Nga Vepror Hasani
Ishte vit i lypsarëve. Për çdo ditë që kalonte ata bëheshin më të shumtë. Dukej sikur dilnin nga dheu. Kaq shumë lypsarë nuk ishin parë kurrë. Korça ishte pushtuar prej tyre. I gjeje kudo: në cepa rrugësh, buzë trotuareve, afër kafeneve, te furrat e bukës, në mensa e dyqane. Gjithkund shfaqej një dorë e shtrirë për ndihmë. Ishin fëmijë të vegjël, gra me foshnja në krah, njerëz të të moshuar, të verbër e të gjymtuar, por askush që kalonte pranë tyre nuk jepte gjë. Të gjithë largoheshin me fjalët: “Zoti të dhëntë!”
Jeta e lypsarëve u bë e pashpresë. Në fund të ditës nuk çonin asgjë në shtëpi. Kishin lypur edhe më parë, por si atë vit nuk u kishte ndodhur kurrë. E dinin shkakun: njerëzit nuk dhuronin asnjë santim sepse në qarkullim nuk kishte para të vogla, por si mund t’i jepnin zgjidhJe kësaj pune, askush nuk e dinte. Nuk ishte çmendur kush që të dhuronte një koronë. Ato kohë punohej me këtë monedhë, por lypsarët nuk mund të ushqeheshin me shprehjen: “Zoti të dhëntë!”
Vendosën të ngrinin krye. Do të kërkonin të drejtën e tyre, atë të lypjes. Punë nuk kishte dhe varfëria po mundonte shumë njerëz. Ata kishin për të rritur fëmijë. Të gjithë bashkë u drejtuan te zyrat e qeverisë. Kryengritja e lypsarëve të Korçës mbeti e përshkruar në shtypin e kohës:
“Shumë lypës na u çfaqën në zyrë me këto fjalë: Kemi kohë që kemi qesate. (Lypim pa fitur asgjë). Puna jonë e ka me para të holla, (të vogla). Të holla s’ka, se monedha më e vogël është çerekkorone. Punërat nuk janë aq të mira sa (njerëzit) të mos e kursejnë çerekun, dhe kështu na përcjellin me fjalët: “S’kemi të holla, Perëndia u dhëntë!” Ne kemi pritur gjer më sot të na japë Perëndia, por ajo na këshilloi të përpiqemi, që të dalin para më të vogla dhe aheraj, (njerëzia) do të na japë”. Gazeta e Korçës”, e martë, 7 shtator 1926
Njerëzit e qeverisë mbetën të befasuar nga kërkesat e lypsarve. Kërkonin daljen në qarkullim të parave të vogla, që njerëzit të kishin mundësi t’u dhuronin diçka. Për shkak të mungesës së parave të vogla ata ndiheshin të revoltuar. Qeveritarët nisën të vrisnin mendjen, si mund t’i ndihmonin?!
Gazeta e përmendur më sipër, (7 shtator 1926), sjell zgjidhjen që u gjet për lypsarët. Fjalët e qeveritarëve ishin këto: “Kanë të drejtë të varfërit, po ç’t’u bëjnë, (njerëzit), le ta shkëmbejnë ditën e pazarit të tyre, q’e kanë të shtunën mbrëma dhe le ta bëjnë të dielë në mëngjes dhe të venë në kishë se vetëm atje ka para të vogla”.
Zgjidhja e propozuar nuk qe aspak ngushëlluese. As në dyert e kishave dhe as në udhët e qytetit nuk gjetën para të vogla. Udhët e Korçës mbanin emra njerëzish të mëdhenj, si “Miss Durham” te lagja “Barç”, “Hann” te lagjja “e Re”, ose “Rober Cecil”, “D’estaurnelles Decosland”, “Dodona” etj, por që të gjitha ngjasonin me rrugët e lagjes që mbante emrin “Kulla e hirit”.
Sipas shtypit të kohës gjendja ishte kjo: “… Ngado që të shkosh, kudo që të vesh do të rrethohesh prej lypsarësh. Më çdo çap një tok fëmijë do të të ndjekin dhe nuk është mjaft që të ndotin zemrën me pamjen e tyre – me nder – të qelbur, po shumë herë të heqin edhe për rrobeje…”. (“Gazeta e Korçës”, e shtunë, 28 prill 1928)
Ndërsa një gazetë tjetër shkruante: “Ka mjaft kohë tani, që me të vërtetë një plagë sociale është në qytet, plagë kjo që jo vetëm është një çqetësim, një shëmtim, por edhe një rrezik për urdhërin publik. Shpjegohemi: kemi parasysh lypërinë, e cila ka marrë dimensione serioze dhe ushtrohet lirisht dhe pa pengim në gjithë rrugët e qyteteve nën vështrimin e policisë”. (“Zëri i Korçës”, e shtunë 3 maj 1930)
Lypsarët vazhdonin të kërkonin daljen në qarkullim të parave të vogla. Ishte e vetmja shpresë për mbijetesën e tyre. Për shkak të këmbënguljes së lypsave ose jo, më në fund edhe paratë e vogla u prodhuan. Kjo ngjarje zuri vend edhe ne faqet e gazetave:
“Më në fund u plotësua mungesa e monedhave të vogla nikel, e cila këtu e 6 muaj më parë, kishte shkaktuar një krizë të përgjithshme në tërë shtetin, Që pardje, të mërkurë, arriti në degën e këtushme të Bankës Kombëtare një shumë e madhe, mjaftë mondha të reja prej një leku dhe gjysmë leku, të cilat shkëmbeheshin me bankënotë pa asnjë skonto. Tani me arritjen e lekëve të reja shpresojmë t’u vihet një çmim i caktuar sendeve me çmim, gjë që s mund të bëhej më parë nga përdorimi i koronës, kursi i së cilës ndryshonte dita-ditën”. (Zëri i Korçës, e shtunë, 6 dhjetor 1930).
Prerjen e monedhave të vogla, lypsarët e quajtën fitore të kryengritjes së tyre. Njerëzit nuk po u thoshin më: “Perëndia u dhëntë!”. /tesheshi.com/