Nga Shkëlzen Rrecaj
Për qindra vjet, nga brezi në brez, odat kanë qenë shkollat tona tradicionale. Nëpër to mblidheshin të tre brezat, pleqtë, burrat dhe të rinjtë. Të parët, pleqtë, ishin mësuesit. Ata i ushqenin me dashurinë për kombin, atdheun, fenë, gjuhën, flamurin dhe për vëllazërimin mes shqiptarëve në të gjitha trojet tona etnike.
Oda paraqet hapësirën ku mblidhen meshkujt e një familjeje apo fshati për të kuvenduar për aspekte të ndryshme shoqërore, familjare e politike. Aty janë marrë vendime të mëdha, janë pleqnuar çështje të rëndësishme, janë treguar histori, janë pajtuar gjaqe, është lidh besa për të luftuar pushtuesit. Aty janë hapur shkollat tona të para, në to rapsodët do t’i këndonin krijimet e tyre, të cilat do të përcilleshin gjer në ditët e sotme, kjo nënkupton se ato dikur kanë qenë edhe vende të argëtimit. Gjithashtu ajo ka shërbyer si dhomë e mysafirëve.
Fatkeqësisht, ky institucion dita-ditës po shuhet. Prandaj, ato që kanë rëndësi të veçantë e kanë vlera të trashëgimisë kulturore duhet të vihen në mbrojtje të shtetit.
Oda zakonisht është e ndarë nga shtëpia, edhe pse ka mundur të jetë brenda shtëpisë si dhomë më e përshtatur për pritjen e mysafirëve.
Për rolin e odave në jetën e shqiptarit janë dhëne mendime e përkufizime të ndryshme.
Për të na njohur më shumë rreth historikut të odave ne biseduam me etnologun dhe ciceronin e Muzeut Etnologjik të Prishtinës, Ilir Sopjani. Ai për tesheshi.com shprehet: “Oda, e njohur në traditën popullore shqiptare, si një vend me kuptim kulti është e të zotit dhe e mikut. Si e tillë njihet te. Prandaj, ajo është e hapur përherë dhe në çdo kohë për mikun e shtëpisë, kalimtarin e rastit, shtunakun, lypësin dhe gjakësin nëse e sjell puna. Ajo është vend për qëndrim të rastit, por dhe për gëzime e hidhërime; për kuvende e pleqni të ndryshme; për debate dhe ndeja burrash gjatë netëve të dimrit, etj.”
Më tej, z. Spojani tregon se traditat shqiptare e kanë konsideruar odën si një vend ku i bëhet pritje mikut dhe armikut, thënë shkurt, bukë e kripë e zemër për atë që të vjen mysafir në odë.
“Tradita shqiptare, duke e konsideruar odën si vend ku i bëhet pritje mikut dhe armikut dhe ku vihet në peshojë mikpritja dhe besa e bukës së dhënë, ku matet nderi dhe burrëria, të zotin e shtëpisë (që ishte pronari i odës) e konsideronin “mysafir” në odë të tij.”
Oda ishte obligim për të zotin e shtëpisë. Aty duhej që një mashkull shtëpie gjithmonë të qëndronte në mënyrë që dera të ishte hapur dhe sofra të ishte shtruar në çdo kohë, sa herë që e kërkonte nevoja. Edhe kur ngrihej sofra e darkës, buka me gashtër djathi e ca ushqime të tjera nuk ktheheshin prapa në shtëpinë e zjarrit. Ajo lihej në raftin e odës, me gjithë enën e mbushur me ujë, për mikun që mund ta sjellë nata e vonë. Ky i fundit e ka ditur zakonin sesi të thërriste t’zotin e shtëpisë te porta e oborrit: o i zoti i shpisë, o i zoti i shpisë (derisa ai ta dëgjoi dhe t’i përgjigjet – o hoja) duke e pyetur: a ka konak more, merr pohimin me gjegje: byrëm dhe mirë se të ka pru Zoti, duke dalë ke porta për t’ia hap atë dhe duke e futur në odë. Nëse janë orë të vona të natës dhe miqtë tjerë në konak janë në gjumë, këtij i shtrohej sofra për të ngrënë nga buka që ka tepruar nga darka dhe i bëhet gati shtroja e mbuloja, duke bërë pak llafe gjatë kësaj kohe sa për ta nderuar me pyetje se a ishte lodhur gjatë rrugëtimit, sesi i kishte hallet etj, pa ua prishur gjumin të tjerëve, për të vazhduar muhabetin te nesërmen kur të zgjohen”, shprehet etnologu Sopjani.
Sopjani thekson se duke qenë në marrëdhënie të organizimit patriarkal, familja shqiptare kishte krijuar traditë që oda e burrave ose oda e mysafirëve, të ndërtohej më e veçuar, sa më afër dyerve të oborrit.
