Më 23 shtator 2024, Don Jr. Trump, djali i madh i Donald Trump, u takua me biznesmenë serbë në një darkë në Beograd për të eksploruar mundësitë e investimit në Serbi, shkruan Deutsche Welle dhe shton se kontaktet e Trump me sipërmarrësit dhe zyrtarët e qeverisë serbe datojnë që nga viti 2013, kur kryeministri i atëhershëm serb, Ivica Daçiç, publikisht shpalli interesimin e Trump për projektin e ndërtimit.
“Bëhet fjalë për ish-Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Popullore Jugosllave, objekt i cili u dëmtua rëndë gjatë bombardimeve të NATO-s në vitin 1999. Megjithatë, negociatat nuk dhanë rezultat. Deri në maj 2024, kur dhëndri i Trump, Jared Kushner, i udhëhequr nga ish-ambasadori i SHBA në Berlin, Richard Grenell, vulosi marrëveshjen. Kontrata, ndoshta me vlerë miliarda, parashikon dhënien me qira të kompleksit të ndërtesave për 99 vjet”, shkruan për DW Alexander Rhotert, analist dhe ish-diplomat gjerman.
Rhotert, një ish-punonjës i OKB-së, NATO-s, OSBE-së dhe Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë (OHR) në Bosnje, thekson se Grenell, të cilin shumë e shohin si Sekretarin e ri të Shtetit të SHBA-së në rast të fitores së zgjedhjeve nga Trump, konsiderohet si më i papëlqyeri në Berlin, si ish-ambasadori amerikan në Gjermaninë e pasluftës. Ndërsa e përditshmja zvicerane NZZ e quajti atë një “jodiplomat” për “sjelljen e tij të vrazhdë”, Don Trump Jr. së fundmi e vlerësoi si “kandidat kryesor” për postin e Sekretarit të Shtetit.
Ekskursioni i dështuar i Trumpit në Ballkan
Si i dërguari special i Trumpit për Ballkanin, tha Rhotert, Grenell i tërhoqi fijet kur kryeministri i Kosovës Albin Kurti u rrëzua në vitin 2020, sepse ai qëndroi në rrugën e një marrëveshjeje tjetër. Dyshohet se bëhej fjalë për shkëmbim territoresh ndërmjet Serbisë dhe Kosovës në bazë të kritereve etnike.
“Në qershor të vitit 2020, presidenti i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, donin të takoheshin me Trump në Shtëpinë e Bardhë për të nënshkruar marrëveshjen. Mediat raportojnë se plani ishte t’i aneksoheshin Serbisë katër komuna me dominim serb në veri të Kosovës. Në këmbim, Lugina e Preshevës, e cila është kryesisht e banuar me shqiptarë, do të bëhej pjesë e Kosovës. Një ‘shkëmbim territoresh’ i tillë mund të kishte shkaktuar një efekt domino, sepse vendet e Ballkanit Perëndimor janë ende multietnike përkundër luftërave të viteve 1990”, thekson autori i tekstit.
“Udhëheqësi serb i Bosnjës Milorad Dodik tashmë ka kërcënuar se në atë rast pjesa me shumicë serbe e Bosnjes, Republika Srpska, do t’i aneksohet Serbisë – gjë që mund të çojë në një luftë të re ballkanike.
Ndryshimet kufitare të motivuara etnikisht fshehin një potencial të madh për konflikt. Aktakuza e Gjykatës Speciale të Kosovës kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, e prishi planin e Trump. Thaçi u dorëzua vullnetarisht në gjykatë”.
Rhotert më tej thekson se popullariteti i vazhdueshëm i Grenellit në Serbi tregohet nga deklarata e ambasadorit serb në Uashington, Marko Gjuriç, i cili e quajti atë “mik i padyshimtë i Serbisë”. Vuçiç i dha Grenellit Urdhrin më të lartë Serb të Meritës në vitin 2023 dhe me atë rast tha: “Mendoj se ai është një nga të paktët njerëz nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës që ka një qasje të balancuar ndaj Kosovës”.
Çfarë sjellin Harris dhe Trump në Ballkanin Perëndimor?
Qëndrimi pro-serb i Trumpit na jep një ide se çfarë mund ta presë Ballkanin Perëndimor, shkruan ish-diplomati gjerman dhe vijon se qëndrimi i nënpresidentes demokrate dhe kandidates për president Kamala Harris për këtë çështje është ende i paqartë.
