Nga Besim Dervishi
Një qytet mundet të ketë në historikun e tij shumë ngjarje dhe data të shënuara, qoftë ky edhe qytet i ri. Por ka disa ngjarje dhe data të cilat ai nuk mundet që t’i harrojë. Poliçani është një qytet relativisht i ri dhe ngjarja për të cilën do të flasim i përket një kohe jo fortë të largët. Koha në të cilën u zhvillua greva e sindikalistëve të Kombinatit Mekanik në vitin 1992. Kjo grevë u pasua nga disa demonstrata antiqeveritare të cilat kulmuan me atë të 25 gushtit 1992 por që vazhduan dhe me 26 dhe 27 gusht.
Poliçani u krijua rreth viteve ’60 me një urdhër nga “kupola” moniste si një qytet shumë sekret . Në fillim u ndërtua Uzina Ushtarake, pastaj u ngritën pallatet e para. Qyteti mori formë aty nga fundi i viteve ’70. Ai u popullua shumë shpejt me banorë jo vetëm nga rrethinat e Skraparit dhe Beratit, por dhe nga Saranda, Gjirokastra, Korça, Fieri, Vlora, Tirana, Durrësi, bile dhe nga veriu i Shqipërisë si Dibra dhe Shkodra. Natyrën e tij rebele qyteti e ka kultivuar që herët. Shumëkujt mund t`i kujtohet një ngjarje aty nga shtatori i vitit 1989, kur gjatë ndeshjes së futbollit midis ekipeve “22 Tetori” i Poliçanit dhe “Traktori” i Lushnjës, pas një goli spektakolar të futbollistit legjendar poliçanas, Besnik Sherri pati një përplasje fizike midis tifozëve vendas dhe lojtarëve të ekipit lushnjar. Dhe më pas incidentet vazhduan në qytet ku grupe qytetarësh u ndaluan nga policia e asaj kohe, disa dhe pa të drejtë.
Në qendër të qytetit pati disa përplasje verbale midis qytetarëve dhe zyrtarëve vendas të regjimit, duke i akuzuar ata për gjendjen e vështirë ekonomike, për regjimin e tollonave dhe rradhët e gjata. Kjo solli që mjaft qytetarë poliçanas të rrihen, të torturohen, të mbahen me muaj në burg, e të përjashtohen dhe nga puna. Pas ja që pas viteve `90 poliçanasit ashtu si gjithë skraparllinjtë mbështetën fuqishëm krahun e majtë, Partinë Socialiste, kjo për shkak të lidhjeve të vjetra tradicionale që kishte kjo trevë me Nacionalçlirimtaren. Kjo u reflektua me zgjedhjet e 31 Marsit 1991 dhe 22 Marsit 1992 kur të gjithë deputetët i fitoi Partia Socialiste. Për këtë shkak, pas ardhjes në pushtet PD-së, Skrapari dhe Poliçani filluan të shiheshin me një sy tjetër rishtarët në pushtet, demokratët.
Si nisi greva e Poliçanit
Greva filloi më datën 20 prill 1992, në atë periudhë Kryeministër ishte Aleksandër Meksi, ministër i Mbrojtjes Safet Zhulali (i ndjerë) dhe Drejtor i Kombinatit Mekanik Gëzim Cane. Sindikata fillimisht i parashtrojë disa kërkesa administratës së Drejtorisë në Kombinatin Mekanik, si ruajtjen e fuqisë punëtore, përmirësimin e kushteve të punës dhe nëse do të bëhej reformë, kriteret që duheshin ndjekur. Në 14 maj 1992 është bërë protesta e parë konform rregullave para Drejtorisë së Kombinatit Mekanik Ushtarak.
Kjo për arsyen se nuk i ishte kthyer përgjigje kërkesave të lartpërmendura. Ndërkohë, me kërkesat e sindikalistëve u njohën dhe presidenti Berisha, kryeministri Meksi dhe ministri i Mbrojtjes Zhulali. Para se të niste greva një përfaqësi e sindikatës mori takim me Berishën, ku si rezultat u shkarkua si drejtor Gëzim Cane, për t`u zevendësuar nga Njazi Spahiu. Por ndërkohë greva ishte duke vazhduar. Drejtori i ri pranoi zgjidhjen e kërkesave brenda 10 ditëve, por më vonë ai fillojë të luante me grevistët, duke arritur deri aty sa mos të njihte as Komisionin e Grevës, ndaj këta të fundit rritën kërkesat duke shtuar edhe shkarkimin e tij si drejtor.
Acarimi dhe konflikti midis sindikalistëve dhe drejtorit të ri, Njazi Spahiu, arriti deri në atë pikë sa detyroi ministrin Zhulali që bashkë me Kryetarin e Kontrollit te Larte të Shtetit, Blerim Çela të vinin vetë në Poliçan me helikopter në mënyre urgjente. Ata organizuan menjëherë një takim me Komisionin e Grevës dhe me Këshillin e Sindikatës në ambientet e Kombinatit Mekanik. Ky takim u zhvillua në një gjendje të tensionuar nga të dyja palët, ku nuk u ra dakort për pikën e cila bënte fjalë se: “Punëtorët të cilët do të ishin në gadishmëri ose në punë, do të transferonin librezat e punës në Zyren e Përkrahjes Sociale si dhe pagat do t`i mernin po në këtë zyrë”.
