Për rikthimin e Shën Sofisë, ose Haghia Sophia, në xhami, folën shumë këto ditë. Foli dhe Papa Françesku. Disa folën pa ditur asgjë rreth të vërtetës së këtij objekti kulti në zemër të Stambollit, ndërtuar që në vitet 500 nga Perandori romak Justinani, pikërisht për atë të vërtetë që lidhet me kalimin e saj nga katedrale ortodokse në xhami.
Disa folën dhe duke e ditur të vërtetën, atë që i bën me nder në fakt osmanët, e që njëherësh turpëron tjetërkënd. Ndaj, Papa Francesku s’duhet të ish mes atyre që reaguan dhe ndjenë dhimbje për rikthimin e Shën Sofisë në xhami. Kjo pasi paraardhësit e tij kryqtarë, katolikët romanë, janë përdhosësit e asaj katedraleje.
Në kryqëzatën e 4-ët, në 1204-ën, Kostandinopoja dhe Shën Sofia u sulmuan egërsisht, ku tempulli u plaçkit dhe ç’nderua dhe fetarisht, duke bërë që ta hapej një tjetër kapitull konflikti mes dy Kishave, asaj Romane (katolike) dhe asaj Bizantine (ortodokse).
Për ta përshkruar atë që ndodhi, mjaft të lexohen disa pasazhe nga një prej kryeveprave të Umberto Eco-s, “Baudolino”-ja. Ndër të tjera, aty Eco ndërfut figurën e Salaudinit të famshëm, ish-çliruesin musliman të Jerusalemit, duke e cilësuar si “të bukur”, në një krahasim me Baudolinon.
Dhe ajo ç’ka ka hequr Shën Sofia prej kryqtarëve, as që ka ndodhur me osmanët. Asnjë cenim, asnjë dëmtim, ruajtje dhe përkujdesje, sapo u futën në Kostandinopojë, ku gjithashtu, askujt nga populli, si dhe nga klerikët, s’ju prek asnjë fije floku.
Pos kësaj, Shën Sofia nuk u rrëmbye por u ble, ndryshoi pronësi, e shitur pa asnjë detyrim apo shtrëngesë, nga Patriarkana Ortodokse e kohës. Kjo e fundit gjendet në Stamboll, ç’prej atëhere, duke patur nën pronësi e menaxhim me dhjetra kisha shekullore. Por jo Shën Sofinë. Atë s’e ka pronë. Nëse do e kishte, do e kishte marrë që në kohën e kthimit të saj në muze. Ose së paku do kish bërë zhurmë për të. Por jo.
Çështja e Shën Sofisë është thjeshtë në intepretim dhe sqarim: rikthimi i saj në xhami, është rikthimi i pronës te i zoti. Kaq.
Në një qasje tjetër, s’ka kurrfarë vend për dëshpërim, as nga Papa e as nga të tjerë klerikë: nëse është ndërtuar për t’u adhuruar Zoti, pikërisht kjo do ndodhë sërish me të; nga besimtarë që ndoshta i duan e i referohen kumteve të Jezuit e Marisë më shumë se sa ata që kanë zotizuar. Nëse nuk është ndërtuar për adhurimin e Zotit por për diç tjetër, ku ka më mirë se aty të adhurohet Zoti. Dhe kjo do ndodhë këtej e tutje.
Por dhe njëherë: Shën Sofia është “kthim i pronës te i zoti”.
Më poshtë, ja arsyeja se përse Papa Françesku, së paku për këtë çështje, do ishte mirë të heshtte.
