Njeriu që i dha përmasa globale futbollit, Joao Havelange, i ka mbyllur sytë përgjithmonë në moshën 100 vjeç. Ai do të ishte për 24 vite presidenti i FIFA-s, duke e udhëhequr atë nga 1974-ta në 1998-tën.
Ai do të vijonte të ishte president nderi i organizmit më të lartë të futbollit botëror, për t’u dorëhequr në vitin 2013, pas një hetimi për ryshfet.
Veç kësaj, Havelange do të ishte dhe anëtar i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar nga viti 1963 në 2011-tën, kur dhe do të dorëhiqej.
Zgjerimi i pjesëmarrjes në Kupën e Botës, nga 16 në 32 skuadra, ndodhi gjatë drejtimit prej tij të FIFA-s, duke e bërë më përfshirës aktivitetin futbollistik botëror.
Një numër aktivitetesh të reja futbolli, si botëroret për moshat nën 17 vjeç e nën 20 vjeç, Kupa e Konfederatave e botërori për femra, do të merrnin udhë me iniciativën e tij të drejtpërdrejtë.
Në vitin 1974 ai do të zëvendësonte britanikun Stanley Rous, për t’ia lënë stafetën në 1998-tën Sepp Blatter-it.
Karriera e tij e gjatë u mjegullua nga akuzat e vazhdueshme për ryshfet, diçka që u përsërit dhe me pasardhësin e tij. /tesheshi.com/