Pra kështu do të shkëputeshin nga Kombinati Mekanik. Këtë pikë sindikata e refuzoi në mënyre unanime. Si rezultat i këtyre mosmarrëveshjeve greva u fuqizua më tepër duke patur dhe përkrahjen e popullit të Poliçanit. Në këtë kohë, administrata e Drejtorise se Kombinatit Mekanik, në kundërshtim me Ligjin e Grevës, organizonte kombinacione nga më të ndryshmet me qëllim që greva të dështonte.
Kjo Drejtori mori masa ekstreme deri aty sa nxorri punëtorët jashtë uzinës, nxorri lista me punëtorë të rinj, kryesisht militantë të krahut të djathtë, nuk lejonte grevistët në sheshin e grevës duke ndërmarrë disa masa, si vendosjen e rojes me armë zjarri me qëllimin e moslejim të grevistëve për tubimin e tyre në sheshin ku ishte marrë leja për zhvillimin e saj. Kjo situatë erdhi në atë pikë që u quajt provokimi i 24 gushtit, kur një ushtar gjuajti me armë zjarri mbi punëtorët e paarmatosur grevistë, disa prej të cilëve të irrituar u futën ne zyrat e Drejtorisë duke u konfrontuar me administratën e cila në kundërshtim me ligjet e punës kishte shkarkuar 3500 punëtorë dhe kishte gati një javë që nuk jepte rrogat në kundërshtim me “Ligjin e Grevës”, gjë që kishte bërë të mundur rëndimin e gjendjes ekonomike të poliçanasve.
Keqësimin e situatës ekonomike do ta përmendte në Parlament deputeti i PS-së, Shkëlqim Cani, i cili në seancën e datës 22 tetor 1992 kur diskutohej heqja e imunitetit të deputetit Ilir Meta, midis të tjerave do jepte thoshte: “…Kërkoj të tërheq vëmendjen e deputetëve dhe të qeverisë ndaj një gjendjeje të vështirë ekonomike në Poliçan, ku janë pa punë rreth 45 për qind e të aftëve për punë, ndërsa të papunë e në asistencë mbi 76 për qind e tyre…”
Në kundërpërgjigje të situatës, në orën 03:00 të natës, me 25 gusht 1992 nga pushteti i asaj kohe u ndërmorën disa arrestime, shumë nga të cilët ishin eksponentë të cilët bënin pjesë në Këshillin e Sindikates, Komisionin e Greves dhe Komisionin e Pajtimit. U arrestuan: Bashkim Kuçi, Fatos Mançe, Njazi Dervishi, Namik Ahmeti, Njazi Bakiasi, Hetem Seiti, Barjam Qafa, Hetem Kushova, Bashkim Vila, Sami Sefa, Njazi Shkëmbi dhe Ing. Thoma Cilingili. Arrestimi i tyre u krye nga policë specialë me maska që I dërguan në të dalë të qytetit ku prisnin shumë mjete policie, për t’u nisur më vonë në drejtim të burgut të Beratit. Kjo bëri që atë ditë situata në qytet të agravohej së tepërmi. Në orën 09:00 pati një përplasje verbale midis qytetarëve dhe dy punonjësve të Rendit, një prej të cilëve ishte Shef i Komisariatit të Skraparit. Pas këtij konflikti verbal, këta të fundit u futën në Bashkinë e qytetit, duke u strehuar atje nga frika e punëtorëve të cilët ishin të shumtë në sheshe. Ndërkohë, në qendër të qytetit kishte filluar demonstrata dhe aty nga ora 10:00 filluan të fluturonin dy helikopterë mbi kokat e demonstruesve.
U fol se në një prej tyre ishte ministri Zhulali, ndërsa në tjetrin ai i Rendit, Bashkim Kopliku. Prania e dy mjeteve fluturuese gati mbi kokat e qytetareve te pambrojtur shkaktoi panik në por edhe indinjatë tek shumë banorë të Poliçanit. Gjatë kësaj kohe, në Berat erdhi me shpejtësi Kryeprokurori i Përgjithshëm, Maksim Haxhia, i cili kërkoi takim me një përfaqësi të sindikalisteve. Haxhia çuditërisht e konsideroi grevën të ligjshme dhe ishte kundër arrestimit të sindikalistëve të Poliçanit. Nga ky takim u vu re se arrestimet ishin politike dhe të organizuara nga segmente të cilat mbështesnin krahun e djathtë brenda Prokurorisë.
