Nga Luljeta Progni
17 vite më parë, më 12 shtator 1998, u vra themeluesi i Lëvizjes Studentore dhe kryetari i parë i Partisë Demokratike, Azem Hajdari. Eshtë një ndër ngjarjet më të rënda dhe më të bujshme të ndodhura në këto 25 vite në Shqipëri. Kjo ngjarje e tronditi nga themelet mazhorancën e majtë, të drejtuar nga Fatos Nano.
Azem Hajdari mbeti i vrarë nga një atentat në oborrin e selisë së Partisë Demokratike mbrëmjen e 12 dhjetorit të vitit 1998. Kryetari i atëhershëm i PD-së, Sali Berisha, akuzoi qeverinë Nano, dhe vrasjen e Hajdarit e cilësoi politike. Partia Demokratike kishte rreth një vit që ishte në opozitë, pas humbjes në zgjedhjet e 29 qershorit 1997. Duke e konsideruar politike vrasjen e Azem Hajdarit, Berisha dhe lidershipi i opozitës vendosën menjëherë nisjen e protestave deri në rrëzimin e qeverisë Nano.
Protestat nisën ditën kur Azem Hajdari do të përcillej për në banesën e fundit, më 14 shtator. Kortezhi mortor u vendos para Kryeministrisë, për të shpërthyer në revoltë kundër qeverisë Nano. Turma e protestuesve u dynd në institucionet shtetërore, në Kryeministri e Parlament, e deri tek godina e Televizionit Publik Shqiptar. Ishte një situatë aq kaotike, sa edhe arkivoli me trupin e të ndjerit Hajdari mbeti për disa momente i braktisur në sheshin para godinës së Kryeministrisë.
Protestuesit, të drejtuar nga krerët e PD-së, sulmuan godinën e Kryeministrisë, të Parlamentit, dhe hynë me forcë në godinën e Televizionit Publik Shqiptar. Kryeministri Fatos Nano ishte larguar një natë më parë nga Shqipëria drejt Maqedonisë, për çështje sigurie. Pavarësisht kaosit të krijuar, rendi u rivendos brenda pak orësh. Ministri i Rendit, në atë kohë Perikli Teta, doli para mediave darkën e 14 shtatorit dhe njoftoi se situata ishte tërësisht nën kontroll.
Vrasja e Azem Hajdarit e ashpërsoi skajshëm luftën politike mes mazhorancës dhe opozitës. Përmes një rezolute të miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë më 15 shtator, mazhoranca e cilësoi grusht shteti protestën e opozitës.
Deklaratë e Kuvendit të Shqipërisë, 15 shtator 1998
“Kuvendi Popullor i Republikës së Shqipërisë, i mbledhur në seancë plenare më datë 15 shtator 1998, duke vlerësuar ngjarjet e ditëve të fundit, veçanërisht sulmin kundër institucioneve dhe rendit kushtetues nga grupimet agresive të armatosura të Partisë Demokratike, të drejtuara nga Sali Berisha, duke konstatuar goditjen me armë, grabitjen dhe pushtimin e Parlamentit, të selisë së Këshillit të Ministrave, të Gjykatës Kushtetuese, Televizionit Shtetëror, dhe shpalljes, nëpërmjet tij, të së ashtuquajturës fitore të tyre, konkludon:
Grupe të armatosura të Partisë Demokratike kryen një grusht shteti kundër institucioneve kushtetuese, i cili, edhe pse deri tani ka dështuar, mbahet ende në aktivizim. Drejtuesi dhe organizatori i grushtit të shtetit është Sali Berisha, mbi të cilin rëndon vrasja e shqiptarëve vetëm për të mbajtur ose për të rimarrë pushtetin. Parlamenti falënderon popullin e Tiranës dhe forcat e ruajtjes së rendit për gjakftohtësinë dhe veprimin e tyre për rivendosjen e rendit e të qetësisë. Parlamenti vlerëson dhe mbështet iniciativën e Presidentit të Republikës në favor të zgjidhjes politike të situatës,” theksohej ndër të tjera në deklaratën e miratuar nga mazhoranca e majtë më 15 shtator 1998.
