Ish-kreu i anti-drogës së Vlorës, Dritan Zagani, njeriu që është strumbullar i përfoljes së qeverisë Rama për implikim në afera droge, nëpërmjet emrit të Saimir Tahirit, duhet të kthehet në Shqipëri për të dëshmuar në komisionin hetimor të sapokrijuar mbi trafikun e drogës dhe rolin e Tahirit.
Zagani, siç dihet, ndodhet në Zvicër, i larguar në kushtet e hetimit për dekonspirim aksionesh.
Ky komision ka listuar një sërë emrash për të dëshmuar, ku veç Zaganit do të thirret dhe kryeministri Edi Rama; ministri i Rendit, Fatmir Xhafaj; ish-kreu i SHISH, Visho Ajazi Lika, Saimir Tahiri po e po; ish-kreu i Policisë së Shtetit, Haki Çako, të gjithë krerët e policive në qarqe etj.
Ndërkohë, anëtarët socialistë të komisionit kanë kërkuar që hetimet mbi kultivimin dhe trafikimin e drogës, të zgjerohen dhe në vitet e kaluara, për të përfshirë pra dhe qeverisjen e Berishës, deri dhe të Nanos. /tesheshi.com/