“Oda, si një institucion popullor që ishte, për rolin që ajo luajti gjatë historisë, ka dhe strukturë të diferencuar mirë të brendisë së saj. Ajo ruan hierarkinë autoritative të të pranishmëve që vendosen në të, pa marrë parasysh se a është fjala vetëm kur në të janë meshkujt e familjes, kur ka miq të rastit; kalimtarë të rastit; pleqnarë apo miqësi; gëzim apo hidhërim; kuvend apo ndejë dimri. Vend kulti është votra – oxhaku, ballin e së cilës e zënë miku më i nderuar – në anën e cergës së madhe dhe i zoti i shtëpisë në anën e cergës së vogël. I zoti i shtëpisë ka të drejtë në këtë vend vetëm kur pret miq të përditshëm; në ndeja dimri, kur i vije ndonjë moshatar apo mik fisi a vëllazërie, për të qenë ballë për ballë me të për ta nderuar dhe për t’i pjekë kafe në prush të oxhakut, me takamin e kafesë që e ka aty pranë në dollapin e ngushtë, në ballin e cergës së vogël pranë oxhakut. Përndryshe në përhajre ose në ngushëllime, ai zë pozitë në trapazan, vend i punuar nga dërrasat në fund të cergës së madhe e që sjell pozitën përballë oxhakut”, thekson Sopjani.
Oda ka kodin e saj të veprimit. Aty gjithsecilit njeri i është rëndësia e vet. Edhe fëmijët kanë mundur të jenë të pranishëm, por me disa kushtëzime. “Tradita në odën shqiptare, brezin e të rinjve, sidomos të fëmijëve, e ka trajtuar si pjesëmarrës pasiv (do të thotë në rolin e nxënësit për të zënë dije nga ajo që flitet, shtrohet e vendoset në odë nga të moshuarit) dhe jo në të gjitha rastet. Bie fjala kur trajtoheshin probleme të pleqnive, kuvende për tema rreth çështjeve të atdheut, pra tema serioze që kalonin interesin dhe mundësitë e të rinjve, te rinjtë nuk lejoheshin të jenë prezent. Në rrethana normale të debateve gjatë gëzimeve apo hidhërimeve dhe ndejave të pas darkës netëve të dimrit, të rinjtë e veçmas fëmijët ishin pjesëmarrës pa të drejtë debate apo përzierje në biseda – ishin vetëm dëgjues, në rolin e nxënësit”, bën me dije z. Sopjani.
Rolin multifunksional të odës na e pranon edhe z. Sopjani. Oda nëpër fshatrat që nuk kishin xhami, ka shërbyer edhe si vend i faljes. Aty janë falur namazet, teravitë, hoxha ka mbajtur ligjëratë, etj. “Oda dihet se pati një rol të rëndësishëm për pritjen e mysafirëve, por edhe rolin për ta ruajtur dhe mbrojtur fenë që gjatë periudhave të ndryshme kohore, sidomos gjatë kohës së komunizmit ku me të madhe u luftua feja. Fatkeqësisht një fakt i tillë nuk përmendet nga shumë historian dhe njohës të trashëgimisë kulturore”, deklaroi Sopjani.
Sopjani tregon se sot jemi dëshmitar të zhdukjes masive të këtij objekti, tanimë ajo nuk ekziston në numrin më të madh të vendeve të Kosovës,tanimë edhe mysafiri ndihet ngushtë, bisedat më janë zëvendësuar dhe përzier shpeshherë edhe me të vegjlit dhe gratë.
“Tani oda shihet me një sy jo përparimtar nga disa struktura të shoqërisë sonë. Por kjo ngjan vetëm për shkak se nuk ata nuk e dinë sa duhet rolin dhe funksionin që e pati oda në të kaluarën. Ata arsyetohen me frazën tashmë të njohur se e vjetra duhet t’ia lëshojë vendin të resë, por si etnolog dhe njohës i kulturës assesi nuk pajtohem me këtë, për faktin se disa gjëra edhe pse të vjetra mund të jenë shumë dobiprurëse”, thekson Sopjani.
Për të kuptuar më mirë rolin që e kishte oda edhe nga ata që janë edukuar dhe kanë shërbyer në to, e të cilët dikur u bënë edhe zot të odave, udhëtova për në Polac, fshat ky që njihet për nga atdhedashuria dhe në të cilin ka patur oda dhe kulla me zë në rajonin e Drenicës.
Aty takuam Hamit dhe Asllan Kocën, të cilët me kënaqësi ndanë kohën për t’na folur për të organizimin dhe rëndësinë e odës. “Odat në kohërat më të vjetra kanë luajtur një rol shumë të rëndësishëm në trojet shqiptare. Tek ne ka patur edhe kulla, por edhe oda. Kullat janë të ndërtuara dy apo trekatëshe, ndërsa odat njëkatëshe. Jo fort moti burrat kanë qëndruar në kullë dhe në odë. Aty kanë marrur vendime të ndryshme, të rëndësishme për katundin. Hoxhallarët kanë mbajtur ligjërata dhe aty janë falur namazet pasi që xhami nuk kishte”, shprehet mixha Hamit.
