E pra, jemi mësuar që vazhdimisht të dëgjojmë ambasadorë të paqes, të sportit të artit etj., por jo edhe ambasadore uji. E hasim këtë titull pikërisht në Kosovë, tek një zonjë siç është dr. Selvete Hoxha–Krasniqi, zv/drejtore e Institutit të Shëndetit Publik të Kosovës, e cila e ka marrë këtë titull për avancimin e çështjeve në sigurimin e ujit higjenik, atij të pijshëm. Uji, siç thuhet, është baza e jetës; e për kërë arsye, ambasadorja e saj Hoxha–Krasniqi, tashmë në fund të karrierës profesionale, e ka parë atë dhe si një akt të lartë human. Ndaj dhe premton se do vijojë të të kontribuojë sa të mundet që uji, ajo çfarë konsumojnë qytetarët e Kosovës, të jetë i pastër e i shëndetshëm.
Intervistoi: Shkëlzen Rrecaj
Dr. Hoxha-Krasniqi, si është gjendja e ujit të pijshëm në Kosovë?
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik me ligj është monitorues i cilësisë së ujit të sektorit të shëndetësisë në nivel vendi. Gjendja e ujit ose cilësia e ujit të pijshëm përgjithësi në Kosovë është e mirë, nëse bisedojmë për resurset ujore, Kosova i ka resurse ujore cilësore. Kontaminimi, ndotja bëhet gjatë udhëtimit, mirëpo prapë në përpunim fabrikat e ujit që janë ujësjellësit kur fabrikohet cilësia e ujit të sistemeve publike mund të them që është e mirë.
Ana tjetër e medaljes janë ujërat rurale ose ujërat e bunarëve për të cilat flasim më vonë.
Sipas Agjensionit të Statistikave të Kosovës, nga censusi i fundit, mbi 99% të popullatës kanë qasje në ujin e pijshëm. “Programi i Danubit për Ujëra” vlerëson se Kosova qëndron më mirë se shtetet e rajonit sa i përket shtrirjes së furnizimit me ujë nga rrjeti publik. Autoriteti Rregullator për Shërbime Ujore e vë këtë në 83% dhe pas programit të qeverisë së Kosovës dhe asaj zvicerane për sisteme rurale, pritet të rritet deri në 90%. Si e vlerësoni ju këtë rritje?
Vërtet, kjo është rritje pozitive. Që nga viti 2000, ISHP i ka të gjitha të dhënat që kanë të bëjnë me cilësinë dhe kyçjen e banorëve në ujësjellës. Situata është drejt përmirësimit. Pra, prej 44% aq sa e kemi patur gjatë viteve 82-85, mandej 64% deri në 95-tën, tani ajo është diku rreth 83%. Nëse këtë e zbërthejmë në nivel vendi apo rajoni, del se në rajonet urbane kyçja është 100%. Mirëpo, kjo përqindje bie për shkak të gjendjes së sistemeve rurale, kur dihet që fshatrat kanë sisteme të veta. Çdo sistem rural dhe çdo objekt ujor bëhet i dyshimtë për nga cilësia po që se nuk monitorohet në vazhdimësi. Prej vitit 2000 ka vetëm ngritje edhe për nga kyçja infrastrukturore ose ndërtimeve të ujësjellësve, por edhe nga aspekti i cilësisë së ujit.
Megjithatë mbetet një pjesë e mirë e qytetarëve të Kosovës që akoma furnizohen me ujë nga puset. Si është gjendja e ujit në këto puse, a kontrollohet nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike?
E vërtetë është që një pjesë e banorëve tanë furnizohen edhe nga puset ose ujësjellësit lokale që i kanë ndërtuar për vete d.m.th nga vetë komuniteti dhe këto ujëra konsiderohen të dyshimta dhe të pasigurta. Për t’u eliminuar ky problem, e mira e së mirës është kyçja e rajoneve rurale apo periferike në sistemet qendrore. Pas luftës kemi patur ndërtime të ujësjellësve nga donatorët e huaj, sidomos nga OXFAM-i, i cili ka qenë prej donatorëve kryesorë. Ujësjellësit e ndërtuar prej kësaj organizate më pas u janë dorëzuar vetë banorëve.
Nga ajo çfarë kam parë te këta ujësjellës është se komuniteti ynë nuk është i përgatitur të marrë përgjegjësi, d.m.th. të angazhojë një qytetar të vetin me rrogë dhe i cili do të obligohej me pagesat e ujit, dezinfektimin e ujit, mirëmbajtjen, etj. Kompanitë rajonale të ujit, të cilat janë shtatë sosh, po hezitojnë t’i marrin këto ujësjellës në menaxhim. Mendoj se kjo duhet të bëhet patjetër dhe se ujësjellësit lokale duhet që të menaxhohen nga sistemi më i afërt rajonal i ujit.
