Orë para mberritjes në Tiranë të ministres së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini, mazhoranca ka ndërmarrë një hap në funksion të ç’tensionimit të situatës politike, duke u treguar e gatshme për dialog me opozitën.
Pas një takimi mes kryeministrit Edi Rama, kreut të grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, kreut të LSI-së Ilir Meta, Ministri i Drejtësisë, Petrit Vasili si edhe Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, Engjëll Agaçi, u tha se “Koalicioni qeverisës është i gatshëm të dialogojë me opozitën për domosdoshmërinë e çuarjes përpara të këtyre reformave me interes kombëtar e publik, duke mirëpritur edhe çdo propozim konkret dhe realist të opozitës për procesin zgjedhor. Liderët e koalicionit shprehën gadishmërinë për të dialoguar me përfaqësuesit e opozitës në Kuvend apo në çdo tryezë dialogu që është e dëshirueshme për opozitën”.
Ky reagim vjen pas dy javësh protestë të opozitës para Kryeministrisë, në të ashtëquajturën “çadër të lirisë”. Deri më tani, mazhoranca pothujse e kishte injoruar çdo thirrje të opozitës, duke e akuzuar atë se më protestën e saj ka për qëllim bllokimin e Vetingut. /tesheshi.com/