Irani do t’i dërgojë Ukrainës kutinë e zezë të avionit të Ukrainian Airlines, u godit gabimisht sapo u ngrit nga areoporti i Teheranit, duke shuar 176 jetë njerëzore të pafajshme.
Kreu i Komisionit për Hetimin e Aksidenteve në Administratën e Aviacionit Civil në Iran, Hasan Rezayifer, tha se kutia e zezë e avionit, që u godit në Teheran më 8 janar, do të dërgohet në Ukrainë.
Ai shpjegoi se u realizua një takim me ekspertë që kishin mbërritur nga Ukraina për të hetuar aksidentin.
“Kutia e zezë e avionit nuk do të lexohet në Iran. Kutia e zezë, me kërkesë të ukrainasve, do të dërgohet në atë vend”, tha Rezayifer.
Ai shtoi se ata kishin vendosur që së pari të analizojnë kutinë e zezë me ndihmën e ekspertëve nga Franca, Kanadaja dhe SHBA-ja në Kiev.
“Nëse ata dështojnë, kutia e zezë do të dërgohet në Francë”, shtoi ai.
Një avion i Ukrainian Airlines, i tipit Boeing 737, i planifikuar të fluturonte për në Kiev, u rrëzua në 8 janar menjëherë pasi u nis nga aeroporti “Imam Khomeini” në Teheran.
Shtabi i Përgjithshëm i Iranit, më 11 janar tha se sistemi i mbrojtjes, për shkak të gabimit njerëzor, rrëzoi aeroplanin me pasagjerë ndërsa fluturonte mbi një pikë të ndjeshme ushtarake.
Vetëm disa orë para se të binte avioni, Garda Revolucionare e Iranit nisi një sulm raketor në bazat amerikane në Irak. /tesheshi.com/