Përmes kësaj deklarate, Nano po kërkonte që tërë krizën që kishte shkaktuar vrasja e Azem Hajdarit ta përcillte tek opozita. Nuk ishte aq e thjeshtë. Brenda Partisë Socialiste ishte ashpërsuar në atë kohë lufta politike mes grupeve rivale. Nano ishte larguar drejt Maqedonisë, duke lënë vendin në kaos, dhe ky veprim u konsiderua si një shmangie nga përgjegjësitë që i përcaktonte kushtetuta në detyrën e kryeministrit. Ky moment u shfrytëzua nga kundërshtarët e tij në PS për t’i dhënë një goditje të fortë.
Rënia e qeverisë Nano në KPD dhe zgjedhja e Pandeli Majkos kryeministër
Në këtë situatë politike të tensionuar, Fatos Nano mblodhi më 16 shtator Komitetin e Përgjithshëm Drejtues të PS-së, ku kërkoi votëbesimin e këtij forumi për të vazhduar qeverisjen. KPD-ja i dha votat Fatos Nanos për ta vazhduar qeverisjen me kabinetin që drejtonte. Vendimi i KPD-së ishte në vazhdën e rezolutës së miratuar në parlament, e cila të gjitha përgjegjësitë për ngjarjen e 14 shtatorit ia faturoi liderit të opozitës, Sali Berishës, dhe drejtuesve të tjerë të saj.
Por nuk u mbyll me kaq. Presidenti Rexhep Meidani, i mbështetur edhe nga drejtues të tjerë të PS-së, si Servet Pëllumbi, Ilir Meta, Anastas Angjeli, Sabit Brokaj, e të tjerë, kërkoi sërish votëbesimin e qeverisë. Në atë kohë u komentua në media se kjo lëvizje ishte nxitur edhe nga ndërkombëtarët. Sipas mediave të kohës, presidenti Meidani kishte marrë sinjale nga ndërkombëtarët për ta ndërprerë mandatin e qeverisë Nano dhe për të zgjedhur një tjetër qeveri, pasi kjo do t’i shërbente uljes së tensioneve politike mes mazhorancës dhe opozitës. Pak ditë pasi KPD-ja i kishte dhënë votëbesimin qeverisë Nano, u mblodh sërish për të diskutuar. Pas shumë debatesh u vendos që Nano të jepte dorëheqjen dhe të krijohej një qeveri e re. Më 29 shtator 1998, Fatos Nano dha dorëheqjen nga posti i kryeministrit.
Dorëheqja e Nanos si kryeministër
“Dorëheqja ime është e parevokueshme. Jemi këtu për të thënë ndërkohë se një qeveri e fortë, që sulmoi fort, krijoi edhe një reaksion të fortë përballë një opozitë destruktive, duke krijuar një konflikt të fortë, i cili çoi edhe në rënie të qeverisë. Duhet të krijohet një qeveri faktikisht e matur, për të krijuar konsensusin që askush të mos abuzojë. Kam investuar dhjetë vjet në politikë, dhe u tërhoqa për të mos krijuar polarizim. Terreni është i minuar, nëse konflikti zbutet, atëherë qeveria ecën përpara,” thuhet në deklaratën e Nanos.
Pas dorëheqjes së Nanos nga posti i kryeministrit, në krye të qeverisë erdhi Pandeli Majko, i cili deri atëherë ishte sekretar i përgjithshëm i PS-së, një prej figurave më aktive të kësaj partie. Pandeli Majko ishte në atë kohë 31 vjeç. Kishte mbërritur në postin e rëndësishëm të sekretarit të përgjithshëm të PS-së për shkak të aktivizimit të tij në politikë qysh me FRESH-in. Majko ka spikatur si një ndër mbështetësit e Fatos Nanos në betejën e këtij të fundit me kundërshtarët në parti, si Pëllumbi, Meidani, Meta, etj. Kur u zgjodh kryeministër, Majko kërkoi që në krahun e tij të djathtë të ishte pikërisht një prej kundërshtarëve të Nanos. Ilir Meta u zgjodh zëvendëskryeministër i Shqipërisë. Meta ishte në atë kohë vetëm 29 vjeç. Qeveria e re e socialistëve nisi punën, ndërsa Fatos Nano u kthye në selinë e PS-së. Nuk kaluan veçse tre muaj, dhe Nano dha dorëheqjen edhe nga posti i kryetarit të PS-së.
