Kjo është një periudhë qindvjetorësh fatkeqë. Së pari, në vitin 2014, u përkujtua nisja e luftës së parë Botërore, që shkatërroi rendin liberal. Më pas, në vitin 2016, përvjetori i betejës së Somës, një nga konfliktet më të përgjakshme të historisë ushtarake. Në vitin 2017, do të mbushen 100 vjet që kur Lenini erdhi në pushtet në Rusi. Puçi i Leninit solli një varg tragjedish: ngjitjen e Stalinit në pushtet, vdekjen e më shumë se 20 milionë njerëzve si rezultat i kolektivizimit të bujqësisë dhe industrializimit të detyruar dhe, pjesërisht, si reagim ndaj komunizmit, ngjitjen e Hitlerit, Musolinit dhe Frankos.
Që nga ditët e fundit të Luftës së Dytë Botërore dhe këtej, politika perëndimore u përkushtua për të garantuar që problemet që kishin prodhuar autoritarizmin, si në të majtë ashtu edhe në të djathtë, të mos ndodhnin sërish. Aleatët krijuan triadën e institucioneve globale – Bankën Botërore, Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Kombet e Bashkuara – që supozoheshin se do të stabilizonin ekonominë globale dhe do të parandalonin konfliktin. Pjesa më e madhe e vendeve ndërtuan ose përforcuan shtetin e mirëqënies sociale për të krijuar rrjeta sigurie apo shkallë mundësish. Amerika drejtoi një politikë të kontrollit që së pari kufizoi ekspansionin e Bashkimit Sovjetik dhe më pas çoi në rënien e tij.
Megjithatë, epoka e artë po vjen drejt fundit. Këto kohë, janë duke u ndjerë krismat e para nga e djathta më shumë sesa nga e majta, nga brexit-ersat në Britani dhe Donald Trump në Amerikë. Mirëpo, ngjashmëritë midis rënies së rendit liberal në vitin 1917 dhe kohës së sotme janë të zymta. Ato nisin me atmosferën e “fundit të shekullit” që ekzistonte në atë kohë, 40 vjetët përpara revolucionit rus ishin vite të triumfalizmit liberal. Tregtia e lirë që drejtohej nga Britania e bashkoi botën. Demokracia liberale triumfoi në Britani dhe në Amerikë dhe dukej se ishte gjëja në horizont edhe në vendet e tjera. Vitet nga 1980-a kanë qenë një periudhë e ngjashme triumfalizmi. Globalizimi, drejtuar nga Amerika, avancoi pa pushim. Numri i vendeve që u kualifikuan si demokraci u shumëfishua. Politikanë në të majtë e në të djathtë konkurronin për të shfaqur besnikërinë e tyre ndaj “konsensusit të Uashingtonit”.
Botës, fatmirësisht iu kursye një luftë tjetër e përgjithshme (edhe pse pjesë të Lindjes së Mesme janë në flakë). Por paralele të tjera janë gjithashtu të dukshme. Në Amerikë, Trump premton të ngrijë me një të rënë të cfurkut të gjithë rendin global liberal: jo vetëm tregtinë e lirë dhe vlerat liberale, por gjithashtu edhe aleancat globale kundër regjimeve mashtruese. Në Britani, kryeministrja Theresa May po përpiqet të shpëtojë vendin e vet nga Bashkimi Europian. Fitorja e Trump do të trimërojë autoritaristë të tjerë perëndimorë si Marine Le Pen dhe do të forcojë autoritaristët anti-perëndimorë, si Vladimir Putin. Ky i fundit është shumë më tepër trupëzim i shpirtit të epokës sesa presidenti amerikan i larguar tashmë, Barack Obama.
Një pjesë e fajit qëndron në gënjeshtrat e justifikuara si rastësi. Demokratët mund të mos i kishin humbur zgjedhjet nëse nuk do të nominonin Hillary Clinton-in, personifikimin e mjedisit të kalbur, dhe Britania mund të mos përgatiste largimin nga BE nëse David Cameron nuk do të kishte ndërmarrë vendimin fatal për të eksperimentuar demokracinë e drejtpërdrejtë. Por edhe vetë rendi liberal mban një pjesë të fajit.
Ekonomia globale ka dhënë tepër përfitime për më të pasurit: në Amerikë, proporcioni i të ardhurave pas taksimit për 1 përqindëshin u dyfishua nga 8 për qind në vitin 1979 në 17 për qind në vitin 2007. Dhe në shumë mënyra, e ardhmja duket edhe më keq. Rritja e produktivitetit është ngadalësuar. Të paktën vetëm nëse kjo ndryshon, politika mund të shndërrohet në mënyrë të pashmangshme në një luftë për të ndarë byrekun. Gjigandët e teknologjisë si Google dhe Amazon gëzojnë pjesë të mëdha të tregut të papara që nga fundi i shekullit të 19-të, në epokën e baronëve grabitqarë.
Si mundet që liberalët të shpëtojnë atë që ka mbetur nga rendi liberal? Pjesë e zgjidhjes qëndron në të qënit më energjik në mbrojtje të tij – për shembull, duke nënvizuar se globalizimi ka nxjerrë miliona njerëz nga varfëria dhe se përmbysja e tij mund t’i bëjë sfidat e sotme ekonomike akoma edhe më të vështira.
Pjesë e zgjidhjes është edhe ekspozimi i armiqve të liberalizmit si tigra prej letre që janë: Putin, në mënyrë të veçantë, mbizotëron me anë të frikës dhe mashtrimit, në një vend, pushteti ekonomik i të cilit ka ngecur në vend dhe populli i të cilit përndiqet nga varfëria dhe sëmundjet. Të fortët e tjerë nëpër botë janë shumë më pak të tillë sesa pretendojnë.
Por, kampionët e liberalizmit duhet të bëjnë më shumë sesa të përsërisin mantra të lodhura. Ata duhet të shqetësohen më seriozisht për emigracionin dhe të kontrollojnë instiktin e tyre ndaj sjelljes së vrazhdë për minoritetet. Ata gjithashtu, duhet të ridyfishojnë përpjekjet e tyre për të ndrequr problemet më të dukshme të kapitalizmit. Përqëndrimi ekonomik po lejon kompanitë të tërheqin përfitime rekord. Mbirregullimi po huton njerëzit e biznesit. Rigjallërimi i bolshevizmit tashmë ka një bilanc të tmerrshëm. Liberalët kanë nevojë të mendojnë më qartë dhe të veprojnë me më shumë vendosmëri, për të ndaluar kalbëzimin.
Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/