“Megjithatë, bazuar në biografinë e saj dhe qëndrimet e politikës së jashtme, mund të nxirren disa përfundime. Nga njëra anë, nuk ka gjasa që Harris të favorizonte serbë ose etno-nacionalistë të tjerë, duke pasur parasysh prejardhjen e saj multietnike. Përveç kësaj, Harris është e njohur për qëndrimin e saj pro-ukrainas. Ndoshta presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e paralajmëroi atë për planet e supozuara të Moskës për të destabilizuar Ballkanin ose për të hapur fronte atje me nacionalistët serbë besnikë ndaj Moskës. Marrëdhëniet e ngushta mes Beogradit dhe Moskës mund ta nxisin Harrisin të korrigjojë kursin”, vijon autori i DW.
Ai kujton se si Edward Joseph, një studiues i konflikteve në Universitetin e njohur Johns Hopkins, kritikoi kohët e fundit “politikën e zbutjes” të Presidentit aktual të SHBA Joe Biden ndaj Serbisë.
“Vuçiç po e drejton Beogradin gjithnjë e më larg në lindje dhe nuk ka asnjë arsye pse Presidentja e mundshme Harris duhet të vazhdojë të udhëheqë këtë politikë të gabuar. Ish-diplomati amerikan Shaun Byrnes dha një shënim të ngjashëm me rekomandimin e tij: ‘Ne duhet të jemi më të ashpër ndaj Serbisë sepse ajo është ende armiqësore ndaj Kosovës’”.
“Diplomaci fantastike” në Ballkan
Daniel Serwer, një diplomat veteran që punoi me “arkitektin” e marrëveshjes së paqes së Dejtonit, Richard Holbrooke, e përshkroi politikën e Bidenit në Ballkan si “diplomaci fantastike”: instalimi i Vuçiçit – ministrit të propagandës së presidentit serb dhe “kasapit të Ballkanit” të Sllobodan Millosheviçit në vitet 1990 – si një spirancë e stabilitetit është larg realitetit.
“Vizitat e shpeshta të të besuarit të Vuçiçit, zv/kryeministrit Aleksandar Vulin, në Rusi, gjatë të cilave ai së fundmi e siguroi personalisht presidentin Vladimir Putin se ‘Serbia është partnere strategjike dhe aleate e Rusisë’, ngrenë dyshime për politikën amerikane”, shkruan Rhotert.
Veprimtaritë e njerëzve të Trumpit në Beograd treguan se, nëse ai rizgjidhet president i SHBA-së, qëllimet ekonomike do të jenë në krye të politikës amerikane ndaj Ballkanit Perëndimor, shkruan autori dhe thekson se Trump “është shumë i kënaqur që Presidenti i Serbisë, Vuçiç, ka marrëdhënie të shkëlqyera me Putinin”.
“Kjo është e tmerrshme për Ukrainën, Bosnjën, Kosovën dhe Malin e Zi. Edhe pse Bosnja dhe Kosova, dy vende me shumicë myslimane, janë fort pro-amerikane dhe pro-perëndimore, ato nuk mund të llogarisin automatikisht mbrojtjen e SHBA-së nga ambiciet ekspansioniste serbe në rast të rizgjedhjes së Trumpit”, arsyeton analisti gjerman.
Tradhtia ndaj një aleati nëse i përshtatet fati
“Në të kaluarën, republikani e ka bërë të qartë se do të braktisë aleatët nëse kjo i përshtatet llogaritjeve të tij. Në dhjetor 2018, për shembull, ai njoftoi se do të tërhiqte shumicën e forcave amerikane nga Siria, duke tradhtuar kurdët që kanë mbajtur peshën kryesore të luftës kundër (grupit të armatosur) Shtetit Islamik (IS). Kjo tradhti nga aleatët bëri që Sekretari amerikan i Mbrojtjes James Mattis të jepte dorëheqjen. Para marrëveshjes së dështuar të Grenellit për shkëmbimin e territorit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Trump tashmë e kishte kërcënuar kryeministrin Kurti me tërheqjen e trupave amerikane nga Kosova, e cila konsiderohet si garanci paqeje”.
Në fund, Rhotert shkruan se, “së paku është në pikëpyetje nëse forca mbrojtëse e NATO-s KFOR mund të garantojë sigurinë e Kosovës pa SHBA-në”.
“Administrata e Bidenit duket se së paku ka parashikuar për këtë eventualitet: SHBA-ja e ka furnizuar Kosovën me 250 raketa antitank Javelin, të njohura nga lufta e Ukrainës, dhe Turqia ka furnizuar me dronë po aq efektivë Bayraktar. Pa këto dy sisteme armësh, Ukraina ndoshta nuk do të ekzistonte më si një vend i pavarur. Meqë ra fjala, Kosova nuk ka tanke luftarake. Për dallim nga Serbia, forcat e armatosura të së cilës kanë 250 njësi. Prandaj, numri i raketave të dorëzuara ndoshta nuk u zgjodh rastësisht.” /tesheshi.com/