Si shembull mund ta marrim Radoniqin, i cili i ka kyçur të gjitha fshatrat në ujësjellës, madje menaxhmenti i këtij ujësjellësi është duke e planifikuar që t’i kyç edhe disa fshatra të Prizrenit dhe të Rahovecit. Sa i përket pyetjes suaj, instituti ynë nuk bën monitorimin e secilit pus, ç’gjë do të ishte e pamundur. Por, roli i institutit është vetëdijesimi i popullatës për rëndësinë, rolin dhe kërcënimet ose sëmundjet që mund t’i marrin përmes ujit. Për këtë qëllim ne kemi vënë në shërbim edhe faqen tonë të internetit. Aty kushdo mund t’i gjejë shtatë instruksionet ose udhërrëfyesin sesi duhet të hapet një pus higjenik.
Gjithashtu, ne kemi patur një program shumë të mirë në nivel kombëtar, por i cili fatkeqësisht është ndërprerë. Ne u patëm kërkuar komunave që t’i përzgjedhin dhjetë fshatra me situatë epidemiologjike jo të mirë, pasi që dihet se shumë sëmundje përhapen përmes ujit, që t’na i sjellin listën e këtyre fshatrave. Më pas patëm lidhur një kontratë me Drejtoritë Komunale për Shëndetësi dhe ua patëm siguruar pagesën vetëm të reagjencentë, për arsye se instituti nuk mund t’i përballojë të gjitha shpenzimet. Kjo ka funksionuar 3-4 vjet dhe pastaj është për arsye të buxhetit. Mendoj se një projekt kaq i rëndësishëm nuk është edhe aq i kushtueshëm, pasi që ne së paku katër herë në ditë marrim mostrat e ujit dhe tashmë kemi të ndërtuar piramidën e situatës epidemiologjike.
Në përgjithësi, nga cilët faktorë rrezikohet uji i pijshëm?
Uji i pijshëm rrezikohet nga shumë faktorë. Siç ju thashë, resurset ujore i kemi shumë të mira, por edhe ato kanë kërcënimet e tyre. Një ndër faktorët kryesor që e rrezikon ujin është njeriu, sjellja agresive ndaj rrjedhave ujore p.sh. lumenjve, për shkak se njeriu ujin e merr prej burimit sipërfaqësor ose nëntokësor. Në Kosovë kemi liqene akumuluese ose lumenj si p.sh. Drini prej nga ku qyteti i Pejës. Të ju them sinqerisht se kur i shoh lumenjtë tanë sesi trajtohen, ku mund të hasësh rrota makinash, tjegulla, mbeturina të gjithfarshme, këtu e vëren fatkeqësinë jonë. Pra, uji i pijshëm rrezikohet nga njeriu. Ndotja vjen nga vetë njeriu dhe definitivisht ajo është antropogjene.
Po në impiantet e trajtimit të ujit, sa ka kontroll të cilësisë së ujit? A kontrollohet uji vetëm në rrjet apo edhe në çezme?
Kjo tashmë është e rregulluar me ligj. Ne tani kemi bërë ekuivalentimin e udhëzimit administrativ 16/2012 i cili është në fuqi. Aty qartë shkruan se kontrolli i cilësisë së ujit i dedikuar për konsum human duhet t’i nënshtrohet kontrolleve të cilësisë. Edhe ujin që e marrim prej çezmës jemi të obliguar ta kontrollojmë dhe e bëjmë në raport me fabrikat e ujit. Ne nuk kemi dalë nga mënyra e monitorimit të cilësisë së ujit siç e bëjnë vendet e BE-së. Mund të them se ka përmirësim të jashtëzakonshëm të cilësisë së ujit, për shkak të vetëdijesimit të kompanive ujore, mandej edhe të përmirësimit të infrastrukturës. Sigurisht se jeni në njohur për donacione që jepen në këtë aspekt. P.sh fabrika e re e ujit në kryeqytet, etj.
A është uji i ambalazhuar më i sigurt për pije se uji i çezmës?
Jo! Nuk them se është i keq apo i mirë, por unë jam fanse e ujit të çezmës për arsye se i besoj. Ndoshta ngaqë jam në këtë punë dhe e shoh për çdo ditë sesi kontrollohet e monitorohet. Uji i çezmës është shumë i mirë. Uji i ambalazhuar nuk ofron asgjë më shumë dhe e tëra është punë marketingu, biznesi… Dikush i ka mundësitë për ta blerë, por më shumë është trend. Uji i çezmës është shumë i mirë edhe vetë e pi.