21 janar 1999: Fatos Nano dorëhiqet nga posti i kryetarit të PS-së
“Duke mos gjetur solidaritetin e nevojshëm brenda këtij forumi për të çuar më tej luftën time principale për reformimin e partisë dhe emancipimin e politikës shqiptare, kam marrë vendimin e e tërheqjes nga pozitat e kryetarit të Partisë Socialiste, për ta kërkuar këtë solidaritet jashtë mureve të zyrave dhe sallave me dyer të mbyllura, në masën e gjerë të socialistëve dhe të dashamirësve të shumtë, të reformave standarde të europianizimit në gjirin e shoqërisë civile shqiptare. Sot unë preferoj të mbyll edhe formalisht ciklin gati 8-vjeçar të reformës që kam drejtuar nga lart, të së majtës shqiptare, për të marrë lirinë dhe kohën që më duhet për të iniciuar një lëvizje emancipuese në gjirin e njerëzve. Kredoja ime politike do të vazhdojë të mbetet ‘as komunizëm, as antikomunizëm’.
Dëshiroj dhe uroj të kuptohet se mbyllja formale e ciklit të reformës nga lart me largimin tim nga drejtimi aktiv i strukturës aktuale të Partisë Socialiste nuk është mesazh braktisjeje për mbështetësit e shumtë të saj në elektoratin socialist dhe në shoqërinë shqiptare në tërësi. Këta mbështetës, dhe të tjerë që dëshirojnë të bashkohen me projektin tim të emancipimit të politikës shqiptare, do të vazhdoj t’i vlerësoj si faktor vendimtar në veprimtarinë time të ardhshme politike, nga e cila do të largohem një herë e mirë vetëm kur të mos kem më frymë.
Që të davaritet çdo ekuivok përballë spekulimeve që nuk do të mungojnë edhe kësaj here, dua të jem si gjithnjë i hapur me ju, nuk po largohem për pamundësi apo mungesë autoriteti për të vepruar dhe drejtuar. Unë vlerësoj se detyra dhe parimi që ka karakterizuar dhe rrezikuar qenien time, për të mos heshtur përballë pazarllëqeve dhe aventurave të politikës zyrtare, si dje në opozitë edhe sot në pushtet, më shtynë të marr këtë hap personalisht të dhimbshëm, me bindjen se çdo rrugë tjetër, si heshtja ashtu edhe kontestimi nga pozita e kryetarit të mazhorancës legjitime të qëndrimeve të politikës së ditës, do të kishte një kosto të lartë jo vetëm për PS-në, por edhe për vetë Shqipërinë dhe çështjen tonë kombëtare. Më lejoni t’ju kujtoj të gjithëve se mund të imitoja këdo dhe çdo gjë, por jo ata që kanë vënë në rrezik vendin dhe kombin për interesa të pushtetit apo revanshit personal.
Duke u larguar nga karrigia e kryetarit të Partisë Socialiste, unë po largohem nga një qerthull vicioz për të krijuar kushte sa më transparente komunikimi me partinë, elektoratin dhe opinionin publik, lidhur me përgjegjësitë e mia dhe gjynahet e të tjerëve, në mënyrë që drejtuesit aktualë të partisë, të qeverisë së koalicionit dhe të tryezës së partive që përbëjnë Aleancën për Shtetin, disa prej të cilëve e kanë adoptuar me fjalë e me vepra një kurs të papajtueshëm me filozofinë time të votuar e të legjitimuar në zgjedhjet e fundit, të marrin përgjegjësi të plota mbi vete dhe të mos luajnë më me alibitë pro apo anti-Nano.
Duke fituar të gjithë liritë e nevojshme për të komunikuar me socialistët dhe gjithë shqiptarët, pa filtra interesash të klaneve brenda partive shqiptare që kanë hyrë në rrugën e uzurpimit të pushtetit, nënvizoj se tërhiqem pa asnjë mllef personal apo ndjenjë revanshi ndaj atyre që mbijetojnë duke u vetëquajtur kundërshtarë politikë brenda apo jashtë koalicionit aktual, për të cilin më lejoni të pohoj se vazhdoj të mos ndjej asgjë,” theksohet në deklaratën e Nanos.
