Nga Bardha Nergjoni
Emigrimi mbetet një çështje kryesore në mendimet e shqiptarëve edhe pas 25 vjetësh nga ndryshimi i sistemit. Të paktë janë ata që e kanë studiuar duke dhënë edhe përgjigje për këtë çështje që kërkon një orjentim të drejtë dhe një vëmëndje të shtuar pasi për shumë vite konsiderohej një burim i artë ekonomik për të gjithë familjet shqiptare edhe brenda vendit. Elvira Fetahu ka analizuar sipërmarrjen e emigrantëve, fenomenin emigracion bashkë me të mirat dhe të këqiat që e pasojnë. Elvira është një profesioniste dhe kërkuese shkencore, që nuk i mungon ambicja dhe përkushtimi duke bërë hapa të jashtëzakonshme në karrierën e saj. Studimin e çështjes së emigrantëve shqiptarë ajo e ka nisur qysh në vitin 2010 për ta zgjeruar e thelluar me studime të plota pranë Qendrës Evropiane për Çështjet e Minoriteteve (ECMI) në Flensburg të Gjermanisë. Nivelin e tretë të studimit e ka mbyllur pranë Shkollës së Doktoraturës në Shkenca Sociale, Ekonomike dhe Politike (GSSPS) në Milano të Italisë. Objekt i doktoratës së saj do të ishin emigrantët shqiptarë në Lombardi dhe më gjerë, me kërkime e studime në terren mbi aftësitë sipërmarrëse të komuniteteve të emigrantëve shqiptarë atje. Ajo studioi me terma ekonomikë kapacitetet e tyre për të mbështetur ekonominë kombëtare në procesin e ndërkombëtarizimit dhe të standardizimit te sjelljeve, konsumit, prodhimit vendas për t’ju përshtatur këtij procesi, duke shërbyer si ura transnacionale shkëmbimi ndërkombëtar me rryma ekonomiko-sociale që lëvizin në të dy drejtimet, brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Dr. Fetahu, aktualisht pedagoge e Fakultetit Ekonomik në Elbasan dhe drejtuese ekzekutive e Institutit për Kërkim Shkencor dhe Politika në Arsimin e Lartë ( IKPAL), është angazhuar së fundi në disa projekte europiane në fushat e saj të interesit si “ndërkombtarizimi dhe migracioni ne proces” dhe “marketing të territorit si dhe shpërndarja e të ardhurave kombëtare në hapësirat ku shfrytëzohen burimet natyrore”. Si pjesëmarrëse dhe partnere nëpërmjet IKPAL, në një nga konferencat unike për emigracionin në Shqipëri, si studiuese e fushës, Elvira disa reflektime e konkluzione të konferencës ku referuan studiues të fushës së migracionit, politikbërjes, akademike dhe aktivistë nga shoqeria civile. Në këtë konferencë nuk mungoi as vetë zëri i emigrantëve, të cilët ndanë eksperiencën, sfidat dhe arritjet në rrugëtimin e tyre.
Ju keni pasur rastin të studioni vetë sipërmarrjen e emigrantëve në provincën e Milanos. Çfarë sfidash hasin emigrantët në vendet ku punojnë dhe si reagojnë ato përballë krizës?
Emigrantët shqiptarë janë grupi i dytë më i madh i emigrantëve në Itali duke përbërë më shumë se 13.7% të qytetarëve jo komunitarë në vendin fqinj. Pas më se 25 vjetësh shqiptarët po integrohen relativisht sukseshëm në vëndet pritëse duke krijuar dhe forcuar komunitetin në këto vende sidomos në sektorë të përqendruar si ndërtimi ku janë punësuar më shumë se 53% e tyre. Pjesa tjetër janë të shpërndarë në sektorë të tjerë të shërbimeve, restorante, aktivitete financiare dhe tregti duke punësuar më së shumti vartës që kanë të njëjtën origjinë si vetë sipërmarrësit. Pavarësisht se janë grupi i dytë më i madh i emgrantëve në Itali, shqiptarët nuk mbajnë të njëjtin pozicion në lidhje me aktivitetin sipërmarrës. Ata besojnë se marrëdhëniet me italianët (51.9%), por edhe me emigrantë të tjerë jo familjarë por me të njëjtën kombësi (50%) dhe lidhjet familjare (40.7%) janë të domosdoshme për të menaxhuar sipërmarrjen e tyre. Nga ana tjetër ato nuk janë te sigurtë nëse lidhjet me organizatat e tjera shqiptare në Itali ose Shqipëri ose dhe vetëm italiane do mund të ndikonin në aktivitetin e tyre të biznesit. Kur lind nevoja për të kërkuar bashkëpunëtorë ose punonjës, zakonisht sipërmarrësi nuk pyet dhe as drejtohet tek ndonjë person në veçanti për këshillim, dhe nuk e bën këtë as për qëllime konsultimi për biznesin (62%). Nga eksperienca që ata kanë mbledhur deri tani në biznes, bien dakort se aspekte të tilla si: dëshira për punën, eksperienca dhe profesionalizimi, familjariteti me italianët, eksperienca profesionale, tradita e familjeve të tyre dhe njohuritë mbi gjuhën italiane janë aspekte shumë të rëndësishme në menaxhinin e suksesshëm të sipërmarrjeve të tyre. Ata kanë marrëdhënie me të tjerë sipërmarrës italianë dhe shqiptarë në Itali, por jo marrëdhënie me sipërmarrës shqiptarë në vëndin mëmë (87.8%). Emigrantët shqiptarë të cilët i kanë këto marrëdhënie i shfrytëzojnë për qëllime blerjeje ose shitje të produkteve dhe shërbimeve. Sa i përket familjes dhe fëmijëve të tyre, ata nuk preferojnë realisht që të pasojnë biznesin e tyre tek pasardhësit por më shumë duan që gjenerata e dytë të gjejë një punë të ndryshme nga e tyre falë një edukimi dhe diplome më të mirë. Metodat e komunikimit me klientët janë të orientuara kryesisht drejt komunikimit me email-e, pra pa një lloj strategjie marketingu të mirëfilltë. Ata vlerësojne se cilësia e produktit ose shërbimeve, ose reputacioni i mirë jane fuqia e biznesit të tyre.
