Spanja po tejkalon veten më shumë se çdo herë tjetër në fshirjen e kujtimit të gjeneralit Francisko Franko, diktatorit që drejtoi vendin nga vitet 1930 deri në vitin 1975, pas dy zgjedhjeve të vitit të kaluar që riformatuan hartën politike. Dhe kryeqyteti Madridi qëndron në krye të përpjekjes.
Vetëm pak vite më parë, do të ishte qenë e pamendueshme që një anarkist të mund të nderohej duke i dhënë emrin një rruge në kryeqytetin spanjoll. Por, dy javë më parë këshilli bashkiak i Madridit ra dakord në mënyrë unanime të emërtojë një rrugë në nder të njeriut të njohur si Ëngjëlli i Kuq, Melchor Rodriguez Garcia.
Ende nuk është vendosur se cila rrugë do të mbajë emrin e Rodriguez, mirëpo do të jetë një nga rrugët që mban aktualisht shoqërizim të emrit me periudhën e diktatorit Franko. Mes alternativave nuk përjashtohet as sheshi Caudillo, i quajtur kështu në nder të vetë “shefit” dhe gjeneralëve të tjerë famëkeq të Frankos.
Një total prej 35 rrugësh do të ndryshojnë emrat deri në fund të vitit të ardhshëm për t’i dhënë qytetit një fytyrë më “pluraliste, demokratike dhe të ndryshuar”. Emrat zëvendësues do të përfshijnë më shumë gra – pasi ato janë zëre të padukshme në hartën e rrugëve të qytetit – si dhe viktima të terrorit.
Pas ardhjes në pushtet në zgjedhjet e vitit 1936 të majtistëve të Frontit Popullor, Franko dhe gjeneralë të tjera realizuan një grusht shteti që nxiti luftën civile trevjeçare spanjolle.
Me mbështetjen e nazistëve gjermanë dhe Italisë së Musolinit, Franko fitoi luftën në vitin 1939 dhe vendosi diktaturën, duke e shpallur veten kreun e shtetit – “El Caudillo”. Franko e mbajti pushtetin deri sa ndërroi jetë në vitin 1975, vit pas të cilit Spanja kaloi tranzicionin drejt demokracisë.
Ndasitë bardh e zi të luftës civile kanë qenë të pranishme në jetën spanolle, por deri më tani politikanët kanë bërë shumë pak për të sfiduar paktin e pashkruar të Harresës, të dakordësuar nga dy partitë kryesore – partia Popullore në të djathtë dhe partia Socialiste në të majtë – të cilat kanë qeverisur vendin që nga rikthimi i demokracisë.
Njerëzit pothuajse nuk e përmendin luftën. Është e zakonshme për spanjollët të ulin zërin kur përmendet Franko në publik. Dhe ndërsa rrugët që mbanin emrin e Frankos janë riemërtuar dhe statujat publike të tij janë larguar nga rrugët, xhelatët e tij shpesh kanë vijuar të nderohen.
Një ligj për Kujtesën Historike miratuar në vitin 2007 nga qeveria socialiste e Jose Rodriguez Zapatero i dizenjuar për të çuar më tej “defrankizimin” e Spanjës shpesh është injoruar – si p.sh në Madrid ku partia Popullore ka qeverisur për gati 24 vjet deri majin e vitit të kaluar.
Por, tashmë që dy partitë e mëdha kanë humbur kontrollin e përgjithshëm në Madrid dhe në shumë qytete të tjera, pakti i Heshtjes është çjerrë. Partia e krahut të majtë Podemos, në veçanti, kërkon që ata që kryen krime në periudhën e Frankos të përballen me Drejtësinë e të rihapen varret e kohës së luftës. Ka presion edhe nga grupe të tjera për ngritjen e një komisioni të së Vërtetës dhe Pajtimit, i ngjashëm me atë të Afrikës së Jugut, pas përfundimit të Apartejdit.
Melchor Rodriguez Garcia mund të jetë e vetmja figurë politike e periudhës së luftës civile, emri i të cilit do të shfaqet në një pllakatë rruge, pasi janë të paktë figurat e kësaj periudhe që admirohen nga të gjitha palët. Në ndryshim nga kolegët e tij politikanë, ai ishte një pacifist. “Mund të vdesësh për një ide, por mos vrit kurrë”, është një shprehje e tij.
