Nga Bardha Nergjoni
E keni dëgjuar të flasë për një sëmundje që nuk duam as t’i përmendet emri dhe që për të shpëtuar themi “larg qoftë”. Është ndoshta një nga onkologet më të njohura në vend dhe ndër të rrallat gra kirurge në Shqipëri. Ka zgjedhur profilin më të vështirë dhe i është dashur të sakrifikojë shumë në jetën e saj, por ia ka dalë të jetë e suksesshme, dhe sot është një ndër aksioneret e një spitali privat shqiptar në rrjetin e spitaleve më të mira në Itali.
Kirurgia Ervehe Dervishi flet për herë të parë për jetën e saj, karrierën dhe eksperiencat e rralla, të dhimbshme dhe ato të voglat mrekulli që ka arritur të shndërrojë me bisturinë e saj. Gjithmonë e kemi dëgjuar të flasë për kancerin dhe sidomos atë të gjirit, por asnjëherë për veten. Ka gati 36 vjet në sallën e operacionit dhe ka investuar kohë, dëshira, përkushtim, përditshmëri, studime për të qenë gjithmonë e para.
Edhe pse sot ka privilegjin të jetë në një pozicion më komod si drejtimi i një spitali, kirurgen e njohur e gjen shpesh në sallën e operacionit për t’u kujdesur që gjithçka të shkojë mirë. Veku, siç edhe e njohin të gjithë, është imazhi perfekt i mjekes që humanizmin e ka në shpirt, e transmeton në sytë e saj dhe e përcjell nëpërmjet profesionalizmit përballë sëmundjes që ende nuk ka një kurë përfundimtare. Ajo lufton çdo ditë me tumoret dhe sfidat e saj profesionale. Kohën e lirë sërish e kalon mes spitalit, konferencave dhe kongreseve edhe pse tashmë është një gjyshe e lumtur.
Dr. Veku, ju në fakt keni jetuar pjesën më të madhe të jetës në Tiranë por vendlindja është diku tjetër. Si e keni nisur rrugëtimin e specialitetit tëe kirurgjisë?
Unë kam lindur në Vlorë. Në Tiranë kam ardhur vitin 1973 kur fillova fakultetin e Mjekësisë. Studimet i kam përfunduar në vitin 1980 dhe më pas jam emëruar si kirurge onkologe pranë shërbimit onkologjik të Tiranës.
Studimet i kam përfunduar ndërkohë që isha martuar dhe nënë e një djali, që ka ndjekur rrugën time duke u bërë kirurg ORL. Jam gjyshe me një nip dhe një mbesë. Ndjehem shumë e lumtur me familjen time.
Në vitet 80-84 kam bërë specializimin në klinikën e parë ku shef i klinikës ishte profesor Gaçe. Unë kam qenë shumë e lidhur me profesorin por njëkohësisht i jam shumë mirënjohëse profesoreshës sime Rrushen Golemi. Unë ndjehesha si vajza e saj. Hapat e para si ato të fëmijës, që e ndihmon nëna, mi ka mësuar Rrusheni. Kur kam hyrë në sallë për herë të parë dorën ma ka dhënë Rrusheni dhe i jam shumë mirënjohëse. Gjithashtu, i jam mirënjohëse prof. Gaçes sepse ai ishte një njeri shumë profesional, me horizont e ndryshe nga të tjerët. Prof. Gaçe bënte diferencë nga mjekët e tjerë në atë kohë.
Pse zgjodhët specialitetin si onkologe kur konsiderohet ndoshta si profili më i vështirë?
Pasi mbarova specializimin 4-vjeçar në klinikën e parë tek “Nënë Tereza”, kalova në shërbimin tjetër, atë onkologjik. Aty fillova të bëja kualifikimin tjetër. Onkologjia ishte eksperiencë aq sa e bukur por gjithashtu edhe e dhimbshme. Në atë kohë shumica nuk e preferonin onkologjinë sepse kërkonin të kishin specialitete më të bukura si përshembull: okulistika, kardiologjia, dermatologjia, të cilat ishin më të thjeshta. Unë isha pak kundër rrymës atëherë, doja të bëja gjërat më të vështira. Kam qenë shumë e pasionuar pas kirurgjisë.
