Prokuroria e Prishtinës ka bërë me dije se është liruar nga paraburgimi polici Vesel Veseli, i cili dyshohet të ketë abuzuar me një vajzë të mitur nga Drenasi, duke shfrytëzuar një rrethanë të caktuar, si të tijën si polic e si të sajën si pa mbrojtje.
Policit në fjalë i është ndryshuar masa e sigurisë, nga paraburgimi në arrest shtëpiak.
Në muajin shkurt, njoftimet e mediave për abuzimin ndaj së miturës tronditën mbarë opinionin koaovar, ku pati dhe protesta nga ana e shoqërisë civile.
Vajza e rënë preh e abuzimit dëshmoi se që në moshën 16-vjeçare kishte patur një raport me një mësimdhënës të saj, por të cilën e kishte denoncuar më pas në polici kur lidhja e tyre mbaroi. Dhe, polici që kishte marrë denoncimin, kishte shfrytëzuar më pas pozitën e vështirë të vajzës duke i bërë presion deri në nënshtrim.
Nuk mbaron këtu gjithçka, pasi pas gati dy vitesh marrëdhëniesh të kushtëzuara, e mitura detyrohet të kryejë abort të paligjshëm në një klinikë private. Këtu më pas vjen dhe papërgjegjshmëria e mjekut, i cili e kryen atë pa u interesuar për zbatimin e rregullave dhe ligjit.
Sikur të mos mjaftonte me kaq, prokuroria ka dyshime se edhe avokati mbrojtës i së miturës mund të ketë gisht në abuzimin me të.
Pas ekspozimit të të gjitha këtyre ndodhive, pasoi arrestimi i mësimdhënësit dhe policit, ndërsa ndaj doktorit gjinekolog dhe avokatit po kryhen hetime.
Grupet për mbrojtjen e të drejtave të njeriut kanë qenë mjaft të zëshme lidhur me rastin në fjalë. /tesheshi.com/