Për më tej ai shton se “Oda tek ne ka shërbyer edhe për mysafirë të ndryshëm, jabanxhi, komshi, miq, etj. Në atë kohë odat kanë shërbyer si shkollë, fakultet, etj. Në oda kanë pajtuar familje në hasmëri, janë mbledhur pleqtë apo siç janë quajtur ilixhja e katundit. Në oda ka pasur disiplinë. Një ka folur dhe të tjerët kanë dëgjuar. Në fshatin tonë, Polac, dikur ka patur 120 shtëpi, kurse tani janë diku 600 shtëpi. Ka patur 4-5 kulla dhe 4-5 oda oda me zë. Sot ka oda, por me hapjen e shkollave atyre u ka humbur vlera. Tash po dinë më mirë, po mësojnë në shkolla, vendimet po merren në komuna”, shprehet mixha Hamit.
Duke na rrëfyer për mënyrën e organizimit të tyre, tek ai vërehet nostalgjia për kohërat e dikurshme, “Në odat kanë qëndruar vetëm burrat. Burrat e gratë nuk kanë qëndruar bashkë në to. Sot është ndryshe. Tani janë rregulluar dhoma të mëdha, janë bërë bashkë burra, gra, fëmijët, të gjithë bashkë. Sot më rrallë tubohemi siç jemi tubuar përpara. Dikur ka qenë kënaqësi kur bëheshim bashkë pleq, burra, të rinj. Deri në mëngjes rrinim duke pleqnuar e duke kuvenduar, herë-herë duke kënduar dhe luajtur. Por, tani nuk është më ajo kënaqësi, i ka humbur lezeti. Tash vetëm për raste te rralla i përdorimi odat për ndonjë mysafirë të veçantë, apo në iftare, darkat kur përgatitim mishin për dimër, për bajram, për të pame edhe këto dita-ditës po rrallohen”, tregon mixha Hamit.
Rolin e veçantë të odave na e potencon edhe mixha Asllan. Ai na rrëfen sesi familja e tij ka patur traditë odën. “Odat tek ne shqiptarët gjithmonë kanë qenë shkolla. Ne e kemi patur traditë. Babë e babagjysh kanë pasur odë, ku i kanë pritur mysafirët. Të gjitha bisedat vendimet e rëndësishme politike, për kombin shqiptar janë marrë në oda. Në oda janë mbledhur si pleqtë, por edhe të rinjtë, ku kanë bërë humor, kanë luajtur me filxhanë, lojën me plis.”
Se kjo traditë është në kërcënim që të zhduket na e tregon edhe mixha Asllan. “Ne po mundohemi që ta vazhdojmë këtë traditë, por siç po shihet gjërat po vijnë duke u zbehur rëndësinë e odës. Sot ka gjithnjë e më pak burra. Dikur ka patur njerëz ta aftë për oda, për aspekt të fjalëve dhe veprave. Oda e ka vlerën e vet që nuk do t’i humbë kurrë, sidomos në regjionin tonë të Drenicës.
Si duket, konfliktit mes të resë me të vjetrën nuk mund t’i ikë as oda. Koha po bën të veten. Ka shumë faktorë që kanë ndikuar në zbehjen e këtij institucioni të rëndësishëm kulturor e kombëtar. Migrimi nga fshati në qytet, modernizimi i shtëpive, futja e teknologjisë nëpër shtëpi, çlirimi nga okupatori, ndejat e përbashkëta në mes të dyja gjinive dhe të gjitha moshave mund të jenë vetëm disa. Megjithatë, edhe këta pak pleq të urtë që kanë mbetur duhet që të insistojnë që zejen e mikpritjes, virtyt ky shumë i çmuar te shqiptarët, t’ia trashëgojnë brezave më të rinj, në mënyrë që oda të mos humbasë vlerën dhe rëndësinë e madhe që ka. Gjithashtu, do të kishte veprim shumë i zgjuar i institucioneve tona shtetërore që së paku disa oda të famshme t’i shpallte monumente kulture. Në këtë mënyrë do të ruheshin këto vatra të atdhedashurisë sonë. Në të kundërtën, duke i mbyllur derën një institucioni që ka ruajtur bërthamën tonë kombëtare, e të trokasim në dyer të mëdha, si ajo e BE-së, të zhveshur nga elemente themelore identitare, më e pakta që do ta thonim do të ishte një blof i rrezikshëm dhe hipokrizi ndaj vetvetes dhe të tjerëve që na njohin fare mirë./tesheshi.com/