Dhe kjo mbështetje ndaj Poliçanit, thuhet se i kushtoi karrierën Kryeprokurorit Haxhia, i cili u shkarkua pas disa muajsh. Në Poliçan situata u tensionua më shumë me mbërritjen e 300 forcave speciale si dhe qindra forcave të ushtrisë te ardhura nga Berati, të cilat u dislokuan ne kodrat rreth qytetit. Aty rreth orës 13:00 pati përplasje të dhunshme midis qytetarëve të pambrojtur dhe qindra forcave policore. Si rezultat pati 34 të plagosur nga të dyja palët, një vajzë 10 vjeçe u plagos në këmbë me armë zjarri, u dogjën disa makina policie dhe specialet lanë qytetin duke u shpërndarë në kodrat rreth e qark. Për këtë arsye, eksponentë të sindikatës komunikuan me radio me ministrin Zhulali dhe atë të Rendit Bashkim Kopliku, me qëllim që të stabilizohej situata. Por thuhet se ministri Kopliku refuzoi të largojë Specialet duke u shprehur midis të tjerave se: “Do t`ju thyejmë kokat”. Ndërkohë, kodrat e qytetit ishin mbushur me njerëz që mbaheshin të rrethuar me forca ushtarake e policore speciale.
U mbajtën shumë fjalime të zjarrta nga shumë qytetarë, por fjalimi që kujtohet me shumë ishte i Meriba Kondit, e cila iu bëri apel qytetarëve për qetësi dhe maturi. Parullat që dëgjoheshin ishin: “Poliçani nuk është Kosovë”, “Lironi shokët tanë”, “Duam Bukë”, “Duam Punë”.
Në këtë situate, në Poliçan befas u shfaqën deputetet e së majtës: Servet Pëllumbi, Sabit Brokaj, Ilir Meta, Namik Dokle dhe të tjerë, të cilët dënuan terrorin policor dhe u pozicionuan në favor të qytetarëve të Poliçanit. Kjo gjë bëri të mundur uljen e tensioneve dhe në këtë kohë dolën dhe dy drejtuesit e rendit, të cilët deri në atë kohë ishin strehuar në një zyrë në Bashkinë e Poliçanit. Edhe ditët e mëvonshme pati demonstrata dhe shumë arrestime. U arrestuan sindikalistë të tjerë si: Meriba Kondi, Izet Bregu, Bashkim Kuçi, Antoneta Fisko, Bashkim Jankishta dhe të tjerë. Shumë kanale televizive dhe gazeta të huaja i bënë jehonë kësaj greve si RAI, ZDF MEGA, STAR, por pati dhe gazeta në SHBA, të cilat shkruan për këtë ngjarje, siç ishte “Deseret News” e datës 30 gusht1992: “Zyrtarë të qeverisë fajësuan një ligjvënës socialist të shtunën për një trazirë në një fabrikë municioni, ku punëtorët, të zemëruar për mosmarrjen e pagave, u përleshën me policinë. Si rezultat pati 17 të punëtorë dhe gjashtë oficerë policie të plagosur. Ministri i Mbrojtjes Safet Zhulali dhe ministri i Rendit Publik Bashkim Kopliku, të dy të Partisë Demokratike, akuzuan Ilir Metën, një deputet i Partisë Socialiste për rajonin e Poliçanit, si organizator të grevës. Ministrat propozuan që hetimet të zhvillohen dhe Meta, në qoftë se shpallet fajtor, të përjashtohet nga Parlamenti. Meta, i cili hodhi poshtë pretendimet, kërkoi një komision parlamentar . Sipas Servet Pëllumbit, deputet socialist, qeveria nuk arriti të paguajë 70 përqind të pagave të punëtorëve gjatë 15 ditëve e para të gushtit. Kjo arriti në shkelje të një marrëveshjeje”.
Ditët që pasuan ishin ditë të tensionuara në Poliçan, pati qindra ndalime policore aq sa qytetarët flinin natën nëpër kodrat e qytetit. Gjashtë sindikalistë: Bashkim Kuçi, Hetem Seiti, Barjam Qafa, Njazi Dervishi, Meriba Kondi, Izet Bregu dhe Bashkim Jankishta u mbajtën në arrest me ‘burg pa afat’. 14 sindikalistë të tjerë përfunduan në gjygj duke marrë dënime me disa muaj burg
Greva e Poliçanit tronditi dhe ekuilibrat politike në Tiranë. Kuvendit Popullor u mblodh në shtator 1992, duke shkarkuar Maks Haxhinë nga Prokuror i Përgjithshëm, e vënë në vend të tij Alush Dragoshin. Më 22 tetor 1992, pas disa ditësh debate parlamentare të tensionuara i hiqet imuniteti deputetit Ilir Meta, i akuzuar si nxitës i demonstratave në Poliçan. Në muajin prill 1993 në Poliçan erdhi për vizitë presidenti Berisha në një përpjekje për uljen e tensioneve, ku midis të tjerave deklaroi: “Ata që politizuan grevën e Poliçanit ishin mjeranë politikë”. Në fund, paqja u arrit me nënshkrimin e Kontratës së Gadishmërisë. /tesheshi.com/