Një ditë pas Shkodra u trondit sërish nga një luftë mes bandash, me bilanc tre të vdekur, një i pafajshëm, ministri i Brendshëm ka përcjellë vetëm tre fjali për ngjarjen e rëndë, tregues se qyteti verior vijon të jetë nën kthetrat e krimit të llojit mafioz, me shumë hakmarrje brenda.
“Dje të gjitha forcat e Policisë së Shtetit kanë shkuar në Shkodër për të bërë të mundur arrestimin e autorëve. Ata janë atje për të bërë detyrën e tyre. Shumë shpejt do të kemi një rezultat konkret në lidhje me ngjarjen që ka ndodhur dje”, tha ministry Ervin Hoxha, një ish-oficer i lartë policie e jo një figurë politike.
Ngjan si një deklaratë e drunjtë, e detyruar nga interesimi gazetaresk, e cila nuk përcjellë besimin se Shkodra mund të pastrohet nga krimi.
Viktimat e djeshme në lagjen Dobraç, ishin: Hamza Lici, Arlind Bushati, si dhe një grua, e cila udhëtonte me motor me bashkëshortin e saj, pasi u përplas nga makina e Hamza Licit dhe Arlind Bushatit.
Kjo dyshe u qëllua në ecje nga një automjet, me autorë ende të paidentifikuar. /tesheshi.com/