Kur Ruaa Abu Rashed mbërriti në Gjermani pas disa javësh udhëtimi të rrezikshëm, përfshirë edhe kalimin pothuajse fatal përmes Mesdheut, i ftohti ishte tronditja e saj e parë e madhe.
23-vjeçarja nuk kishte pallto dimri, por u rregullua vetëm falë një burri italian në stacionin e trenit që hoqi të tijën nga trupi dhe ia dha nënës së saj. “Unë, nëna ime dhe vëllai e veshëm me radhë atë pallto – me javë ishte palltoja e vetme që mbajtëm”, thotë Ruaa.
Ajo nuk dinte asnjë fjalë në gjermanisht. Madje nuk mund ta lokalizonte vendin në hartë.
Një nga një, motrat dhe i ati mbërritën në Gjermani. Deri në fund të verës së 2015-ës, që shënoi kulmin e krizës dhe kur Angela Merkel sinjalizoi se vendi ishte i hapur ndaj refugjatëve sirianë duke shtuar “ëir schaffen das” (Ne mund ta bëjmë këtë), ishin tetë anëtarë të familjes Abu Rashed të dëshpëruar të provonin se kancelarja gjermane do ta mbante fjalën. Përvojat e tyre në dy vjet që nga mbërritja sjellin pak a shumë një lloj verdikti për politikën më kontraverse të Merkelit, përpara betejës së saj për rizgjedhje.
Vetë Ruaa mund të jetë fëmija-poster për integrimin. katër vjet nga mbërritja në Gjermani, ajo është tashmë një gjermanish-folëse e shkëlqyer e cila është afër marrjes së një diplome kursi në universitet. Ajo është në atë situatën që edhe pse i mungon shumë vendlindja e saj, Siria, ka investuar tepër në jetën e saj gjermane për t’u kthyer ndonjëherë.
“Më duhet të marr ndonjëherë frymë thellë kur mendoj për çdo gjë që ka ndodhur në pak vitet e fundit”, thotë ajo, e ulur në një kafene në breg të lumit në qytetin e saj të ri që i është bërë shtëpi, Lüneburg, në Gjermaninë veriore.
“Kur u largova nga Siria, isha 18 vjeç dhe pak a shumë fëmijë. Tani ndjeh se mund të jem pa frikë 35 vjeç”. Ajo shëtit dhe nget biçikletën në qytet, sikundër edhe çan rrethet e burokracisë sikur t’i kishte bërë këto gjëra gjithë jetën e vet.
Jo çdo gjë shkonte mirë deri tani. Gjermanisë iu desh kohë që të mësohej me situatën. Kur Ruaa mbërriti në vitin 2013, kishte shumë pak shenja të “Ëillkommenskultur” që do të përfshinte vendin dy vjet më pas. Në një qendër pritjeje në të cilën u dërguan
Abu Rashedët ajo ndjehej e mpirë nga ndjesia e vetmisë dhe e mërzisë, nga vështrimet boshe të dy zonjave të moshuara ku ata u dërguan të merrnin veshje. Ato thjesht u ngërdheshën dhe u thanë se nuk kishin gjë të përshtatshme për ta.
Ajo vijoi të vishte sandale me javë të tëra, pavarësisht temperaturave nën zero dhe kombinimi i neverisë nga ushqimi, mish i procesuar dhe pjata me vezë, dhe trishtimit bënë që ajo të humbte 6 kilogramë në peshë.
Përgjatë viteve 2015 dhe 2016, numri i refugjatëve që mbërrinin në Gjermani u rrit në më shumë se 1 milion. Merkel vuri në rrezik reputacionin e saj në favor të mikpritjes për refugjatët, të paktën një e treta e të cilëve ishin sirianë. Kritikët dhe madje, disa aleatë politikë e kryqëzuan kancelaren, por deri më tani kjo çështje nuk ka arritur të dëmtojnë nivelin vjetor të miratimit të saj nga publiku. “Mendoj ende se vendimi im ishte i drejtë”, ka thënë së fundmi, Merkel.
Kështu mendon edhe Ruaa. Nga momenti që mori lejen e saj të përkohshme të qëndrimit në vitin 2014, ajo nuk e ka kthyer kokën pas. Padurimi dhe vënia në dyshim e gjithçkaje që i thuhej kanë qenë mjetet e saj më efektive për të ecur përpara, thotë Ruaa.
