Berisha caktoi dhe datën e saj që mund të quhet beteja finale mes tij dhe Bashës, aty ku do përcaktohet forca e të dyve në një duel të nxehtë, të paimagjinueshëm deri dje. Është 11 dhjetori. Këtë ditë, sipas Berishës, kumtuar nga Lezha, nga “Foltorj” e atjeshme, do të mblidhet Kuvendi Kombëtar.
Këtë lloj mbledhje të forumit të lartë demokrat (parlamenti i brendshëm), Basha e ka refuzuar dhe ka paralajmëruar se nuk do të ndodhë. Por Berisha, që dukshëm ka bazën me vete, po jep shenja se do i shkojë deri në fund.
“Nga Lezha kam kënaqësinë të informoj demokratët në Shqipëri dhe gjithë botën se më 11 dhjetor do mbahet Kuvendi i parë i Partisë Demokratike”, tha Berisha, nga i cili synon të rikonfirmohet si kandidat për të rimarrë kreun e PD-së.
“Unë do të pranoja çdo vendim të Këshillit Kombëtar. Çdo vendim e mori pa mbledhur këshillin dhe këtë e bëri sepse e dinte që ju nuk shiteni dhe bliheni siç ndodhi me të, ndaj nuk guxoi t’ia çonte propozimin Këshillit Kombëtar”, tha Berisha.
Berisha tha se u kërkon “një mijë herë të falur demokratëve për mbështetjen që i ka dhënë Lulzim Bashës’, pasi sipas tij, nuk e ka merituar kurrë. /tesheshi.com/