Si drejtor i përgjithshëm i burgjeve të Madridit në fillim të luftës civile, Rodriguez rrezikoi jetën në një burg në periferi të kryeqytetit për të mbrojtur të burgosurit fashistë nga linçimi prej një turme të armatosur. Turma sulmoi dyert e burgut dhe kërkoi që t’i dorëzoheshin të burgosurit, por ai u tha njerëzve se më mirë do të armatoste të burgosurit sesa të pranonte në heshtje kërkesën.
Pasi Franko mori kontrolline vendit, ai u fal e nuk u ekzekutua e as u dëbua por jetoi si një aktivist në Madrid deri sa ndërroi jetë në vitin 1972.
Stuart Christie është një aktivist skocez që u burgos për futjen e eksplozivëve në Spanjë për një komplot për vrasjen e Frankos në vitin 1964, u fal tre vjet pas dënimit me 20 vjet burg për shkak të presionit dhe dëshmisë së vetë Rodriguez në favor të tij.
“Jam shumë i kënaqur të dëgjoj se puna humanitare e Melchor gjatë luftës civile më në fund është vlerësuar zyrtarisht”, tha Christie.
Por, nuk është vetëm Madridi që me vendime të këshillit bashkiak po merr vendime të tilla, 42 vjet pas vdekjes së Frankos, për të riemërtuar rrugët e qyteteve.
Një tjetër shembull vjen nga qyteti i respektuar Nerja në Costa del Sol, vendlindje e një numri ish-frankistësh të lartë. Qyteti në fund të janarit vendosi të heqë emrat e dy gjeneralëve të papëlqyeshëm, Cabanillas and Alted.
Gjenerali Carlos Asensio Cabanillas luftoi përkrah gjeneralit Juan Yague, i cili njihet si Kasapi i Badajozit për një masakër të gushtit 1936 kur me mijëra civilë u vranë me automatik brenda një arene të luftimeve me buaj.
Pas këtij sulmi, Cabanillas me urdhët të Yague ndërmorri një përparim të përgjakshëm drejt Madridit dhe rrethoi qytetin. Ai shërbeu më pas si ministër i Luftës dhe ndërroi jetë në vitin 1970.
Gjenerali Alted, ndërkohë, urdhëroi sulme të pamëshirshme nga ajri dhe deti mbi mijëra qytetarë që largoheshin nga Malaga drejt Almerias në shkurt 1937, gjatë të cilave vlerësohet se janë masakruar nga 3 mijë deri në 5 mijë njerëz.
Si për rastësi, një ish-ministër i Frankos, Jose Utrera Molina që shkaktoi zemërim ndërkombëtar duke urdhëruar ekzekutimin e fundit në botë me gijotinë në vitin 1974, jeton në rrugën Cabanillas në Nerja, ku i ka mbijetuar përpjekjeve të Argjentinës për ta ekstraduar atë dhe 19 të tjerë nën akuzën e krimeve të luftës. Telefonatat drejt shtëpisë së tij të madhe, e të rrethuar nga pishat për një koment në lidhje me ndryshimin e emrave të rrugëve, mbetën pa përgjigje.
Rezistenca ndaj ndryshimit të emrave kanë ardhur nga gjithë krahu i djathtë në Spanjë në shkallë të ndryshme. E djathta ekstreme “Fondacioni Kombëtar Francisco Franco” kërcënoi se do të padisë të gjithë kryebashkiakët dhe këshillat bashkiakë që zbatojnë ligjin e kujtesës Historike të vitit 2007 që mes të tjerash, detyron autoritetet lokale të zhvendosin simbolet fashiste dhe objekte të tjera që konsiderohen ofenduese nga hapësirat publike.
Dhjetë ditë të shkuara, kur këshilli bashkiak i Madridit nisi heqjen e një numri monumentesh të kohës së Frankos, qeveria rajonale e drejtuar nga partia Popullore kundërshtoi prerë, dhe masat u pezulluan. Por ndryshimi i emrave mund të jetë një fillim.
Tashmë që marrëveshja 40-vjeçare për të qëndruar në heshtje është sfiduar, Spanja mund të shkojë më tutje në hetimin e të kaluarës së saj problematike.
Gjenerali Franko ndërroi jetë në vitin 1975 pas një sëmundje të gjatë. Për të mbajtën zi me miliona spanjollë konservatorë, por ata në të majtë festuan rrëzimin e një fashisti që dikur kishte qenë aleat i Hitlerit dhe Musolinit. Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/