“Çdo gjë merr kaq shumë kohë”, shton ajo. “Kisha menduar për Gjermaninë si një vend efikas, më quani naive, por mendoja se ishte madje një vend perfekt. Shtëpitë e vogla që pashë kur arrita më kujtonin ato që kisha parë në përralla. E di që është shumë fëmijërore për ta thënë, por unë mendoja se në port do na priste një autobuz, do të na merrnin ndihmësit dhe do të na çonin diku për të jetuar, e do na mësonin menjëherë gjuhën e tyre”.
Ruaa arriti të gjente një kurs gjuhe “edhe pse më ikte gjaku kur mendoja se do mësoja gjermanisht”. Ajo frustrohej nga vonesat në të nxënë në pesë muajt e parë pasi kishte një mësues që sipas saj nuk bënte shumë për të motivuar klasën.
Kur ishte gati të niste nivelin tjetër, opcioni i vetëm ishin klasat në Hamburg, 57 kilometër larg. Ajo dilte nga shtëpia çdo ditë në orën 6 të mëngjesit për të kryer shtatë orë mësim që niste në orën 8. Shkonte në shkollë me tren dhe kthehej pranë familjes në 5 pasdite, nëse treni do të ishte në orar. “Haja dhe flija gjumë”, thotë ajo.
Të afërmit e saj e patën më të vështirë të gjenin një qëllim. Babai i Ruaas, Umari 55 vjeç u detyrua të hiqte dorë nga ferma e tij 18 milje nga Damasku në vitin 2012, pasi u bë pjesë e zonës së militarizuar për shkak të afërsisë me aeroportin. Atij i mungojnë thellësisht 500 rrënjët e veta të ullinjve, 40 lopët dhe liqeni plot me peshq. Ai tani i kalon ditët duke u kujdesir për një kopsht të vogël, falë Manfred Maschmann, i cili në moshën 85-vjeçare e ka të vështirë ta mbajë atë.
Pavarësisht skepticizmit të Manfredit në lidhje me politikën e Merkelit dhe mungesës së plotë të gjermanishtes nga ana e Umarit, burrat janë bërë miq, duke u lidhur me anë të pasionit të tyre për bletët në kopshtin e përbashkët. Umar thotë se edhe psemjalti i luleve prodhuar nga bletët “nuk është aq i plotë sa mjalti i ekualiptit në Siri”, ka shije mjaftueshëm.
Nusayba, nëna e Ruaas ka bërë më shumë progres me gjermanishten sesa Umari, sipas vajzës, por edhe ajo ka vështirësi për t’u përshtatur me jetën e re të familjes. Ajo i përqëndron energjitë e saj duke u kujdesur për apartamentin me tre dhoma, duke gatuar dhe duke ndihmuar vajzën 15-vjeçare, Sana në shkollë. “E ka kokën plot me shqetësime për të gjitha”, thotë Ruaa. Mendimet e Nusayba shpesh shkojnë tek prindërit e saj të moshuar, 96 dhe 86 vjeç që jetojnë në Damask. Mjeti i tyre kryesor i komunikimit është WhatsApp.
Sana ka vetëm kujtime të rastësishme nga udhëtimi i saj drejt Gjermanisë me babain dhe motrën e saj, Ghena në vitin 2015. Dhe, megjithëse thotë se Merkel “është totalisht e mirë”, heroi i saj gjerman është Kurdo, një rreper me origjinë irakiane që ka ardhur në Gjermani në moshën tetëvjeçare. Ajo reciton me vetëbesim këngën e tij hit Hände Ëeg në të cilën ai flet për vizionin e tij alternativ – “emigron me asgjë, emigron me miliona”.
Ruaa është e vendosur të sqarojë imazhin që ajo mendon se janë shumë gjermanë për refugjatët si të varfër dhe dembelë. Përveç motrës së saj, Tukay, 26 vjeç që pret fëmijën e dytë, të gjitha motrat e saj do të nisin shpejt sistemimin në punë. 18-vjeçarja Ghena do të punojë me një dentist dhe shpreson të bëhet ndihmëse e tij, ndërsa vëllai Mohamed, 21 vjeç do të punojë me një teknik dentar.
