Deniz Çoban, një prej gjyqtarëve me përvojë në futbollin turk, ka bërë mbrëmë një akt të padëgjuar, të paparë, duke i lënë të shtangur dhe të pranishmit në transmetim, gazetarin dhe të intervistuarin, njërin prej trajnerëve. Për herë të parë në historinë e arbitrimit turk, një gjyqtar ka kërkuar ndjesë në trasmetim të drejtpërdrejtë për gabimet e tij gjatë lojës.
Çoban gjykoi mbrëmë ndeshjen mes Kasëmpashasë (Kasımpaşa) dhe Çajkur Rizesporit (Çaykur Rizespor), të vlefshme për javën e gjashtë të Superligës turke. Gjatë 90 minutave ai dha dy kartona të kuq për futbollistët miq, duke e lënë Rizesporin me nëntë lojtarë, për ta shpërblyer të njëjtin ekip në ekstremin kohor të lojës, në minutën e 97-të, me një 11-metërsh, të kthyer në gol. I tërë takimi përfundoi 1-1, me fatin që u buzëqeshi në fund udhëtuesve, që më së paku morën një pikë.
Ajo çka do të pasonte i habiti të tërë. Rëza Çallëmbaji (Rıza Çalımbay), trajneri i Kasëmpashasë, po fliste për një televizion turk, kur aty u shfaq gjyqtari i lojës, i cili do të deklaronte përpara miliona shikuesve: “Mbase po bëj diçka që nuk duhet ta bëj. I pashë gabimet e mia sapo shkova në dhomën e zhveshjes. Jam thellësisht i brengosur për vendimet e mia të gabuara karshi Çajkur Rizesporit dhe Kasëmpashasë. Kërkoj ndjesë në emër të Federatës Turke të Futbollit dhe të Komisionit Qendror të Arbitrimit. Mendoj se duhet të marr një vendim mbi karrierën time. Jam tejet i mërzitur. Ju jeni tejet të mërzitur.”
Gjyqtari që po vuante nga brejtja e ndërgjegjes, nuk e la me kaq, duke vijuar, “Më besoni (duke iu drejtuar Çallëmbajit, trajnerit të ekipit vendas), shprehjet e fytyrës tënde në dhomën e zhveshjes më prekën thellë, dhe u dërrmova nga gjendja psikologjike që të reflektohej në fytyrë. Nuk mund t’i shpreh ndjenjat e mia në atë moment. Pavarësisht gabimeve të mia, ju më përshëndetët. I falënderoj të dy ekipet. Po bëj tani atë që nuk e ka bërë askush më parë. Unë mund të jem afër fundit të karrierës. Por u kërkoj ndjesë.”
Gjyqtarët turq kritikohen shpesh për arbitrimet e tyre në kampionatin vendas, dhe jo pak herë ata kanë qenë shkaktarë të tensionimeve të panevojshme, që kanë çuar dhe në kërcënime të presidentëve të klubeve për braktisje të garës. Por ajo çka bëri mbrëmë arbitri në fjalë nuk qe hasur asnjëherë më parë në futbollin turk. /tesheshi.com/