Dy korriku 1990, bash në kohën kur e gjithë bota ishte përqendruar te Botërori i Italisë, me Toto Scilacci që shënonte në çdo ndeshje, në Shqipëri u hapën ambasadat e huaja, ku kryesonte ajo gjermane për qindra shqiptarë të dyndur aty, si një arratisje masive e paprecedent.
Arkivi Shtetëror e kujton këtë ngjarje kështu:
“Si sot 33 vite më parë u rrëzua ‘muri shqiptar i Berlinit’.
Mijëra shqiptarë depërtuan në mjediset e ambasadave perëndimore në Tiranë, duke kërkuar strehim politik gjetkë. Totali i të larguarve të 2 korrikut llogaritet në 4.764 persona.
Për afro gjysmë shekulli, Shqipëria nën thundrrën e diktaturës komuniste qe shndërruar në vendin më të izoluar të Europës.
Hapja e ambasadave ishte akti i parë i dramës shqiptare në mbyllje të mijëvjeçarit.
Në këto rrethana u përgatit edhe terreni i volitshëm për zhvillimin e lëvizjes antikomuniste të studentëve. Në sajë të qendresës së tyre, do të instalohej edhe pluralizmi politik”.
Kujtojmë se ikjet do vijonin dhe më pas, me anije, nga porti i Durrësit kryesisht, në mars ‘91 dhe në gusht ‘92.
E gjitha kjo do pasqyrohej në vargjet e një kënge festivali të atyre viteve ku thuhej:
“Harruam këngët e djepit, filluam këngët e kurbetit
Se iku drita dhe rinia, nga Shqipëria…”.
Ikjet do vijonin përgjatë gjithë postkomunizmit, por pa u ndjerë në terma të dhimbshëm sociale. Dhe ahere kur nuk pritej, në vitin 2015-2016, duke nisur fillimisht nga Kosova dhe Maqedonia, ikjet do virusonin dhe Shqipërinë.
Tashmë ikjet ndihen me sy të lirë, deri në trishtim. Dhe pikëpyetje për të ardhmen e afërt, nëse jo për atë të largët. /tesheshi.com/