Një prej faktorëve që e rrezikon shëndetin e njeriut është edhe ndotja e ambientit. Sa kontribuon Instituti i Shëndetit Publik në ngritjen e vetëdijes për ndikimin e ndotjes në shëndetin publik?
Sëmundjet mjedisore sipas raportit të OBSH-së janë shkaktare të rreth 23% të vdekshmërisë totale në nivel botëror. Këtu hyn ajri, uji, toka, kemikatet, pesticidet dhe shkaktarë të tjerë. Sot nuk janë problem sëmundjet ngjitëse siç dikur kanë qenë kolera, tifoja, etj., sepse ka dezinfektime të mira, në veçanti të ujit. Tani është problem ndotja kimike në përgjithësi, e ku as Kosova nuk bën përjashtim.
Vetëdijesimi i popullatës sa i përket ndotjes së ambientit nuk është vetëm kompetencë e ISHP-së dhe këtu ne të vetmuar nuk mund të bëjmë asgjë. Këtu si partner kryesor i shoh mediet. Unë kam shumë dëshirë që të gjitha portalet apo televizionet që çdo ditë së paku 5 min, të rezervojnë një hapësirë në të cilën do të këshilloj për ruajtjen e shëndetit, mjedisit, etj. Ne dimë si ta bëjmë këtë punë, por nuk po gjejmë partner. Kështu që pak jemi duke bërë. Ne kemi broshura, materiale propagandistike, por ato po mbesin në duart e 20-30 vetave. Mendoj që mediet janë ato që mund të kontribuojnë më shumë, pastaj shkollat, çerdhet, etj. Kështu njeriu do të krijonte shprehitë e ruajtjes se mjedisit.
Meqë jemi pranë sezonit të larjes, a kontrollohet cilësia e ujit të pishinave, të hapura apo të mbyllura?
Kjo është kompetencë e institucioneve sanitare në nivel të komunave. Çdo komunë e ka listën e pishinave dhe objekteve rekreative dhe ata duhet që të bëjnë kontrata përkatëse përkitazi me përcjelljen e cilësisë së ujit. Ne kemi gjashtë institute rajonale: Pejë, Gjakovë, Mitrovicë, Prizren, Gjilan. Por, ne nuk mund të shkojmë pa na ftuar inspekcioni ose pronarët e pishinave private. Është fakt se këtyre pronarëve u dhimbsen paratë që të bëjnë analiza aq sa nuk munde ta merrni me mend dhe pavarësisht të hyrave të majme që sigurojnë në këtë sezon, ata nuk janë në gjendje që një shumë simbolike ta ndajnë për cilësinë e ujit. Vullnetarisht nuk mund të bëjmë gjë, ngase nuk jemi shumë të vetëdijesuar. Këtu rol të madh duhet ta ketë inspekcioni, i cili do të interesohej se ku i hedhin mbeturinat, se a e kanë bërë analizën e ujit në të cilin freskohen mbi 500 veta, etj. Pishinat për fat të keq nuk janë të monitoruara, megjithse ligji ekziston.. Shembull për të mirë ka qenë pishina e Gërmisë. Ata vetë kanë ardhur në ISHP dhe kanë kërkuar prej nesh, pa kurrfarë trysnie nga inspektorët, që të bëjnë analizën e ujit dhe në aspektin afatgjatë ne kemi bërë monitorimin e cilësisë së ujit.
Si e vlerëson Instituti i Shëndetit Publik larjen në liqenet e Kosovës, kur ato dihet se kryesisht janë për furnizim të ujit të pijshëm? P.sh. para do viteve ishte skandali i ndërtimit të plazheve të Batllavës që furnizon 60% të kryeqytetit….
Resurset ujore që tek ne janë tipike sipërfaqësore akumuluese dhe mund të përdoren edhe për qëllime rekreative. Unë kam parë që këto lloj liqenesh edhe në vende të tjera të përdoren për këso destinimesh. Mirëpo, atje këta rezervuar janë strikt të kufizuar se çfarë duhet të bëhet. P.sh. janë të ndaluara barkat me motor, larja e makinave, ndërtimi i objekteve hoteliere, resurset ujore janë rrethuara dhe të mbrojtura. Lejohet të përdoret për pastrim, por jo me këto keqpërdorime. Po ashtu, këto liqene duhet të jenë të pajisura me tabela, rojë, etj.,
Kështu nuk është tek ne. Lidhur ndërtimin e plazheve, ISHP pati reaguar dhe zotërojmë shkresën që e kemi dorëzuar në komunë, bile ka qenë shumë e çuditshme kur e kam parë një gjë të tillë. Ajo çfarë e bën këtë situatë edhe më bizare, është se këto plazhe janë ndërtuar me participim të donatorëve nga BE-ja. Më gjeni një vend brenda BE-së ku lejohet ndërtimi i ndonjë objekti hotelier afër resurseve ujore! Resurset ujore duhet të jenë të paprekshme dhe të mbrojtura nga dëmtuesit dhe të përdorën me kujdes për çështje rekreative.