“O Jezu Krisht, ç’ankth dhe vuajtje pësuam! Por si dhe përse oshëtima e detit, errësimi dhe nxirrja e plotë e diellit, e kuqja brerore e hënës, lëvizjet e yjeve s’na kishin paralajmëruar për këtë gjëmë të fundit? Në këtë mënyrë qante Niçeta, mbrëmjen e së martës, duke lëvizur përhumbshëm në atë që kishte qenë kryeqytetii romakëve të fundit, nga njëra anë duke u munduar t’u shmangej hordhive të të pafeve, nga ana tjetër duke e gjetur rrugën përherë të mbyllur nga vatrat e reja të zjarrit, i dëshpëruar që s’mund të gjente udhën për në shtëpi dhe i frikësuar se mos ndërkohë, ndoca prej atyre horrave kërcënonin familjen e tij.
Më në fund, aty afër natës, duke mos guxuar të kalonte kopshtet dhe hapësirat e lira mes Shën Sofisë dhe Hipodromit, duke vrapuar për nga tempulli, duke parë të hapura portat e mëdha dhe duke mos e marrë me mend se inati barbarëve do të kishte mbërritur deri aty, sa të përdhoste dhe atë vend.
Por, pasi hyri, filloi të zbehej nga tmerri. Ajo hapësirë e madhe ishte e mbushur me kufoma, mes të cilëve kalëronin armiq të dehur tapë. Fundërrinat ishin duke thyer me goditje topuzësh kangjellin prej argjendi të tribunës, të lyer me ar. Predikatorja e mrekullueshme ishte e lidhur me litarë për t’u shkulur dhe për t’u tërhequr tej nga një rresht mushkash. Një bandë të dehurisht cytnin kafshët, duke i nëmur, por thundrat e tyre rrëshqisnin mbi dyshemenë e lëmuar. Të armatosurit nxitnin në fillim me majë dhe pastaj me teh kafshët e gjora, të cilave iu shpëtonin bajgat prej frikës, disa binin përtokë dhe thyenin ndonjë këmbë, kështu që e gjithë hapësira rreth predikatores ishte një llum gjaku dhe ndyrësish.
Grupe të asaj pararoje Antikrisht lëshoheshin si qentë kundër altarëve. Niçeta pa të shqyenin një tabernakull,të rrëmbenin kupa, të hidhnin përtokë gjërat e shenjta, me majë të thikës hiqnin gurët që zbukuronin kupat, i fshihnin nëpër rroba dhe i hidhnin tej kupat në një furrë të përbashkët, e destinuar për t’u shkrirë. Por disa, në fillim, duke u zgërdheshur, merrnin na shala e kalit të tyre nga një faqore plot me verë,e hidhnin në vazot e shenjta dhe e rrëkëllenin, duke parodizuar lëvizjet e një meshtari. Më keq akoma, në altarin e madh tashmë të zhveshur, një kurvë gjysmëlakuriq, e turbulluar nga ndonjë pije, kërcënte këmbëzbathur mbi sofrën e kungimit, duke imituar me tallje ritet e shenjta, ndërsa burrat qeshnin dhe e nxitnin që të hiqte dhe rrobat e fundit; ajo, pak nga pak duke u zhveshur, ishte vënë të kërcënte përballë altarit të vjetër vallen mëkatare të komedisë greke dhe në fund ishte hedhur, duke gromësirë e lodhur, mbi fronin e patriarkut.
Duke qarë për gjithë atë ç’ka shikonte, Niçeta kishte nxituar për nga fundi i tempullit, ku ngrihej ajo që mëshira popullore e quante Kolona e Djersës…”
“….Kështu në ato çaste Niçeta e pa veten të vdekur, qau familjen që e kishte humbur dhe i kërkoi Zotit të Gjithëpushtetshëm falje për mëkatet e tij. Dhe, pikërisht në atë çast n ë Shën Sofia hyri Baudolino.
U shfaq i bukur si një Saladin (Salaudin Ejubi), mbi një kalë pa vithanike, me një kryq të madh në gjoks, me shpatën zhveshur, duke bërtitur “barkderra, ulkonja, vdekatarë, blasfemues të pështirë, derra të fëlliqur, kjo është mënyra për t’i trajtuar gjërat e Zotit tonë?”. /tesheshi.com/
Marrë nga “Baudolino” i Umberto Eco-s