Deri tani, Mohamed ka kaluar pjesën më të madhe të kohës në Gjermani duke luajtur futboll dhe duke u stërvitur, dhe ai pranon se e ka pasur të vështirë të përshtatet. “Të jesh në moshë të re këtu është ndryshe- ata pinë alkool. Në Siri është normale të jesh sistemuar me familjen tënde deri në moshën 23 vjeç, ndërsa këtu është më normale të studiosh”, thotë ai.
Vëllai më i madh i Ruaa, 29 vjeçari Hatham jeton me gruan dhe djalin e tyre dhe ka nisur një bashkëpunim si mekanik makinash me Volksvagenin.
“Kështu që po ia dalim”, thotë Ruaa, e cila e sheh veten si zëdhënëse për të gjithë familjen. Ajo duhet të përkthejë për prindërit çdo gjë që nga kontratat e qirasë e deri tek rregullat e rrepta qeveritare për mjediset e përbashkëta, ashtu si dhe duhet t’i shoqërojë ata në takimet me prindërit në shkollën e së motrës.
Ruaa është mirënjohëse për Gjermaninë, e thotë vetë. “Në fund fare, ata na pranuan”. Ajo beson se mund ta realizojë më shpejt këtu ëndrrën e saj për të pasur një jetë të vetë-mjaftueshme sesa mund t’ia kishte dalë në Siri. Por, ajo nuk trembet për të folur për frustrimet esaj, sidomos për përballjen me burokratë jo-miqësorë që duken “të vetëkënaqur dhe të shpejtë për t’ia hedhur përgjegjësinë dikujt tjetër”, apo mësuesit dogmatikë që nuk u pëlqen t’u vihet në dyshim autoriteti apo edhe rregullat e përditshmërisë.
“Përse unë tani kam lejen e përhershme të qëndrimit, por pjesa tjetër e familjes ka garancinë për të qëndruar këtu vetëm deri në mars 2020?”, pyet ajo.
Sulmet terroriste për të cilat është fajësuar politika e dyerve të hapura e Merkelit, kanë sjellë pasojat e tyre. “Kam vënë re, pas sulmit me thikë në tren nga një refugjat, vitin e kaluar, aop sulmin në tregun e Berlinit, që njerëzit na shohin ndryshe, me dyshim të madh”, thotë Ruaa. Ajo do të pëlqente që ata ta dinin se “ashtu si ata, ne duam vetëm të punojmë e të kalojmë jetët tona në paqe”.
Ajo po ashtu ndjen një mungesë vullneti për të kuptuar, apo të paktën për të respektuar besimin e saj fetar, që thotë se është në thelb të identitetit të familjes së saj. Njerëzit vazhdimisht e pyesin përse mban shami, “por rrallë dëshirojnë të dëgjojnë përgjigjen”.
Pikësynimet afatgjata të Ruaas janë në mjekësi. Ajo ka shpenzuar pjesën më të madhe të vitit të kaluar larg nga familja, në Nordhausen, Thuringia, në mënyrë që të marrë dëftesën e saj të shkollës gjermane. Pasi ka marrë notat e duhura, ajo pret tashmë të marrë përgjigje nga disa universitete ku ka aplikuar. Ajo planifikon të kalojë javët deri në fillimin e shkollës për të marrë licencën e drejtimit të makinës.
Kurdo që rritet frustrimi, Ruaa përpiqet t’i kujtojë vetes sesa me fat kanë qenë ajo dhe familja e saj krahasuar me të tjerët. “Një frazë e preferuar e jona është: i qofshim falë Zotit”, thotë ajo. “Një tjetër: jeta nuk është kurrë një rrugë e lirë pa gurë”.
Një ditë, tregon ajo, nëna i erdhi pranë me lotë në sy. “Ajo kishte gjetur pallton që ne na dhanë kur mbërritën. Ajo qante dhe më thoshte: ‘nuk duhet ta hedhësh kurrë’. Në fillim, nuk e kuptova përse, por më pas kuptova se tek ajo pallto mblidhet gjithçka ne kemi kaluar, dhe dhimbja që ajo ndjente kur nuk ishte në gjendje që të na mbronte”.
Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/