Partia Demokratike është përpjekur ta telendisë Fatmir Xhafajn e PS-së, mu prej një fotoje të tij në rininë studentore, dalë me shokun Enver në tribunën e 1 Majit. Dhe kjo është njëra prej qindra denoncimeve të saj, pjesë e një narrative të sajuar sforcueshëm në funksion të luftës politike ç’prej 25 vitesh, duke e damkosur kundërshtarin me xanxën e ish-komunistit. E gjithë kjo edhe pse vetë ka qenë jo pak me ish-komunistë. Duke nisur që nga kryetari historik, Berisha. Në këtë kuptim, PD-në mund ta quash një parti anti-komuniste, diktuar nga rrethanat, se dhe si e tillë lindi, ama vështirë ta quash të djathtë klasike, nisur nga resursi njerëzor që ka patur në lidershipin e saj të disa niveleve, me lidhje direkte ose indirekte me kastën komuniste.
Më poshtë po sjellim shkrimin e një prej emrave të njohur të saj, i cili për hir të së vërtetës është ndër figurat më të pastra e fisnike të PD-së. Para asaj që shkruan ai këtu më shumë se 30 vite më parë për Enverin, ajo që ka bërë Fatmir Xhafaj a ndonjë tjetër socialist në ato vite, ngjan hiçgjë. Bëhet fjalë për Besnik Mustafajn. Shkrimin ai ia kushton situatës post-vdekjes së Enverit, duke u përqëndruar tek pionerët që do nderohen me emrin e tij. Edhe pse sot ai është ndër penat me të njohura letrare, shkrimi është një mediokritet edhe letrar dhe ngjan tipik si investim i një provinciali zbritur në Tiranë, i cili paguan një haraç për të zënë vend në jetën kulturore kryeqytetase, ngjashëm si me bashkëpatriotin e tij, Sali Berisha. Megjithatë, prapë duhet theksuar, Besnik Mustafaj është sot ndër figurat me dinjitoze edhe të politikës shqiptare, e në jetën kulturore kurrë nuk ka shfaqur provincialitet.
Shkrimi i tij i 21 prillit 1985 te Zëri i Popullit:
Ne, pionerët e Enverit
Si erdhi ky çast?! Papritur edhe shumë fëmijë u bënë “veteranë”. Gati të gjithë ne ata i njohim. Gazmend Gjoka është ai djali flokë-verdhë që pamë të ngjitet në tribunën e manifestimit të madh të 1 Majit të kaluar për t’i dhënë tufën me lule shokut Enver. Sot, ai, me një dosje të hollë kartoni nën sqetull kapërcen ngadalë pragun e Pallatit të Pionerëve. Gazmendi është nxënës i shkollës “Avni Rustemi” në Tiranë dhe në Pallatin e Pionerëve ka ardhur për të sjellë kujtimet e tij nga takimet me udhëheqësin e shtrenjtë. Tregon se si për herë të parë e ka takuar në fillim të nëntorit 1981, kur shkuan me shokët për të përshëndetur Kongresin e 8-të të Partisë. Dhe pastaj përsëri vjet. Nuk ka asnjë imtësi që të mos ketë mbetur e ngulitur thellë në kujtesën e tij. – Kur më kishte hedhur dorën në sup, më pyeti për emrin – thotë Gazmendi tani. – Unë, ia thashë, po ia thashë me zë të ulët se isha i hutuar nga emocionet. “Pse nuk e thua fort, më tha, apo nuk ke emër të bukur?”. Mua këto fjalë më bënë të ndjehem krejt i lirshëm.
Ky hutim i fillimit i ka mbetur në mend dhe Enkelejda Priftit, nënëse në klasën e 7-të të shkollës “Emin Duraku”. Para katër vjetësh, kur zhvillonte punimet Kongresi i 8-të i Partisë, ajo ishte fatose. Kur u ndodh në tribunë, ajo harroi krejt fjalët që do të thoshte dhe mbeti një çast. – Po të mos kishte qenë xhaxhi Enver që të më nxirrte nga hutimi, unë e humba për vete, por do t’i kisha ngatërruar edhe shokët-tregon ajo. – Atëherë thashë atë vjershën që do të më mbetet në mendje për jetë: “Xhaxhi Enver, me ç’gëzim e mall e kam pritur këtë çast të rrallë. Ende jam e vogël, do të rritem nesër, përqafimin tuaj do ta ndjej gjithë jetën.
Ja pra, si na u bënë “veteran” shumë e shumë pionerë nga e gjithë Shqipëria. Erdhi një çast që ata të ulen e të shkruajnë kujtimet e tyre. Të cilat kanë nisur t’jua mbledhin këto ditë në Pallatin e Pionerit në Tiramë. Fëmijët na u bënë më të heshtur, më te ndjeshëm, më të mençur. Sikur u rritën shumë vite njëherësh! Gjithë pionerët e kanë takuar shokun Enver, i kanë dhënë lule, e kanë përqafuar. Kam parë një zili të mirë nga moshatarët e tyre. Por këto ditë, ndërsa u kërkonin t’i rikrijonin ato skena, ishte një ndjenjë e dyfishtë: edhe trishtimi i ëndrrës së parealizuar për të qëndruar qoftë dhe njëherë me kokën e mbështetur në kraharorin e tij, për të ndjerë sir eh ajo zemër e madhe që nuk i shterroi asnjëherë dashuria për brezin e ri të rinisë sonë; edhe vetëdija e nderit të lartë. Prandaj, kush nuk i pa lotët e ngrohtë të syve të tyre si brishtësi fëminore. Lotët u dilnin nga zemra e lënduar, siç u dilnin vëllezërve e motrave të rritur, prindërve, gjyshërve. Dhe me ato lotë, me atë dhimbje të çiltër e burrërore, fëmijët u bënë më të respektuar në sytë e të gjithë popullit, në sytë e Partisë.
