Deri para shkarkimit të katër ministrave, lëvizjeve siç i pëlqen Ramës t’i quajë, kur mes tyre ishte dhe Tahiri i urryer i opozitës, emisarë të Angela Merkelit kanë negociuar rregullisht me Bashën e Ramën, por kreu demokrat e ka shkelur një pakt të vendosur pas “prerjes së katër kokave” nga kundërshtari, një deriçkë kjo nga ku do kalonte një mundësi për mbylljen e çadrës me nder. Ja pra pse CDU e Merkelit është e zemëruar me simotrën e saj shqiptare kokëmushkë, PD-në…
Letra e funksionarit të lartë partiak të CDU-CSU, Franz Josef Jung, për Lulzim Bashën para një jave, nuk ishte e rastësishme. Ajo tregonte zhgënjimin e gjermanëve pas një invetimi të bërë më parë për të negociuar mes opozitës dhe mazhorancës në gjetjen e një zgjidhje për daljen nga çadra të PD-së, ku gjithçka është zhvilluar larg syve të publikut.
Burime nga Partia Demokratike thanë për tesheshi.com se para kësaj letre përfaqësues të CDU-së, partia e drejtuar nga Angela Merkel, kanë negociuar në Tiranë dhe në Berlin me Lulzim Bashën dhe Edi Ramën për gjetjen e një zgjidhjeje, në mënyrë që opozita të rikthehej në Kuvend dhe të futej në zgjedhje. Negociatat i ka udhëhequr Jung dhe Ministri i Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel me të cilin Rama u takua në Berlin më datë 10 mars.
Gabriel i tha Ramës se ne duam ta çojmë përpara përafrimin e Shqipërisë me BE duke saktësuar se “plani qëndron tashmë në tavolinë”. Besohet se fluturimi drejt Gjermanisë i Ramës është bërë pikërisht për këtë arsye. Burimet saktësojnë se me Bashën janë kryer biseda telefonike, si dhe është folur direkt me të nga përfaqësues të Bundesdagut gjerman gjatë vizitave të tyre në Tiranë.
Nga ana tjetër, në Tiranë negociatat me Bashën e Ramën janë udhëhequr nga një biznesmen i fuqishëm, i njohur për afërsinë me të dyja palët politike, dhe që ka lidhje tregtare me aksin Austri-Gjermani.
Shkarkimi i Tahirit dhe shkelja e paktit nga Basha
Negociatat parashikonin lëshimet që do të bënin të dyja palët: opozita do të hiqtë dorë nga kërkesa për qeveri teknike, ndërsa mazhoranca do të bënte lëshimet e saj si në ndryshimin e qeverisë e po ashtu dhe në ndryshimet ligjore për zgjedhjet që të garantonin kërkesat e opozitës.
Pjesë e lëshimeve që do të bënte kryeministri Rama ka qenë shkarkimi i ministrit të Rendit, Saimir Tahiri, njeriu më i atakuar nga opozita dhe që kishte lidhje drejpërdrejt me akuzat e saj për “përfshirjen e parave të drogës në zgjedhjet e reja”. Rama e mbajti fjalën dhe e shkarkoi Tahirin dhe jo vetëm. Ai shkarkoi dhe disa ministra të tjerë, gjithashtu të atakuar nga opozita, siç ishte rasti i ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, të cilin PD e ka paditur penalisht për konçensionet e shëndetësisë.
Por ajo që nuk prisnin gjermanët ishte “prerja në besë” që u bëri Basha. Edhe pas shkarkimit të ministrave që i jepte një fitore në tavolinë opozitës kreu i PD-së vijoi linjën e mëparshme duke kërkuar qeveri teknike, bojkot të Kuvendit dhe presion për bojkot të zgjedhjeve.
Burimet thanë se ashtu si dhe disa muaj më parë kur negociohej për Reformën në Drejtësi, ishte “kryetari në hije” i PD-së, Sali Berisha që ndikoi në prishjen e këtij pakti duke influencuar tek pasardhësi i tij benjamin.
Në këto kushte leta e zyrtarit të Berlinit për Bashën ishte një paralajmërim për opozitën, pas dështimit të ndërmjetësimit gjerman. Edhe më tej në letër Jung i shkruante Bashës se CDU është e gatshme ta ndihmojë me të gjitha forcat të djathtën shqiptare, për të ndërtuar ura dhe për të bërë gjithçka për të siguruar zgjedhje të drejta.
“E rëndësishme është të gjendet një rrugë e pranueshme nga të gjithë për të dalë nga kjo situatë e ngatërruar”, shkrunte Jung, duke nënkuptuar që në një negociatë secila palë bën lëshimet e saj.
Partia e Merkel është shfaqur shpesh si mbështetëse e PD-së, por mesa duket sjellja e Bashës po i nervozon të djathtët gjermanë. Nuk dihet nëse ka akoma mundësi që ata të përfshihen në një mision pajtimi në Tiranë.
Basha prej dy ditësh ndodhet në kongresin e PPE-së ku akoma nuk ka pasur asnjë shtrëgim duarsh me Merkelin, por ka marrë një tjetër “shuplakë” nga të djathtët e Europës. Në rezolutën e PPE-së kërkohej shprehimisht realizimi i reformës në drejtësi, e cila mbahet peng nga bojkoti i opozitës në Kuvend.
Në vendimet e tij radikale, Basha ka kuptuar se nuk ka mbështetje nga asnjë forcë europiane, por nuk ka gjetur akoma një mik që t’i ofrojë një zgjidhje për të hequr dorë…edhe gjermanët që e donin fort i kanë tërhequr veshin. /tesheshi.com/