Nga Blendi Gashi
Që nga paslufta, Universiteti i Prishtinës është përballur në vazhdimësi me ndërhyrje politike. Një gjë të tillë e dëshmojnë ndër vite rektorët e zgjedhur që kryesisht janë emëruar në këtë post falë lidhjeve të afërta me partitë në pushtet.
Politika ka dhënë fjalën e saj edhe në emërimin e profesorëve por edhe asistentëve.
Jo pak profesorë janë emra të njohur politikanësh që për shkak të angazhimeve në punë të tjera shumë shpesh ka ndodhur të mos mbajnë orët e tyre mësimore për çka paguhet nga UP-ja.
Kontratat e dyfishta kanë qenë një problem mjaft i madh i UP-së për më shumë se një dekadë, pikërisht për shkak të keqpërdorimit të këtij statusi nga një numër i konsiderueshëm i bartësve të tyre.
Shumë shpesh ka ndodhur që bartësit e funksioneve publike me muaj të tërë të mos e mbajnë mësimin, ose t’i anagazhojnë asistentët për t’ua kryer punën e tyre, ndërkohë që janë paguar me rregull me gjysmën e pagës.
Me gjysmë page janë paguar edhe njerëzit që, me vullnetin e vet, kanë konkurruar për punë të tjera si drejtorë të ndërmarrjeve publike, të agjencive shtetërore, rektorë të universiteteve të tjera e të ngjashme.
Ish-rektori i UP-së Ramadan Zejnullahu, gjatë kohës sa drejtoi këtë institucion arriti të ndaloj praktikën e pagave paushalle, nga vendim i cili u prekën profesorë të shumtë dhe asistentë, e që në mesin e tyre janë emra politikanësh si kryeministri Isa Mustafa, ish-kreu i gjykatës Kushtetuese Enver Hasani, ministri i Arsimit, Arsim Bajrami etj.
Rektori Dema të reflektojë
Për dallim nga ish-rektori Zejnullahu i cili ishte këmbëngulës që vërtet politika të rri larg universitetit, rektori i ri i UP-së, Marjan Dema siç duket nuk e ka fort problem një gjë të tillë dhe këtë më së miri e dëshmon deklarata e bërë së fundmi nga ai ku thotë se “kryeministri është privilegj të ligjërojë në UP edhe nëse ai nuk mund t’i mbajë orët me rregull”.
Kjo deklaratë e rektorit të ri ka ngjallur reagime të shumta të njohësve të fushës së arsimit në vend, por edhe të drejtuesve të mediave.
Dukagjin Pupovci, njohës i çështjeve të arsimit në vend thotë se praktika e pagave paushalle është ndërprerë nga rektori i mëparshëm Zejnullahu, por po duket se kjo struktura e re drejtuese e Universitetit është e interesuar ta rikthejë përsëri.
Pupovci thotë se nga deklarata e rektorit Dema, mund të kuptohet se kategoria e privilegjuar do të jenë pikërisht bartësit e funskioneve të larta publike, por shpreson që rektori të reflektojë në të kundërtën inkurajohet parregullësia dhe universiteti vihet nën tutelën e politikës.
Njohësi i çështjeve të arsimit, Dukagjin Pupovci thotë se nuk ka asnjë të keqe që njerëzit në funksione të larta publike të mbajnë mësim në universitet, por ata duhet të marrin aq orë sa mund t’i përballojnë dhe duhet të paguhen sipas numrit të orëve të mbajtura, e jo në formë paushalle.
“Nëse dikush nuk mund ta mbajë mësimin ndonjëherë dhe e dërgon asistentin, e drejta është që për këtë punë të paguhet asistenti, e jo profesori që e ka dërguar. Ndërkaq, ai që vazhdimisht e dërgon asistentin, siç ndodhë në shumë raste, çon mesazhin se nuk ka kohë për mësimdhënie, prandaj është e arsyeshme që ta pezullojë marrëdhënin e punës në UP deri në përfundim të mandatit publik. Nëse nuk e pezullon vet, është rektori ai që duhet t’ia pezullojë”, ka thënë Pupovci për tesheshi.com.
Aktivizimi i politikanëve në UP s’është privilegj, por politizim i skajshëm
Ndaj deklaratës së rektorit Dema lidhur me dhënien mësim në këtë institucion edhe nga personalitete të larta politike e udhëheqëse të cilëve “këtë të drejtë” ua kishte mohuar rektori paraprak Ramadan Zejnullahu, ka reguar edhe Flaka Surroi, drejtoreshë e grupit “Koha”.
Surroi, përes një shkrimi në Facebook, ka kundërshtuar këtë deklarim duke thënë se aktivizimi i zyrtarëve të lartë politikë në UP “nuk është privilegj, porse është politizim i skajshëm i institucionit që duhet të prodhojë profesionistë, e jo oportunistë politikë sipas shembullit që ua japin mësimdhënësit të tyre”.
“T’i kesh kryeministrin, ministrat dhe kryetarin mësimdhënës vetëm e vërteton një fakt të pamohueshëm: se këta njerëz nuk mund të jenë nga njëra anë, as kryeministra, ministra e kryetarë të mirë, e as profesorë të mirë nga ana tjetër, për shkak se nuk kanë kapacitet as fizik e as mendor për t’i kryer dy punë me aq shumë përgjegjësi ashtu si duhet, sepse, përkundër dëshirës së tyre, ata nuk janë supermena. Mbase është koha e fundit të vendoset se ai qe zgjedh të merret me politikë, nuk mund të jetë njëkohësisht edhe mësimdhënës, e aq më pak të paguhet për punën që nuk e kryen, edhe atëherë kur zëvendësohet nga asistenti i autorizuar”, thotë Surroi.
Ndryshe, sot kryeministri, Isa Mustafa, vizitoi Universitetin “Hasan Prishtina”, me ç’rast takoi rektorin Dema. Rektori i ri edhe vizitën e sotme të kreut të ekzekutivit e quajti privilegj. /tesheshi.com/