Kjo çokollatë ka tërhequr vëmendjen e shumë dashamirëve të saj, por ka shkaktuar edhe polemika për shkak të çmimit dhe statusit simbolit që mbart qartë.
Në qytete si Berlini, Shtutgarti, Frankfurti dhe Hamburgu, radhët për “Dubai-çokollatë” janë bërë një dukuri e përditshme.
Bëhet fjalë për një çokollatë prej 150 gramësh, çmimi i së cilës është 14.99 euro dhe është prodhuar nga marka e njohur zvicerane Lindt.
Siç raportohet, interesi për këtë delikatesë nuk po pakësohet dhe klientët janë të gatshëm të sakrifikojnë orë të tëra pritjeje për ta blerë atë. Disa më vonë e parashitnin për shifrën përrallore prej 500 euro.
Çokollatë speciale
Mes atyre që vendosën të qëndrojnë në radhë është 22-vjeçari Wael, një teknik mjekësor nga Berlini. Për të siguruar çokollatën për dhuratën e ditëlindjes së gruas së tij, ai u vendos në radhë që në orën 03:14, edhe pse dyqani hapej në orën 10:00.
“Dua t’i jap asaj diçka të veçantë,” tha Wael. Në orët e para të mëngjesit, durimi i tij u nda me një duzinë njerëzish të tjerë që ishin mbledhur për të njëjtin qëllim.
Ndërkohë që disa qytetarë e presin me entuziazëm këtë delikatesë, të tjerë janë skeptikë ndaj fenomenit. Kritikët besojnë se çmimi është i tepërt, dhe mania për çokollatën, sipas tyre, është një reflektim i njerëzve që kanë shumë kohë të lirë. Një kalimtar ka komentuar në mënyrë cinike: “Njerëzit sillen sikur është flori, jo çokollatë”.
Pavarësisht mendimeve të ndara, popullariteti i “Dubai-çokollatë” nuk po zbehet, ndërsa radhët para dyqaneve janë bërë shenjë se sa shumë ky produkt ka fituar zemrat apo gojët e adhuruesve të ëmbëlsirave. /tesheshi.com/