Deri këtu duket se emigrantët kanë gjetur rrugën e tyre. Po kriza sa i ka prekur?
Në kushtet e krizës globale problemet si papunësia, punësimi në informalitet, lejet e qëndrimit, bashkimi familjar, steriotipizimi në media, stigmatizimi në opinionin publik, margjinalizimi në tregun e punës janë thelluar duke i bërë emigrantët shqiptarë një ndër grupet më të prekur nga efektet e krizës në vendet pritëse. Shumë prej tyre, në kushtet e papunësisë dhe të vështirësive ekonomike vendosin të rikthehen në vendet e origjinës, Shqipëri e Kosovë. Për ata që kthehen, ka sfida të mëdha të ri-integrimit në shoqëri dhe në jetën ekonomike të vendit. Të rikthyerit shfaqin problematika të identitetit duke mos ditur ku përkasin vërtet dhe shpesh duke u ndjerë në udhëkryq midis qëndrimit dhe largimit. Duhet të përmendim se ka disa histori të suksesshme të rikthimeve dhe të të bërit biznes transnacional por gjithsesi ka probleme që emigrantët i hasin edhe në Shqipëri, siç janë papunësia, pagat e ulëta, infrastruktura e dobët, korrupsioni, dështimi i investimeve etj.
Në fakt kemi folur gjithmonë për benefititet që kanë sjellë emigrantët në Shqipëri po çfarë pasojash solli emigrimi për Shqipërinë?
Megjithëse emigrimi ka qenë një përgjigje efektive kundër varfërisë, ka pasur dhe pasoja negative të mëdha si për vendet e origjinës, ashtu dhe për vetë emigrantët dhe familjet e tyre. Kështu, ndër problematikat më të mëdha që kanë shoqëruar emigrimin e shqiptarëve mund të përmendim numrin e madh të të larguarve duke arritur nivele të pakrahasueshme ne shkallë globale. Largimi i popullsisë ka çuar në prishjen e dinamikave dhe të strukturave demografike në vend, si shtrembërim të piramidës së moshës dhe të gjinisë apo dhe pasoja për tregun e punës. Vendi ka krijuar një varësi jo të shëndetshme nga dërgesat ekonomike të emigrantëve, si dhe është prekur nga largimi i konsiderueshëm i intelektualëve dhe i fuqisë punëtore.
Konferenca për emigrimin erdhi pikërisht në një situatë të nxehtë të emigrimit të shqiptarëve drejt Gjermanisë. Si e vlerësoni këtë largim të shqiptarëve?
Sipas studiueses për çështjet e migracionit dhe kordinatores së projektit ICM, Dr. Erka Caro, në kushtet kur çështja e emigracionit është kthyer në një nga sfidat më të mëdha për botën e sotme si dhe në dritën e sfidave që po përballet emigracioni shqiptar siç janë: Integrimi i emigrantëve në tregun e punës së vendeve pritëse, bashkëjetesa dhe menaxhimi i krizës ekonomike, format e reja dhe të mbivendosura të mobilitetit, çështje të identitetit dhe qytetarisë etj.