Zgjedhja në fakt nuk ishte e imja. Kur mbaruam fakultetin u bë një ndarje. Ata që kishin mesataren mbi tetë e gjysëm qëndruan në Tiranë në qendrat publike universitare. Të tjerët u shpërndanë në rrethe. Ndarja e personelit ishte krejtësisht ndryshe në atë kohë. Përfundoje fakultetin dhe në bazë të studimit të nevojave që kishin zonat do të kishe dhe specializimin. Po kështu të binte rradha të shkoje në Kukës, Tropojë, etj. Dhe mua më ra detyra të shkoja në Skrapar. Isha mjeke e re në atë kohë sa kisha dhënë provimin para komisionit të mjekëve. Pra, spostohem në Skrapar sapo kam marrë diplomën si kirurge e përgjithshme. Atje kam pasur asistent timin, Mond Zaimin që ishte ende student në vitin e tretë dhe ne hynimin dhe operonim bashkë. Ai në fakt për çudi nuk u bë kirurg por kardiolog shumë i njohur sot. Nga ajo kohë veç vështirësive kam edhe kujtime të bukura.
Duhet të keni parasysh që në Tiranë operacionet bëheshin nëpërmjet intubimit të anestezisë dhe unë kam operuar me eter me pika. Kisha vetëm një ndihmës mjek, Metin, që bënte anestezinë pra që jepte eterin me pika. Në atë kohë më vjen një rast urgjent me një ngatërrim zorrësh që shoqërohej me dhimbje të fortë të barkut. Isha e vetmja kirurge në spital dhe dy zgjidhje kasha: ose do ta dërgoja në Berat ose ta operoja vetë. Vendosa ta operoj dhe hyra me asistentin tim në sallë. Kur je i ri rrezikon pasi di më pak. Sa më shumë të rritesh dhe sa më shumë të dish aq më shumë mendohesh për të marrë një vendim.. Ishte i pari operacion vetëm pasi në QSUT operoja bashkë me një staf mjekësh. Nuk e di si e kam realizuar atë operacion. Kam një aftësi që operoj shpejt. Gjithçka shkoi shumë mirë. Unë qëndrova vetëm tre muaj atje dhe u riktheva në Tiranë.
Sa e vështirë është të jesh kirurge onkologe?
Sapo u ktheva fillova specializimin në fushën e onkologjisë. Atëherë ndaheshin specialitetet dhe mua më ra onkologjia. Kemi qenë një brez shumë i mirë studentësh. Shumica e brezit tim u bënë kirurgë reanimatorë, etj. Onkologjia është shumë e vështirë dhe mbi specialitetet e tjera pasi jepje edhe disa provime shtesë dhe të njihej si kirurge e specializuar.
Tashmë për mua ishte më e lehtë tashmë në krahasim me fillimet. Kishte raste që më thonin “Rrusheni i vogël” pasi i rrija gjithë ditën mbrapa mjekes së njohur. Kur fillova të operoj për herë të parë në kirurgjinë e onkologjisë fillova të ndjej ato kënaqësi që ndjeja në kirurgjinë e përgjithëshme.
Fillimisht ishte shumë e vështirë. Ishte e vështirë të gjymtoje një grua si për shembull t’i hiqje një gji. Onkologjia është shumë e rëndë sepse i bie të gjymtosh një njeri. Gjithmonë duke menduar që gjymtimin do ta bëjë për një arsye të fuqishme e cila është jeta, atëherë të gjitha këto mjeku i merr parasysh. Mund të tregoj një histori shumë të dhimbshme që më ka ndodhur në atë kohë.
Më vjen një vajzë me një tumor të kockës të krahut të majtë. E kisha planifikuar për operacion pasi ishte bërë biopsia. Çfarë operacioni do të bëja?! Duhet t’i hiqja krahun kësaj vajze. Unë lotoja dhe i gjithë stafi gjithashtu. Vajza gjithashtu më lutej: “Doktoresha, të lutem nuk të vjen keq që do më heqësh krahun!”. Dal jashtë dhe mbaj mend që ka ardhur Adelina Mazreku e cila më thotë: “vajza pret shërim nga ty duhet të futesh”. E bëra operacionin dhe shkoi shumë mirë. Janë vitet 94-95. Në atë kohë vajza ishte 16 vjeç ndërsa tani është bërë nënë e ka një jetë të lumtur në Fier. Do një natë e një ditë t’i tregoj ato shumë histori që më kanë ndodhur.
Ju keni studiuar, jeni specializuar, keni zhvilluar me mijëra operacione. E ka ndjerë familja vështirësinë e profesionit? A ju është dashur të sakrifikoni jetën familjare?