Suat Gega ka mbi 20 vjet që punon në Pallatin e Pionerit, që ndjek nga afër se si ecin dëshirat dhe aftësitë e tyre. – Por si këto ditë nuk i kam parë kurrë – thotë ai, – kurrë. Të shtunën në mbrëmje u njoftua vendimi i Pleniumit të 11-të të KQ të PPSH-së për t’i dhënë organizatës së tyre emrin “Pionerët e Enverit”. Të nesërmen në mëngjes ishte mbledhur këtu i tërë aktivi i Pallatit. E pra qe e dielë dhe askush nuk i pati lajmëruar ende. Pionerët e dinin vetë ç’duhet të bënin. I urdhëronte zemra. Zemra i urdhëroi pionerët e bllokut 14 të lagjes Nr.1 të ngrinin ato mozaikët e bukur me yllin, kazmën, pushkën e flamurin dhe të vinin me krenari firmën “Jemi pionerë të Enverit”. Zemra i urdhëroi pas disa orësh tërë moshatarët e tyre të kryeqytetit të bënin “vepra” të tilla. E nuk qe nevoja të thërritej asnjë piktor për t’i ndihmuar. Ishin bërë vetë të gjithë artistë. Simbolika e këtyre mozaikëve zbërthen para gjithëkujt që i sheh, karakterin dhe pjekurinë e pionerëve.
Zemra i urdhëroi pionerët elbasanas të shkollave “Ptoleme Xhuvani”, “Thoma Kalefi” e “Kostandin Kristoforidhi” të merrnin udhën për në malësinë e Shmilit. E ndjenë se do t’ua lehtësonin pak dhimbjen nënë Selime Cekës etë gjithë atyre veteranëve të nderuar që e pritën shokun Enver në ditët e acarta të operacionit të dimrit. Por do të lehtësoheshin dhe vetë pak. Duket se si tek at aka folur njëherësh mendja dhe zemra. Ndaj Partia e zgjodhi pikërisht këtë organizatë për t’ja bërë nderin e veçantë, i dha emrin “Pionerët e Enverit”. Kjo ka një kuptim të madh. Po mbushen gati 45 vjet që Partia i njeh mirë pionerët e Shqipërisë. Ata janë pionerët e Luftës, debatikasit. Tani janë bërë gjyshër. Por thinjat e tyre janë bërë dritë në begatinë e Atdheut, siç u bërë e tërë jeta e Udhëheqësit tonë të shtrenjtë që i udhëhoqi dhe ata në luftën e madhe për liri e socializëm. Ky do të jetë dhe “fati” i pionerëve të sotëm. Edhe i atyre që do të vijnë. Nesër ata do të bëhen anëtarë të BRPSH-së. Endrra për t’u bërë komunistë do të realizohet. Ndërkohë, të tjera do të vënë shallin e kuq të pionerit. Dhe Shqipëria do të ketë vetëm rini. Aty do ta gjejnë dhe do ta bëjnë të tyren figurën e ndritur të shokut Enver, dhe ata që sot janë ende shumë të vegjël, edhe ata që do të vijnë.
Ky mendim ndjehet që sot deri në bisedat me pionerët. – Miqtë e fatosave shkojnë çdo mëngjes te klasat e para dhe te grupet e rritura të kopshtit, sepse shkolla jonë ka dhe kopësht, e bëjnë biseda për xhaxhin Enver, – thotë Enkelejda Goga, nxënëse e klasës së shtatë në shkollën “Ylli i Kuq”. Ndërsa edukatorja e kopshtit 54, Myhrije Sula, tregon: U dhashë fëmijëve të bëjnë një tregim me tre fjalë: Pranvera, fëmijët, lulet. Pas pak e kishin gati: “Kjo pranverë na hidhëroi shumë. Për çdo pranverë, lulet e para që do çelin, do t’ja çojmë xhaxhit Enver”. Kështu, moshat e fëmijëve fshihen. Të gjithë e ndjejnë veten pionerë, të gjithë e duan mbiemrin e përbashkët “të Enverit”. Edhe në këtë tregim, yllkat kanë thënë atë që kanë thënë mijra e mijra shokë të tyre më të rritur në krijimet e këtyre ditëve.
Duke i marrë në dorë ato vjersha e hartime, askush nuk mund të kalojë pa u ndalur mbi to sepse të mbërthejnë vetë. Secila është e veçantë, por edhe të gjitha janë pranë njëra-tjetrës. Nisin me dhimbjen e shpirtit dhe mbyllen me betimin se rruga e tyre do të jetë vetëm rruga e xhaxhit Enver. Kështu, krijimet janë pranë njëra-tjetrës sepse pranë njëri-tjetrit janë autorët e tyre. – Çdo të bëni me to? – e pyesin Genta Popën, nxënëse në shkollën 8-vjeçare “Jeronim De Rada” – Tani për tani i nxjerrim në një kënd të veçantë të ngritur posaçërisht në shkollë dhe i ndërrojmë përditë, – përgjigjet ajo. – Më të mirat i shkruajmë në librin e nderit dhe i përcjellim bashkë me stafetën që po lëviz nga shkolla në shkollë e që do t’ja çojmë Komitetit Qendror të Partisë. Më vonë duam t’i botojmë në një libër. Mesazhi i stafetës në shkollë, nis me fjalët: “Ne, pionerët e Enverit”. Duke shpallur që në krye përkatësinë e tyre të gjakut e të shpirtit, ata i flasin me zemër të çelur të sotmes e të ardhmes.
Përgatiti Ermir Hoxha – /tesheshi.com/