Për të qartësuar këto çështje është zhvilluar edhe një konferencë ndërkombëtare e zhvilluar këto ditë në Universitetin e New York në Tiranë me temën kryesore: “Migrimi i forcës së punës dhe qytetaria industriale; Shqiptarët në lëvizje, identitet, zhvillim dhe qytetari” me përfaqësues të shquar të akademisë, politikës, shoqërisë civile, por dhe me prezencën dhe zërin e emigrantëve. E vërteta është se ka shumë pak kërkime lidhur me statusin, qëndrimet dhe strategjitë që migrantët shqiptarë ndjekin për të depërtuar sukseseshëm në tregun e punës në vende të ndryshme europiane. Gjatë viteve të fundit, lëvizja e shqiptarëve prej dhe drejt vendeve të BE-së është intensifikuar, ndërsa janë shfaqur trende të reja të kësaj lëvizshmërie. Nocionet e identitetit, përkatësisë, integrimit dhe formave të tjera të shtetësisë po sfidohen dita-ditës nga format e reja të lëvizshmërisë. Por si ndikojnë këto forma të reja tek zhvillimi i qytetarisë industriale midis emigrantëve nga Shqipëria? Qëllimi i kësaj konference ishte pikërisht nxitja e debatit mbi këto çështje të rëndësishme. Gjithashtu, kjo konferencë propozoi stimulimin e studimeve që angazhohen me transformimet aktuale të Ballkanit Perëndimor, tregun europian të punës, kuptimin dinamik të “emigrantit” dhe integrimin e tyre në tregun e punës dhe në shoqërinë pritëse, të ndikuara këto edhe nga kriza globale ekonomike dhe politikat shtrënguese.
Referuesit kryesorë në konferencë ishin Nathan Lillie, profesor i Politikës Sociale, Universiteti Jyväskylä, Finlandë; Russell King, profesor i Gjeografisë, universiteti i Sussex, Britani e Madhe; Ajay Bailey, asistent profesor në studime të popullsisë, universiteti i Groningen, Holandë dhe Marc Hill, asistent profesor në studimet mbi Migrimin dhe Edukimin, Universiteti i Innsbruck, Austri, etj.
Çfarë përfundimesh do të veçonit? Po roli i shtetit shqiptar si ka qenë dhe si duhet të jetë për këtë çështje?
Progresi drejt BE nuk do të jetë më vetëm dhe thjesht politik dhe reformativ për Shqipërinë, sic ka qënë për të tjerët që janë përfshirë së fundi në proces. Ai do jetë thellësisht i fokusuar në disa angazhime sidomos ato të lidhura me ekonominë dhe standartet e tregut. Kjo përforcon idenë e përdorimit të mjeteve të tjera për këtë qëllim, si standartizimi i çdo elementi të tregut dhe ekonomisë tonë, por në rrugën më të shpejtë të mundshme, e cila nënkupton për sipërmarrsit emigrantë eksperiencë nëpërmjet modeleve holistike dhe heuristike. Reforma strukturore për të nxitur këtë mundësi të re për ndërkombëtarizimin e ekonomisë shqiptare janë të domosdoshme të ndërmerren në Shqipëri. Pavarësisht se sipërmarrësit emigrantë shfaqin kufizime të rëndësishme në perspektivën e tyre për shkëmbime transnacionale ata perfaqësojnë akoma një potencial shumë të rëndësishëm në procesin e integrimit europian nga një perspektive devolucionare. Ata janë ambasadorë spontanë, të rëndesishëm dhe ndërmjetësues në këtë perspektivë. Përforcimi i enklavave të konsumit duke rritur prezantimin e produkteve dhe markave ndërkombëtare në tregun italian do të rrisë tërheqjen e tyre në shërbime dhe produkte në tregjet rajonale dhe lokale duke përdorur lidhjet e mëdha në numër me të tjerët jashtë enklaves së emigranteve shqiptare.
Bazuar edhe në fjalën e Prof. Russell King mund të themi se në kushtet e krizës ekonomike, emigrantët shqiptarë në Europë kanë treguar veten të jenë fleksibël dhe të adaptueshëm. Ata si strategji mbijetese në këto kushte të vështira bazohen në identitetin e tyre të lidhur me punën dhe reputacionin si punëtorë të denjë dhe të mirë. Emigrantët shqiptarë shfaqen të gatshëm për të ulur shpenzimet, pranojë paga më të ulëta se të punëtorëve vendas, orare më të gjata dhe kushte më të vështira pune, janë më të bindur ndaj punëdhënësit, më modest në kërkesa dhe më bujarë në shërbimet që ofrojnë. Punëtorët shqiptarë shohim se janë të gatshëm të lëvizin, pjesërisht ose plotësisht, përsëri në ekonominë informale (punën në të zezë), sipas nevojave dhe në mënyrë që t’i mbijetojnë krizës.
Shqipëria duhet të ketë një axhendë të detajuar mbi çështjen e emigracionit dhe ndihmesën që duhet ti japë qytetarëve të vet në emigrim. Shqiptarët mund të jenë ndër komunitetet e vetme të emigrantëve të konsoliduar që nuk ushtrojnë ende të drejtën dhe detyrën njerëzore të votës, duke i bërë ata të heshtur në vendimarrje dhe në politikëbërje. /tesheshi.com/