Për ta kuptuar sakrificën do ju kujtoj vetëm një histori. Kur djalit tim i thonin: “Pse nuk ke një motër?”, ai justifikohej me faktin se nuk donte ta shanin nga motra. E në fakt nuk kishte ç’të thoshte. Jeta ime familjare ka qenë e tillë. Djalin ma ka rritur nëna në Vlorë. Ne rrinim roje në spital një natë po e një natë jo dhe shpesh na kthehej në shaka shprehja “rrimë për një copë zorrë”.
Atëherë në kohën tonë gjithçka bëhej manuale me ato penjtë e këqinj të Shkodrës. Tani është më komode gjithçka. Ne kemi vuajtur shumë në këtë drejtim. Nuk kishim as monitore për të dhënat jetësore e as për gjërat më të vogla. Ka qenë një mjekësi me shumë përgjegjësi dhe vërtet ka pasu mjekë shumë të mirë. Nuk kishim aparaturat e sotme. Kishte vetëm një radiologji të thjeshtë dhe ne shumicën e diagnozave i vendosnim me dorë.
Pra në këtë drejtim duhet të sakrifikoheshe, pasi nëse do bëje një hap mbrapa të tjerët ecnin. Unë nuk mund të pranoja që një kolegu im mashkull të bënte më shumë se unë. Kam qenë shumë egoiste në punën time dhe ndoshta kjo më ka ndihmuar të arrij aty ku synoja.
Këtë fakt e ka vuajtur shumë edhe familja. Djalin e mora vetëm në moshën e shkollës nga nëna ime. Për fat të mirë që ka qenë një fëmijë i mbarë dhe që ka pasur ndihmën e tim shoqi që ishte piktor.Unë shkoja në shtëpi e nuk gatuaja, i gjeja të gjitha gati. Më ka dhënë shumë suport im shoq aq sa nuk ka ku të shkojë. Shkoja në shtëpi me lodhjen e operacioneve dhe me stresin e telefonatës natës. Të sëmurët me kimioterapi kishin komplikacione dhe, një ndër komplikacionet e rënda ishte shpimi i zorrëve për shkak të kimiopreparateve që merrnin. Ne nuk kishim mundësi t’i mbronim njerëzit nga ky mjekim, ndërsa tani nuk ndodhin më gjëra të tilla. Janë më të mbrojtur njerëzit në kimioterapi tani.
Ju kujtoj një rast se çfarë mund të na ndodhte. Instrimentalja ose infermjerja ime, ajo që më asistonte, po martohej dhe në kohën që do ndahej torta ne na kanë marrë në telefon për një komplikacion dhe kemi shkuar e kemi e kemi realizuar operacionin. Nga dasma shkuam të gjithë bashkë në spital, aq sa dhe nuk do ta besoni që për ne ishte kthyer në kënaqësi apo argëtim edhe suksesi i një operacioni. Argëtimet për ne mjekët nuk ishin shumë të mëdha. Teknologjia në atë kohë nuk ekzistonte.
Ju keni kaluar shumë vite në studime por edhe tani nuk keni hequr dorë. Çfarë këshille do t’i jepnit mjekëve të sotëm?
Mjeku gjithmonë është në shkollë. Një mjek që nuk e konsideron veten nxënës nuk mund të arrijë që të bëhet mjek. Mjeku duhet të investojë gjithçka në formimin deri në moshën 40 vjeç, në të kundërt nuk mund të bëjë më gjë pasi fillojnë hallet e familjes dhe nxënia nuk është si më parë.
Ju zhvillonit specializime edhe jashtë vendit?
Ne në atë kohë kishim edhe një plan specializimi jashtë vendit. Shkonim me muaj deri dhe vite jashtë në spitale shumë të mira. Unë kam qenë në Romë, në qendrën universitare të kryeqytetit italian. Në atë kohë shteti më paguante 3 mijë dollarë në muaj për specializimin tim, të cilat i përdorja për literaturë dhe për qëndrimin tim atje. Ndërkohë tani nuk ndodh më kjo gjë.
Në këto kushte, me këtë rrogë 300 apo 400 euro, mjeku nuk arrin dot të blejë një libër pasi do të duhet të kujdeset për familjen, qeranë, kostot e jetës. Vetëm regjistrimi në një kongres europian kushton deri në 800 euro. Mjeku gjithmonë duhet të punojnë për të qenë në një hap me shkencën.
Sot, ata që kanë mundësi financiare e vazhdojnë këtë rrugë dhe mbështeten nga prindërit ende. Nëse mjeku stopon studimin, ngelet shumë mbrapa.
Sa operacione mund të keni realizuar?
