Vedat Muriqi ishte shënuesi i të dy golave në miqësoren mes Fenerbahçes dhe Bursasporit, të përfunduar 2-0.
Sulmuesi i kombëtares kosovare, i transferuar së fundi te skuadra e Stambollit, shënoi në fundin e pjesës së parë dhe pesë minuta pas nisjes së pjesës së dytë.
“Fenerbahçe fitoi me Muriqin,” ishte një prej titujve në median sportive turke. “Muriqi dha shfaqje,” thoshte një media tjetër.
Fenerbahçe synon titullin në sezonin e ri, edhe pse ka lënë pas një sezon tepër të vështirë, ndër më të këqijtë në historinë e saj.
Muriqi është një prej lojtarëve te i cili janë varur shpresat për një sukses të mundshëm; Fenerbahçe fitoi konkurrencën me Gallatasarajin për blerjen e tij. /tesheshi.com/