PS e ka intensifikuar akoma dhe më tej “sulmin” ndaj Prokurorisë për çështjen CEZ. Një ditë pas Taulant Ballës, ishte Ulsi Manja, kreu i komisionit të Ligjeve, që lëshoi akuza në drejtim të organit të akuzës, lidhur me dosjen e bujshme, me të cilën identifikohet korrupsioni në ish-qeverinë Berisha plus dhe LSI-në, si aleate në mandatin e dytë.
“Prokuroria po përpiqet të mbyllë një prej dosjeve të korrupsionit më të mëdha, atë të CEZ. Kush ua ka dhënë të drejtën këtyre prokurorëve që të sillen me drejtësinë si tregtarë pazari? Që të sillen me drejtësinë për të sulmuar dhe mbrojtur në emër të interesave politike dhe korruptivë?”, tha Manja, për të vijuar më tej: “Prokuroria po bën pazare që vijnë erë të keqe me kilometra larg dhe gjithë Tirana e di. Prokuroria po shfaqet hapur si vegël e politikës dhe padrejtësisë. Po provon një kalbëzim të tmerrshëm të sistemit”, shtoi socialisti ish-prokuror.
“Të presin me qetësi vettingun, sepse ora për t’u ndarë i njomi nga i thati brenda sistemit të prokurorisë ka ardhur”, u shpreh deputeti dibran. /tesheshi.com/