Pak ditë më pas, kreu i dorëhequr socialist nisi një tur takimesh në bazën e partisë. Në takimet me elektoratin ai nuk i ndaloi sulmet ndaj kundërshtarëve të tij në parti. Në këtë kohë, një grup deputetësh dhe anëtarësh të KPD-së kërkuan tërheqjen e Nanos nga dorëheqja dhe kthimin në krye të PS-së për shkak të situatës së re, pas nisjes së luftës në Kosovë, si dhe në pamundësi për të zhvilluar kongresin ku do zgjidhej kryetari. Propozuesit ishin pjesë e mbështetësve të Nanos në PS. Kryesia e partisë e hodhi poshtë kërkesën e këtij grupimi, duke e quajtur antistatuore. Lufta e brendshme në PS sa vinte e përshkallëzohej, dhe në këtë situatë të acaruar brenda partisë, në mesin e shtatorit ‘99, Pandeli Majko bëri publik vendimin për të kandiduar për kryetar të PS-së. Ilir Meta deklaroi publikisht mbështetjen për kandidaturën e Majkos.
Në këtë situatë nisi fushata e dy kandidatëve për kryetar të PS-së. Me sloganin, “Na t’birtë e shekullit të ri”, nisi në 9 tetor kongresi i tretë i PS-së, ku përplaseshin dy grupe kundërshtare, grupi Nano dhe grupi Majko-Meta. Fjalimet e dy kandidatëve, Nano e Majko, por edhe të anëtarëve të tjerë të forumeve drejtuese të kësaj partie, ishin mjaft të ashpra, si një dëshmi e konfliktit brenda grupeve të PS-së. Gara mes Majkos e Nanos po dukej të ishte mjaft e fortë. Diferenca e votave për secilin ishte shumë e vogël.
Fatos Nano pa se përballë tij ishte një kandidat shumë i fortë potencialisht për t’i marrë partinë. Por të njëjtën ndjesi pati dhe Ilir Meta, lëvizjet politike të të cilit ishin në funksion të rrëzimit të Nanos nga posti i kryetarit. Ama Meta nuk e kishte menduar deri në atë moment se përballë tij po rritej gjithnjë e më shumë një rrezik më i madh. Ai ishte Pandeli Majko, me shumë mundësi për të fituar postin e kryetarit të Partisë Socialiste. Me sa duket, Meta kishte menduar ta përdorte Majkon për të arritur qëllimin e tij, por llogaritë nuk po i dilnin siç duhej. Figura e Majkos kishte marrë përmasa të paparashikueshme, pasi ai po shkonte drejt kreut të partisë, dhe po shfaqej si një rrezik më i madh për ambiciet e Metës. Në këtë situatë, Ilir Meta bëri lëvizjen e shpejtë, marrëveshjen me Fatos Nanon, dhe në atë ditë të kongresit të 9 tetorit 1999 i orientoi mbështetësit e tij për t’i dhënë votën Fatos Nanos. Me këtë lëvizje, Meta e rrëzoi Majkon, dhe Fatos Nano mbeti kryetar i PS-së. Duke bërë marrëveshje me Nanon për t’i dhënë mbështetje në garën për kryetar të PS-së, Meta përfitoi edhe postin e kryeministrit.
Fatos Nano u zgjodh kryetar i PS-së, me 297 vota, përkundrejt kandidaturës së Majkos, me 261 vota, në seancën e kongresit të kushtuar zgjedhjeve. Si pasojë e kësaj marrëveshje të shpejtë mes Nanos e Metës, brenda pak ditësh Pandeli Majko dha dorëheqjen nga posti i kryeministrit, për t’u zëvendësuar me Ilir Metën. Majko u largua nga posti i kryeministrit më 26 tetor. Në të njëjtën ditë kryesia e PS-së propozoi Ilir Metën si kandidat për postin e kryeministrit. KPD-ja e miratoi kandidaturën e Metës në mbledhjen e parë të saj. Ilir Meta fitoi me 68 vota karshi rivales Makbule Çeço, me 45 vota. Meta u dekretua nga Meidani pas një dite si kryeministër i Shqipërisë. /tesheshi.com/