Nuk kam numëruar operacionet, por di të them se kam punuar në shtet deri në vitin 2008. Pas këtij viti jam shkëputur për t’u bërë presidente e drejtuese mjekësore e këtij spitali. Llogarisni që deri në vitin 2008 kam operuar 2-3 operacione në ditë. Pra janë me mijëra. Edhe këtu vazhdoj ta ushtroj profesionin tim të kirurges. Kënaqësia ime është salla e operacionit. Jam gjithmonë në aktivitet.
Ka një shtim të rasteve të kancerit, po të kancerit të gjirit?
Në tërësi kanceri është në rritje. Këtu flas për disa lloj kancerësh si ai i gjirit, gastrointensinal, të lëkurës, të mushkrive, etj. Kanceri është ulur në moshë. Nëse dikur ishte mbi 45 mosha më e prekur sot ka edhe plot raste tek moshat e reja. Nëse do të përqendrohemi tek kanceri i gjirit do të thoja që është mëiI ndjeshëm në popullsi. Kjo ndodh pasi gruaja është më e vëmëndshme ndaj vetes së saj. Ndërkohë për kancerin e organeve të brendshme duhet të kesh klinikë që ta zbulosh.
Lehtësia e dioagnostikimit bën që të marrë prioritet ky lloj kanceri. Është vërtet që ka një rritje. Sot numërojmë 550 deri 600 raste të reja në një vit. Sigurisht që kemi një shpresë! Kush është shpresa e kësaj sëmundjeje? Është fakti që ne synojmë të arrijmë t’a bëjmë kronike këtë sëmundje sikurse janë diabeti, tensioni, sëmundjet e zemrës. Gjithmonë shkenca ecën përpara. Ne bëjmë të pamundurën dhe, nëse fiton tre vjet jetë pas tre vitesh nuk dihet çfarë zhvillimi do të ketë në shkencë.
Ka ndryshuar mentaliteti e sidomos tek gratë?
Në kohën që kam filluar unë është e tmerrshme si vinin gratë me kancer gjiri. Jetonin në familje me mentalitet të mbyllur dhe vinin me plagë e deri me hemoragji dhe vdisnin. Ne në këtë kohë flasim për faktin se gruaja pa patur shqetësim të shkojë tek mjeku.
Pra, njerëzit që kanë në gjakun e parë një kancer të ezofagut, të stomakut apo të mëçisë, melanomë, tiroide etj. duhet të bëjnë një vlerësim të përgjithshëm. Është mirë të zbulosh në kohë e të parandalosh. Në rastet e vona risqet bëhen shumë të larta dhe garancia e shpëtimit është shumë më e vogël. Qëllimi është sa më herët aq më mirë.
Nëse e kap në një gjendje prekanceroze në milimetra, jetëgjatësia është maksimale dhe kostot minimale. Diagnostikimi sa më i shpejtë i tumoreve të organizmit është rruga ku duhet të shkojmë të gjithë si shoqëri.
Keni histori operacionesh të suksesshme kohët e fundit? Cilat janë rastet kur mund të bëhesh trim dhe të thuash që po ja dolëm?
Para tre javësh na ka ardhur një kancer digjestiv. Operacioni u krye dhe tani do t’i nënshtrohet kimioterapisë. Po kështu kemi pasur një kancer zorrës së trashë dhe gjithçka ka shkuar mirë. Me kancerin përballemi përherë dhe gjithmonë më ka pëlqyer të bëj më shumë për kancerin e gjirit sepse është më bukur. Është një kancer që kapet herët, studiohet shumë mirë dhe në raste të rralla mund të heqësh gjirin.
Ne si spital kemi bërë maksimumin drejt diagnostikimit të hershëm. Jemi të lidhur me Institutin Evropian Onkologjik të Milanos. Kur ndjejmë vështirësi ekzaminimet I dërgojmë atje dhe përgjigja na vjen për 5 ditë. Grupi Vila e Maria ka 35 spitale në botë. Disponon specialitete të larta në shtyllat më të rëndësishme të mjekësisë.
A keni bërë ndonjëherë pushime?
Mos prisni të them që bëj pushime si shumica. Pra të rri në diell në plazh. Jam çdo ditë në spital madje edhe në fundjavë. Nuk bëj dot as pushime. Dua ta kem gjithmonë situatën në kontroll. Pushimet e mia kanë qenë pjesmarrja në konferenca dhe kongrese ku kam qenë shumë aktive. Nuk kam shkuar në hotele me 5 yje por kam përfituar duke qëndruar më shumë ditë në qytete të ndryshme. /tesheshi.com/