultat, për shumë njerëz ai mund të mos jetë thjesht opozita, por armiku publik numër një.
Fushata e tij është përballur me intimidime që nga nisja. Policia kontrolloi shtypshkronjën e tij që prodhonte broshurat e fushatës, më pas e mohoi se e kishte ndërmarrë këtë kontroll.
“M’u kërkua të shkoja në një darkë në qendrën e Kajros, dhe ditën tjetër çdo kafene në atë rrugë ishte mbyllur, për shkak se të gjithë ishin kontrolluar nga policia”, shton ai. “Një avokat në lagje dëshironte të zhvillonte një takim për të diskutuar mbështetjen për mua, dhe më pas mori një telefonatë nga policia që i kërkonte ta anulonte”.
Ali është shndërruar po ashtu në një thes grushtimi për median më së shumti shtetërore. Që nga njoftimi i synimit për të kandiduar, ai nuk është ftuar asnjëherë për të folur në ndonjë prej emisioneve të ndjekura të përnatshme televizive apo të japë ndonjë intervistë për median lokale.
Gazeta ultra-nacionaliste “Al Gomhuria” publikoi në kopertinë një artikull ku denonconte Ali, madje në një edicion botoi edhe një editorial nga kryeredaktori që titullohej “Khaled Ali dhe shfaqja e xhuxhit”. Ky artikull e përshkruante Ali si të financuar në mënyrë sekrete nga BE, të fiksuar pas autoritetit dhe pas “betejave prej kartoni”.
Këmbëngulja për ta minimizuar figurën e Ali është e njëjtë me reagimin ndaj kandidaturës së tij të fundit për president në vitin 2012, ku ai mori më pak se 1 për qind të votës së përgjithshme. Që nga ajo kohë, sidoqoftë, Ali është bërë famëkeq, gjë që ai shpreson se do t’i sjellë më shumë vota në vitin 2018.
Ali ishte në krye të betejës përçarëse ndaj vendimit kontravers të Sisit për të transferuar dy ishuj tek Arabia Saudite. Avokati hokatar ndërmorri një çështje të suksesshme ligjore duke shfuqizuar vendimin e qeverisë në janar, me argumentin se dy ishujt ishin së pari egjiptian, jo sauditë. Megjithatë fitorja e tij më pas u shtyp dyfish. Parlamenti i Egjiptit anuloi vendimin e gjykatës, duke bërë që vendimi i Sisit të zbatohej.
Gjyqtari pro-qeveritar, Samir Sabry më pas e çoi Ali në gjykatë duke e akuzuar atë “për gjeste të turpshme” gjatë aktiviteteve për fitoren e tij. Ali e apeloi vendimin, por nuk do të jetë në gjendje të mësojë nëse ka të drejtën e apelit deri më 3 janar. Nëse kjo i mohohet, ai nuk do të jetë në gjendje të kandidojë në vitin 2018.
Nëse ndalohet të kandidojë, fushata e Ali nuk ka plan rezervë, dhe e majta e Egjiptit do të humbasë figurën drejtuese. “Nuk ka asnjë person tjetër”, thotë ai…
Pjesa më e madhe e bazës mbështetëse të Ali përbëhet nga segmente të forta të rinisë egjiptiane, të cilat kanë prirjen të bojkotojnë politikat shtetërore që kur Sisi erdhi në pushtet.
Nëse do të jetë në gjendje të kandidojë, Ali beson se mund të joshë votuesit e rinj tek emri i tij në qendrat e votimit. Ai tregon një deklaratë mbështetjeje për kandidaturën e tij nga lëvizja e nxjerrë jashtë ligjit “Lëvizja Rinore e 6 prillit”, themeluar gjatë pranverës arabe. “Ky grup është nga ata që thanë se nuk do të mbështesin zgjedhjet, e megjithatë ata ja ku janë”, thotë ai, duke u lëvduar dukshëm për mbështetjen që ka marrë.
Për të tjerët, mbështetja nga grupe ai ai i 6 prillit e shenjon Ali si një element përgjithmonë nga jashtë skenës. “Nuk do të votoj për presidentin Sisi”, thotë Hisham Kassem, ish-botues i tabloides nacionaliste “Al-Masry Al-Youm”. “Por, po shpresoj për ndonjë kandidat më të mirë sesa Khaled Ali”.
Kassem beson se një president civil “ka nevojë të jenë në gjendje të përballojë agjencitë e sigurimit”, të afta për të minuar liderët e Egjiptit, nga të cilët Morsi është vetëm një shembull.
“Njerëzit kanë nevojë të ndjejnë besim dhe të shohin imazhin e një burri të fuqishëm”, shton ai.
Ali thotë se synimi i tij është thjesht të minojë një pjesë të popullaritetit të Sisit në qendrat e votimit. Por edhe një gjë e tillë vjen me rreziqe ekstreme.
Pyetur nëse ka diçka tjetër për të shtuar, ai bën shaka: “Mos harroni të më sillni për të ngrënë, kur të më fusin në burg”.
Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/