A rrezikohet Kosova nga ndonjë sëmundje epidemike?
Nëse i referohemi jo vetën ujit, por edhe sëmundjeve mjedisore, ne këtu në institut e kemi departamentin e epidemiologjisë në kuadër të së cilit veprojnë dy sektore: ai i sëmundjeve ngjitëse dhe jo ngjitëse. Ende në Kosovë kemi sëmundje që shkaktohen nga tri shkaktarë: uji, ushqimi dhe duart e palara. Këto tri rrugë ndikojnë në sindromën diareale, pra ende kemi atë situatën klasike epidemiologjike. Por prej vitit 2000 ka përmirësim të dukshëm. Raste me tifo, kolerë, e sëmundje të tjera ngjitëse nuk ka.
Por, nuk jemi të përjashtuar nga rreziqet e ujit nga sëmundjet vektoriale ose bartëse e kam fjalën këtu tek ngrohja globale, virusi “Zika” dhe unë nuk dua të bëjë panik. Zika që është tani top temë në qarqet botërore të shëndetësisë, por Kosova nuk është absolutisht e rrezikuar, për shkak se brezi ynë gjeografikisht – pozita e Kosovës, është mrekullia vetë. Ne jemi rrafshnaltë që i kullon ujërat dhe nuk ka liqe të mëdha. Hepatiti a është sëmundje e sanitacionit të ulët. Nuk kemi ndonjë sëmundje hidrike që dominon në Kosovë.
Përveç kësaj Kosova është në Europë dhe ka cilësi të mirë të ujit dhe kjo është vazhdimisht në monitorim. Ne jemi zjarrfikës të shëndetit publik. Gripet janë shkaku i ngrohjes globale për arsye se dimri ka qenë i butë, mund të ketë edhe pickime të rriqrave, por është bërë një punë e mirë në këtë drejtim dhe qytetarët tanë janë vetëdijesuar akoma më shumë në këtë aspekt.
Për avancimin e çështjeve në sigurimin e ujit higjenik për pije për të gjithë qytetarët, ju u shpallet “Ambasadore e Ujit” për Kosovën. A mund të na flisni më shumë rreth këtij çmimi si dhe rolit tuaj tani e tutje?
Kur u njoftova për këtë çmim, të them të drejtën më erdhi mirë për arsye se jam në përfundim të karrierës. Kjo për mua është privilegj dhe detyrë. Unë do të vazhdoj të punoj si me titull si pa të, sepse e dashuroj punën time dhe që nga fillimi i karrierës sime, të gjitha avancimet dhe ecjet e mia akademike kanë qenë të lidhura me ujin. Kam përfunduar shëndetin publik në Zagreb ku dhe kam marrë specializimin. Pastaj kam magjistruar në çështjet e ujit, doktoruar po ashtu në këtë temë dhe tani jam profesoreshë e shëndetit në Fakultetin e Mjekësisë në UP.
Uji për mua është një temë e pafund. Ai sjell lumturi, kënaqësi, komoditet dhe të gjitha të mirat, por është kërcënues, hakmarrës, si p.sh. vërshimet. Është nder personal që të vazhdoj të punojë edhe më shumë në këtë aspekt në promovimin e çështjeve mjedisore, posaçërisht atyre të lidhura me ujin. Ka ende shumë punë, pasi që uji kurrë nuk përfundon. Sa herë që mendon që ke mbyllur një kapitull, del një tjetër.
Punët që i kam në trajtim janë protokolli i ujit, plani i sigurisë së ujit në nivel kombëtar, mandej është rregullatori ndërkombëtar shëndetësor ku uji është kapitull në vete, direktivat e tjera ku ne duhet të bisedojmë materiet që janë në kontakt me ujin, si p.sh. çështja e gypave me ndryshk, ku edhe po reagoj në këtë aspekt. A nuk patën ku t’i blejnë veç në Kinë? Ky është investim i madh dhe qytetarët e kanë pritur gjatë ujësjellësin e ri të Prishtinës. Materiali që duhet të vijë duhet të jetë i certifikuar nga ndonjë vend i BE-së dhe kjo është shumë më rëndësi ngase tani jemi në Europë dhe uji është kryetemë. Kështu që më mirë të bëhet një punë e mirë sesa shkel e shko! /tesheshi.com/