Qeveria shqiptare ka ndërmarrë një hap të pazakontë në atë që e konsideron “luftë të saj” kundër kanabisit.
Siç mësohet nga Top Channel, ministri i Rendit, Saimir Tahiri i ka përcjellë një letër dërguar Komisionierit për Çështjet e Brendshme në BE, Dimitris Avramopolus, ku i kërkon që ky i fundit të verifikojë nëse agjencitë ligjzbatuese të BE-së, Europoli dhe Frontex mund ta ndihmojnë Shqipërinë në luftën kundër drogës.
Pasi i ka bërë një panoramë të asaj çfarë ka bërë qeveria kundër drogës, Tahiri më pas i kërkon komisionerit Avramopolus të vlerësojë se lufta ndaj drogës është një luftë që nuk mund të bëhet nga një shtet i vetëm. Ai kërkon që komisioneri të verifikojë nëse ka mekanizma të ndryshme brenda agjencive të Europolit dhe Frontex-it ose kapacitete të tjera financiare të BE-së që mund ta ndihmojnë Shqipërinë në vazhdimin e kësaj lufte.
Në letrën e Tahirit thuhet se droga nuk duhet të shkojë as në shkollat shqiptare dhe as drejt vendeve të BE-së. /tesheshi.com/